Një gjë e mrekullueshme “dhuratë” nga Perëndia

Pirro Dollani

(Sprovë çamarroke për të sheqerosur një dukuri jo pak të hidhët për moshat e thyera, nxitur nga shkrimi i Dr. Moikom Zeqo “GJYSMË MILIONË LEJLEKË TË RICHARD POWERS”)

 

Një nga gjërat që e bën jetën e shoqërisë njerëzore tejet të larmishme, të këndshme, madje mjaft të bukur, është pikërisht e njëjta gjë që njerëzit i tuten më shumë, pavarësisht nga raca, niveli i pasurisë, intelekti, apo pozicionit në shoqëri: është fjala për HARRESËN. Gjatë ditës çdokujt në moshë madhore i ndodh të përpiqet për të sjellë në mendje emrin e një miku, një date të rëndësishme, ose të kujtojë një fjalë që e ka në majë të gjuhës. Dhe kur arrin ta sjellë në mendje atë diçka që e mundonte, në vend që të gëzohet, njeriun e zë paniku nga frika se mos po e lë kujtesa. . . e më pas e zë trishtimi. A është kjo një arsye për t’u trishtuar apo duhet të jetë një arsye për t’u gëzuar që ndodh kështu? Varet se nga ç’kënd e shikon. Le ta shikojmë këtë nisur nga parimi i “gotës gjysmë plot”. Mendo që ke 50 vjet që del në mëngjes e takon një mik që ke disa dhjetëvjeçare që takoheni e bisedoni gati përditë. Dhe kjo gjë përsëritet përditë e përditë. A ka gjë më monotone sesa kjo? A nuk është kjo arsyeja që marrim valixhet dhe largohemi nga lagjja, qyteti, atdheu, dhe shkojmë “çinimaçin” duke bërë shpenzime të mëdha, vetem e vetëm që t’i shmangemi kësaj motonie asfiksuese. Mendo për një çast se je një nga ata ose ato “fatlumë” që shqetësohen se po i lë kujtesa, P. sh.: del nga shtëpia dhe sapo del në rrugë, dikush të thërret: “Hej Alban si je? Pse nxiton kështu?” Ti e vështron dhe nuk je në gjendje të sjellësh në mendje emrin e këtij njeriu që ke përpara. Kur edhe pas shumë përpjekjesh nuk arrin të gjesh se cili është, ai të thotë: “Po Agroni jam, shoku yt i fëmijërisë, etj. . .” Më në fund të kujtohet, përqafohesh me të sikur ke vite e vite që s’e ke parë. Madje, ngazëllehesh nga ky takim! Përpara se të ndaheni, lini takim për një ditë tjetër, dhe ti largohesh gjithë gëzim, mbushur plot me kujtime dhe me dëshirën që do të shiheni përsëri. Dhe çdo ditë e re sjell me vete një gëzim të ri: diku sheh një park të bukur që s’të bie në mendje se e ke parë më parë. Gruaja a burri që të shoqëron të thotë: “S’të kujtohet që vinim këtu e putheshim mbas asaj peme të madhe?” Si me magji të kujtohen ato çaste. Ngazëllehesh dhe i thua që të vini përsëri. Dhe të nesërmen, përsëri e njëjta gjë. A nuk është më mirë ta quash veten fatlum që ke privilegjin që çdo ditë të jetë e mbushur me emocione të tilla!! Çdo ditë e re sjell me vete edhe një rizbulim e ngazëllim të ri.

Kështu më ndodhi mua me një shkrim të Moikom Zeqos botuar vite më parë në gazetën MAPO për romanin “Jehona e kujtesës” të shkrimtarit amerikan Richard Power, që e gjeta rastësisht në Internet. Sigurisht që do ta kem lexuar, por më ishte fshirë plotësisht nga kujtesa. Kur e lexova m’u duk sikur bëra një zbulim të ri dhe u ndjeva I ngazëlluar.

 

 

GJYSMË MILIONË LEJLEKË TË RICHARD POWERS

Botuar në gazetën “MAPO” nga Dr. Moikom Zeqo

7/26/2009

Një vizion i madh i paraprin një libri të madh. Kjo është një e vërtetë gati aksiomatike. Përtej konvencionalitetit të gjitha formulave letrare dua të shpreh mendimin tim empirik që fillimi i librit mund të shprehë substancën e librit. Kjo ide është ftillëzuese dhe pllenuese. Rrallë më ka ndodhur këto vitet e fundit të hap dhe të lexojë një libër që të më bëjë përshtypje të fuqishme.
Në kaleidoskopin e librave të pafund të botës, librat që tërheqin vëmendjen janë ende shumë të pakët dhe tejet të rrallë. Perandoria e marketingut të librave ka përmasa të frikshme, gati tjetërsuese. Të botohet një libër i mire ka gjasa dhe arsye të forta për të mos e braktisur leximin, proces i mrekullueshëm dhe i jashtëzakonshëm e intelektit njerëzor. I lidhur ngushtë në letërsinë e madhe anglo-saksone, duke i njohur mire ikonat e këtij qytetërimi letrar kam njëkohësisht dhe ndjesinë dyshuese dhe skeptike për ndonjë emër të ri shkrimtari që nuk e kam njohur më pare. Është një ndjesi gati vetëmbrojtëse ose nga që vjen nga një tejngopje të leximeve të kota.
Por libri befasues dhe i mrekullueshëm “Jehona e kujtesës”, roman i shkrimtarit amerikan Richard Powers më riktheu në kënaqësinë e epërme të leximeve të vërteta. Ky roman ftillëzohet me fluturimin e gjysmë-milion lejlekësh që valëvitet si një flamur universal në autostradat e shtetit Nebrask.
            Ç’janë këta lejlekë, ku fluturojnë? Janë metafora të zbritura nga një Jerusalem Qiellor? Përfaqësojnë diçka nga qytetërimet e pashkatërrueshme dot të jashtëtokësorëve, apo mbijetesën e substancës së jetës njerëzore plot paradokse në planetin tonë?
Nëse dikur për Viktor Hygoin një fjalë e skalitur në mur në Katedralen e Parisit dhe konkretisht fjala “Fatalitet” u bë shkak për të shkruar kryeveprën e tij “Katedralja e Parisit” Richard Powers u bë shkak për të shkruar romanin “Lejlekët Madhështorë”, që popullojnë ndoshta ëndrrat tona të ndotura nga një smog teknologjik dhe nga cinizmi i pamëshirshëm.
I habitur nga kjo bukuri qiellore Powers e koncentroi tekstin e tij në dy drejtime, në studimin e jetës misterioze të lejlekëve si dhe një sëmundje të rrallë të trurit të quajtur Sindroma e Kepgrasit.
Simbolikat janë të qarta, lejlekët janë në zhdukje, truri i njeriut është i kërcënuar gjithashtu.
Powers është njeriu që e kuptoi letërsinë si humanitet, si një triumf njerëzor. I kulturuar në mënyrë të shumëfishtë, i ndjeshëm si pak kush, letra e librit është epiderma e tij artistike. Kjo nuk ka asnjë dyshim. Zemra e tij mban ritmin, një ritëm gati biologjik dhe jetik të tekstit.
Ky roman është një kryengritje, ose një revolucion i qetë i etikës si estetikë. Të shkruarit është njëkohësisht përsosje e njeriut. Ky është një pozicion suprem, është një mrekulli e fjalës, një shpresë kundër gjithë skenarëve apokaliptikë të shpërbërjes. Fuqia e të menduarit, kultura e linguistics, semiotika, antropologjia, psikoanaliza, krizat ekonomike, depresioni dhe vetmia, të gjitha së bashku e lëvizin subjektin. Ka një synim estetik për të skalitur një gjurmë në letërsi, për të mos qenë i përkohshëm. Kjo domethënie e rëndësishme e rrethon dhe e pushton lexuesin. Perceptimet për ekzistencën njerëzore jo vetëm nuk e humbin kuptimin, por mbushet me kuptim.
Powers i jep personazhit të tij Mark Shluter disa luhatje, kriza mendore, duke ribërë në tipologjinë e këtij personazhi fjala vjen figurën e një Van Gogu. Nuk janë krizat nervore ato që e mposhtin njeriun. Njeriu dhe mund t’i përballojë, fataliteti është diçka tjetër, është mos-rezistenca dhe humbja e dinjitetit njerëzor.
Personazhi i librit Marku qysh në faqet e para të librit thotë: “Unë jam kurkushi me të madhe, por sonte në Rrugën Veriore, Zoti më drejtoi tek ty, që t’i të jetosh.” Kjo tingëllon jo si epitaf por si një përurim.
Misteret e përshkrimeve të dijes, të normalitetit, të mosfunksionimit , të realitetit dhe ëndrrës – të gjitha kanë jehona të mëdha, janë shtysa të misterit në lidhje me neglizhencën e marrëdhënieve të njerëzve në lidhje me pjesën tjetër. Personazhi kryesor i romanit nuk paraqitet si homo-fiktiv por si homo-sapiens. Mark Shluter është heroi i një situate absurde në ekzistence njerëzore të paimagjinueshme.

Kritiku i njohur amerikan R.Bajert Shuman ka shkruar se: “Letërsia e Powers është më pak e kapshme se romanet e Jon Steinbeck, Eernest Hemingway, Saul Bellow, madje edhe William Faulkner, Henry James shkrimtarëve më të shquar të historisë së letërsisë të Shteteve të Bashkuara.
Në mes të romancierëve bashkëkohorë, ai mund të krahasohet direkt me Tomas Pyncho and Don DeLillo. Ai sidoqoftë ka kohë që i ka tejkaluar arritjet e tyre nëpërmes kombinimeve të rralla të mprehtësisë intelektuale, përsosmërisë dhe stilit të tij artitektonik”.
Richard Power është fitues i “NATIONAL BOOK AWARD” – 2007 si dhe FINALIST I ÇMIMIT PULITZER.
Përkthimi mjeshtëror në gjuhën shqipe nga Pirro Dollani është diçka e rrallë e tejet profesioniste. Pasi e lexova romanin i dërgova një Email shkrimtarit Richard Power. E cilësova romanin e tij “Makinë kohe dhe intelekti”. Faktin që poetja e madhe amerikane Margaret Edwood e quajti romanin e Powers “një vepër të ngjashme me Mobi Dik të Melvile” nuk është një apologji, por një e vërtetë kërthitëse.
Powers më ktheu menjëherë një email ku flet për vlerësimin e romanit të tij në Shqipëri, duke e quajtur një fat të madh që ky roman artikulon nëpërmjet shqipes problemet universale të njerëzimit.

 

 

Comment

*