Një gazetar nxirret nga salla e konferencës së presidentëve Trump e Putin

Helsinki (Finlandë), 16 korrik 2018 – Në Helsinki, një person që e identifikoi veten si gazetar u nxor me forcë  nga salla para se të fillonte konferenca e përbashkët e shtypit e Presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin.

Gazetari, Sam Husseini, i cili ishte pajisur me kredencialet e shtypit nga revista amerikane “The Nation”, e mbante në duar një letër të bardhë në të cilën shkruante: “Ndaloni armët bërthamore”.

Stacioni televiziv CNN njoftoi se Shërbimi Sekret amerikan e largoi me forcë zotin Husseini, por ai u lejua të kthehej dhe t’i merrte sendet e tij.

Husseini thoshte se ishte aty për të bërë pyetje dhe jo për të protesuar. Në videoregjistrimin e CNN-së ai dëgjohet duke pyetur se përse po e largonin.

Revista “The Nation” reagoi lidhur me largimin me forcë të reporterit të saj.

“Në një kohë kur kjo administratë denigron vazhdimisht median, jemi të shqetësuar nga njoftimet se ai u largua me forcë nga konferenca e shtypit, para se të dy udhëheqësit të fillonin të pyeteshin nga gazetarët”, thuhet në reagim.

Zoti Husseini ka shkruar një artikull për revistën “The Nation”, në qershor të vitit të kaluar. Sipas biografisë së tij në faqen e internetit, ai është drejtor i komunikimit në Institutin e Saktësisë Publike. Faqja e internetit të atij grupi thotë se ajo është një organizatë jofitimprurëse që synon, “rritjen e kapacitetit të organizatave me bazë progresive… duke pasqyruar ata dhe idetë e tyre në mediumet kryesore”.

Dy udhëheqësit, Trump dhe Putin janë kritikuar për natyrën e tyre armiqësore ndaj gazetarëve. Zoti Trump vazhdimisht i ka quajtur gazetarët “armiq të popullit amerikan”, ndërsa faqja e internetit PolitiFact, e cila vlerëson saktësinë e zyrtarëve të zgjedhur, njofton se mbi 30 gazetarë janë vrarë në Rusi që nga viti 2000, kur edhi në pushtet Vladimir Putini.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*