Një gjeneral italian dhe një këngëtare arbëreshe

Ylli Polovina

Ylli Polovina

(Motive në prag të motit ardhës, 2017)

 

Hyrjen në vitin e ri 1998 do ta kaloja në Romë, ndërsa kisha mbërritur aty, për të punuar pranë Ambasadës Shqiptare në ditën e tetë dhjetorit, përkim i rastësishëm me një festë të krishterë të vendasve, kushtuar dlirësisë së virgjërisë së Shën Mërisë.
Vija prej ferrit të trazirave, madje prej vatrës më tmerruese të anarkisë, qytetit të Beratit. Kordonat shumëngjyrësh me dritat e varura, tendosur mbi rrugë apo nëpër vitrina, u duk fillimisht sikur më dhanë pak gazmim, por ishte e pamundur të largohesha nga ato që pata parë në atdheun tim të vështirë: njerëzit e vrarë dhe deri të tërhequr zvarrë, pastaj të djegur publikisht.
Nuk më dha asnjë impuls rimëkëmbjeje shpirtërore as hareja e vendasve për Krishlindjen, e cila ishte me të vërtetë një krijesë e bukur e njeriut që dëshiron të festojë familjarisht një ditë të shenjtë. Sipas meje, në pritje të më zbehej sadopak trishtimi i 1997-tës shqiptare, magjinë mund ta bënte vetëm 31 dhjetori, ndarja plot të ngrëna mes dy viteve. Kjo ishte edhe tradita pagane e vendit prej nga vija dhe me të cilën isha mësuar.
Por sërish as kjo festë nuk më gjallëroi për të hyrë në jetën e re në Romë, i çliruar më në fund nga makthet e Shqipërisë. Madje më ngjau krejt e kundërta. Mesnata e 31 dhjetorit 1997 për t’u gdhirë 1 janari i vitit 1998 ma risolli, gati me rrëqethje, ato që kisha përjetuar.
Kjo ndodhi sepse hedhja e fishekzjarrëve prej italianëve nga dritaret e shtëpive të tyre më ngjante vetëm me breshëritë e kallashnikovëve. Atë mes nate u përpoqa me mund të madh t’ia mbushja mendjen vetes se kurrkush në Romë nuk po shtinte me armë dhe dritëzat e kuqe që shkëlqenin në qiell nuk ishin aspak plumba gjurmëlënës. Ishte e kotë. Në të vërtetë viti i mbrapshtë 1997 do të më ndiqte nga pas tërë jetën, edhe tani, kur po shkruaj këto rradhë.
Ato çaste në Romë, sapofilluar viti 1998, mbase do t’i përjetoja krejt i pashpresë për të mëkëmbur këtë gjendje të rënuar shpirtërore sikur të mos ngjante një mrekulli. Për mua erdhi si fuqi hyjnore.
Në 17 janar do të mbahej një simpozium për Gjergj Kastriot Skënderbeun, i cili atë ditë mbushte 530 vjetorin e vdekjes në rezistencë të paepur ndaj pushtimit osman. Ky përkujtim ceremonial qe, për shumë arsye, që prej pranisë së arbëreshëve dhe Selisë së Shenjtë të Vatikanit, traditë e vjetër në Romë.

 

Franko Anxhoni, gjenerali i paqes

Gjenerali Franco Angioni

Gjenerali Franco Angioni

17 janari 1998 qe e shtunë. Simpoziumi do të sallës mbahej në një nga sallat e Bankës Kombëtare të Punës (tek Auditorium Banca Nazionale del Lavoro). Pas përfundimit të kumtesave pjesëmarrësit do të shkonin, për të vënë një kurorë, tek monumenti i Gjergj Kastriotit, i cili qe disa dhjetëra metra larg, në Piazza (Sheshin) Albania.
Prej shumë folësve për lexuesin e “Illyria” këtë prag të vitit të ri 2017, do të përshkruaj gjeneralin italian Franko Anxhoni dhe këngëtaren arbëreshe Silvana Likursi.
Shtatlartë, me tipare të harmonishme gjer në bukuri të vërtetë mashkullore, me një tkurrje të lehtë vetullash, lëkurëzeshkët dhe me një gropëz fare të vogël në fund të mjekrës, Anxhoni ato çaste shëmbëlleu me imazhin e Skënderbeut. Gjenerali ishte veshur civil, por edhe pse ai kostum i rrinte hijshëm, të qenit ushtarak i shfaqej në çdo gjest. Kjo e bënte edhe më karizmatik atë italian, të cilin më pas, në fjalën e tij, senatori Xhuzepe Xamberleti do ta quante “një nga njerëzit më të mirë të tokës së tij, Italisë”.
Shqipëria e goditur rëndë kishte nevojë të delte nga trauma kombëtare dhe të ringjallej. Si të kish ndodhur një çudi jashtëtokësore Skënderbeu, në formën e një Komisari të Jashtëzakonshëm, i qe shfaqur mëmëdheut të tij me pamjen e Franko Anxhonit.
Ai foli jo më shumë se tre minuta. Shprehte vetëm kode, mesazhe. Me atë stil telegrafik Anxhoni tha se “Ky takim i sotëm është si një seancë shpirtërore që lidh popujt me shumë histori e që kanë miqësi me rrënjë të thella. Shqipëria dëshmohet se i takon Evropës, fatet tona me këtë qytetërim lidhen, prej tij përcaktojmë rrugën që do të ndjekim”.
Pas kësaj gjenerali italian u ul në vendin e tij në podium. Aty u nguros modestisht, në përpjekje për të mos rënë në sy. Prej pozicionit, ku isha ulur, busti i tij u sinkronizua me atë në sfond, të Skënderbeut, të marrë nga salla e pritjes e ambasadës dhe të vendosur përkohësisht në atë mjedis konferencash të Banca Nazionale del Lavoro.

 

Zëri magjik i Silvana Likursit

Kengetarja Arbereshe Silvana Likursi.

Kengetarja Arbereshe Silvana Likursi.

Arbëreshja Silvana Likursi, duke kërkuar njëmijë herë ndjesë për zërin e saj të cenuar nga një grip i disa ditëve më parë, tha se do të këndonte një rapsodi për vdekjen e Skënderbeut. Pas një pauze të shpejtë ajo filloi të recitonte. Vargjet bënin fjalë për “një ditë të ngarkuar me borë, edhe qielli dukej se do të lotonte, kur mbi shesh u ngrit një kujë, që hyri në të gjitha zemrat e shtëpitë. Ishte Lekë Dukagjini, që me njërën dorë godiste ballin dhe me tjetrën shkulte flokët: “Në gjunjë Shqipëri, zoti tënd baba vdiq këtë mëngjes, Skënderbeu nuk është më!” E dëgjuan shtëpitë dhe u drodhën, e dëgjuan malet dhe u hapën, kambanat e të gjitha kishave filluan të binin për të vdekurin, ndërsa në qiellin e hapur hynte Skënderbeu, i pafati”.
Ndërsa deklamonte këto vargje Likursi u bë hipnotizuese. Mund të recitonte edhe një poemë të tërë dhe para saj në atë sallë të mos e ndjeje fare ekzistencën e kohës.
Në arbërisht vargjet që këndoi bashkëkombësja e lashtë, për nga bukuria stilistike dhe shkëlqimi metaforik, nuk kishin asnjë krahasim me përkthimin italisht që ajo u bëri në fillim. Kështu që italianët e pranishëm në sallë nuk mund ta kuptonin dot, se përveç melodisë, vetë teksti ishte një margaritar i rrallë poetik. Kurse për të ndjerë se sa tronditshëm e kishin përjetuar arbëreshët vdekjen e Gjergj Kastriotit dhe se këtë traumë shekujt nuk e kishin venitur dot, as që bëhej fjalë. Dhimbja qe shumë e vështirë për t’u kuptuar tërësisht edhe nga vetë shqiptarët, të cilët ato çaste po e dëgjonin të pagojë Silvana Likursin.
“Shkoi një ditë mjegulorë”, nisi arbëreshja. Melodia e porsafilluar formalisht qe këngë, përmbante strofat dhe refrenin. Notat e vendosura mbi fjalët rrinin me rregullin e domosdoshëm për atë gjini. Porse realisht ajo që po këndonte Likursi në Romë, në atë paradite të 17 janarit 1998, ishte një e qarë me melodi. Një dënese me muzikë. Një këngë me lot. Një lotim i kënduar.
Sërish Silvana Likursi përsëriti fjalën “mjegulorë” dhe shpejt pasoi klithma “çka ky qielli që vajton”. U përsërit edhe njëherë fjala “vajton”, duke e shqiptuar o-në e fundit si “oi”. Siç bëhet vajtimi i grave shqiptare të ulura në gjunjë para atij që ka ndërruar jetë.
Në pritje të vazhdimit të këngës për vdekjen e Skënderbeut Likursi bëri një pauzë të gjatë sa një ngashërim. Dyvargëshi tjetër erdhi duke përmendur fjalën “shi”.
Pasoi ngashërim i thellë, pothuaj përlotje e plotë. Në fund të saj këngëtarja arbëreshe e fiku ngadalë zërin, si t’i binte të fikët. Vijoi një humbellë heshtjeje. Plumb e rëndë. Një sekondë, dy. Pastaj Silvana Likursi lëshoi kujën “ishte Lekë Dukagjini”, duke treguar për njeriun që me një dorë godiste ballin dhe me tjetrën shkulte flokët. Vargu që vinte më pas, thoshte “Zoti dhe prindi i Arbërisë” dhe menjëherë rënia në ngashërimin ngulçitës “ai vdiq so menatë, Skënderbeu nuk është më”.
Në mbyllje të këngës-vaj, e cila dukej sikur ato çaste përfytyronte rënien mbi tokë të një mjegulle të rëndë, përmendeshin gati përçartshëm “këmbanarët e kishave”. Në fund dhimbja therëse e ndryrë në togfjalëshin me në brendësi qiellin që hapej për të pritur “Skënderbeun e pafan”.
Likursi vajkëndoi sërish: “Skënderbeu i pafan”.
Ngashërimi përmbyllës mbarte si arkivol mbi shpinë vetëm fjalën “i pafan”. Pastaj tri herë “Oi!Oi!Oi!”
Kënga qe mbyllur përfundimisht. Tashmë në notat e saj të fundit nuk kishte më këngë. Ishte qarje e plotë. Vajtim me kujë.

 

Malli që nuk shuhet kurrë, por endet i gjallë nëpër këngë

Skenderbeu, Sheshi Albania, Romë.

Skenderbeu, Sheshi Albania, Romë.

E megjithatë, krejtësisht e mpirë, salla filloi ta duartrokasë. Mjaft gjatë. “Faleminderit!” tha Silvana Likursi me një zë më të bukur se ai me të cilin kishte kënduar. “Më falni, po këndoj pa vegla muzikore. Jam shumë e emocionuar” vijoi me zërin tashmë të veshur vetëm e vetëm nga tinguj. Të shndërruar krejtësisht në melodi.
Fliste sikur i binte një harpe.
“Po të dëshironi, shqiptoi me zërin e saj të magjishëm, unë mund të këndoj atë që, për ekselancë, konsiderohet nga arbëreshët kënga e mërgimit, Morenë”.
Salla e ndiqte me sy, krejt e mekur.
Silvana do ta këndonte atë paradite të 17 janarit 1998 edhe “Moj e bukura Moré”. Para se të ekzekutonte notat e saj të dhimbshme shpjegoi se “Moj e bukura Moré” qe jo vetëm kënga arbëreshe e mërgimit, po edhe ajo e përkatësisë ndaj tokës shqiptare, e dashurisë dhe e mallit për të. “Kënga për Morenë, tha butësisht ajo, është kënga për prindërit, për të dashurit që i ke lënë atje dhe vetë ke marrë rrugën e ikjes nëpër det”. “Moj e bukura Morë” është kënga e origjinës sonë, e identitetit tonë”, shqiptoi Likursi, duke u përpjekur t’i anashkalojë vështrimit të sallës që ndiqte vetëm lëvizjen e buzëve të saj.
Por tashmë shikimi i ngrihej sipër kokave të të pranishmëve. Dukej sikur kërkonte të kapte me vështrim horizontin, të kapërcente kreshtat e maleve, fundet e paana të fushave, të kalonte drurët e pyjeve dhe grykat e luginave, gjersa të mbërrinte me një frymë tek bregu i detit. Aty ku vala shushurinte zëra shekullorë. Atje ku përtej ujërave duhej të ishte bregu arbëror dhe ai epirot.
Pasi u mbush lehtësisht me frymë Silvana Likursi nisi të recitojë: “Moj e bukura Morë, që kur të lashë nuk të kam parë më”. Pastaj tingëlloi: ”Atje është im zot, babai, atje është ime zonjë, nëna. Atje është edhe vëllai im. Dhe të gjithë, që të gjithë, janë nën dhe”. Vazhdoi deklamimin pa melodi të vargjeve: “Moj e bukura Moré, që kur të lashë nuk të kam parë kurrë më”.
Kësaj radhe në vargun përmbyllës të njëjtit fillimvargu të këngës, kushedi përse. Likursi, kishte shtuar fjalën “kurrë”.
Recitimi pati mbaruar.
Para se të fillonte këngën Silvana me mbiemrin e të parëve të saj të mbartur nga kalaja e Lëkurësit, shumë afër Sarandës, bëri një përpjekje të shpejtë për të pastruar zërin. Donte të largonte edhe gjurmën më të vogël të gripit që i kishte kaluar tinëzisht nëpër kordat e zërit. Pasi këndoi vargun e parë “Moj e bukura Morenë…” Likursi katër herë thirri kujshëm “Si të lashë, si të lashë, si të lashë, si të lashë!”
Dhimbjen e ndarjes e futi më pas në çdo fjalë ku kishte një “o”, duke e shumëfishuar atë: “Atje kam unë zoootin tim, atje kam unë zoooonjën nënë”. Pastaj sërish dhimbjen e shpërtheu nëpërmjet përsëritjes “Atje kam, atje kam, gjithë mbuluar, gjithë mbuluar, gjithë mbuluar, ndënë dhe”. Duke e mbyllur këngën gati klithi “Moj e bukuraaaa Morë, si të lë, si të lë, si të të lë!”
Silvana Likursi befas e kishte kapërcyer ngjarjen qindravjeçare dhe po e interpretonte sikur ajo po ndodhte ato çaste.
Sikur po e linin tokën e etërve në sytë e ngrirë të asaj salle, më 17 janar 1998. Mirazhi po ndodhte në sheshin Albania, në Romë, në rrugën Aventino.
Ishte një provë se Gjergj Kastrioti për arbëreshët ishte kodi i jetës së tyre, vetë adn-ja, fillimi dhe mbarimi i botës.
Tek Skënderbeu për ta niste dhe mbaronte ngadhënjimi dhe rrënimi i identitetit nacional, fillimi dhe fundi i vlerës sociale, i gjithë kuptimi i shekujve të tyre në Itali. Ato çaste kur Silvana Likursi imazhin e Moresë e bëri zhgjëndërr në sallën e madhe të Banca Nazionale del Lavoro mund të kuptoje më mirë se në çdo grimë tjetër kohe se nuk mundej kurrsesi të kishte të njëjtin impakt me emrin e Skënderbeut një arbëresh i ikur përtej detit dhe një shqiptar i mbetur në tokën amë.
“Po e mbyll me një këngë jo të trishtueshme”, tha Likursi si me pendim, duke buzëqeshur. “Ajo nuk lidhet me Skënderbeun, por është një krijim që e këndojnë dhe e duan të gjithë arbëreshët e Italisë. Këtë melodi e luajnë edhe bashkëqytetësit e mi të Portekanones, ku kam lindur, në Molise, në provincën e Kampobasos”.
Silvana Likursit iu mbushën sytë me dritë. Përlotja e gjatë që lehtas dhe fshehurisht ia kishte lagur gjer ato çaste bebëzat e zinj e të bukur, u përtha. Fytyra iu çel si të ishte një gjethnajë mbi të cilën, pasi kishte kaluar dimri, po frynte flladi i parë i pranverës. Këngëtarja arbëreshe menjëherë mori pamjen e një vashëze në prag të gjashtëmbëdhjetave.
“Kjo është një këngë dashurie, një këngë fejese, një kënge shprese”. Silvana tashmë fliste gjallërisht, krejtësisht e shpenguar, me sytë që i digjeshin. “Është një këngë që në Arbëri ekziston në forma të ndryshme, por që në thelbin e vet ruan të njëjtën ide: edhe pse Skënderbeu vdiq dhe arbëreshët ndërruan tokën ku patën lindur dhe erdhën në Itali, jeta gjithsesi vazhdoi. Ata vijuan të martoheshin, të bënin fëmijë. Gjithçka rifillon”, shqiptoi ëmbël Likursi, “rinis me dhimbje, me vështirësi, por megjithatë rifillon”.
Silvana vështroi sallën dhe sytë e saj të mëdhenj, me një gaz të hijshëm, e derdhën dritën e tyre mbi pjesëmarrësit në sallë. “Ishte një ditë maji”, recitoi ajo dhe i lëkundi duart në ajër si të ishte mbi një lëndinë ku po vallëzonte. “Ishte një ditë me pak diell, por erë nuk frynte. Hodha sytë në qiell dhe pashë një fajkua, që fliste gjuhën tonë. Ishte një ditë maji me pak diell dhe erë nuk frynte. Vetëm një lule vjollce ishte plot me hijeshi. Zgjata dorën mbi të dhe e mora me gëzim dhe kur mbërrita në shtëpi nëna ime më tha “çfarë lule është kjo”? I thashë “është një lule vjollce plot me hijeshi, e gjeta dhe e mora me gëzim. Ti, o lule e ëndërrt, ti o lule e freskët, tani je e imja. Tani që sytë e mi të vështruan, asnjë tjetër nuk do të ketë guxim të të afrohet”.
Pastaj e nisi melodinë arbërisht. Përdori fjalën “manushaqe”, “zgjata dorën”, “e mora me haré”, “e kur rura për herë parë në shtëpi, mëma më tha, më pyeti mëma çë lule ish, ish manushaqja që unë zgjata dorën me haré”, “ti trendafile, ti je imja, mosnjeri nga qaset kah ti”.
Me zërin që tashmë ishte bërë i dridhshëm si pikë loti Silvana Likursi tha se do t’ia merrte edhe një kënge të tretë. Edhe ajo qe motiv dashurie.
Arbëreshët mbijetuan prej saj.
Likursi nuk e tha këtë, por u nënkuptua. Popullin e emigruar pesëqind vite shkuar e kishte ruajtur nga tjetërsimi latin Skënderbeu dhe dashuria për t’u ringjallur, brez pas brezi, vetëm si arbërorë.

 

Në mbyllje, duke i uruar të gjithë shqiptaro-amerikanët për një 2017 edhe më të bukur

Pas këtij 17 janari 1998 jeta ime shpirtërore në Romë do të ndryshonte dhe do të isha më i ftohtë në rivështrimin e trazirës së motit 1997, njërës nga ngjarjet kombëtare më të papërsëritshme në paudhësinë e ushtrimit të politikës dhe të luftës së brendshme të saj, një dëshmi e rëndë si ajo për interesa cinike pushteti personal hyn në një valë me qarqe antishqiptare fare afër nesh, por edhe ca më tej.
Për fat vitet që do të na ribënin krenarë si popull, siç në motin e Gjergj Kastriotit arbëreshët, do të vinin shpejt, në 1999, me luftën fisnike për çlirimin e Kosovës.
Do ta jetoja këtë në Romë, jo vetëm si devocion, por mbi të gjitha si shërbim ndaj kombit, ashtu siç bënë të gjithë shqiptarët, kudo ku ndodheshin, duke përsëritur një Mot te Madh si dikur të Skënderbeut.

Ylli Polovina

Tiranë, më 27 dhjetor 2016

One Response to “Një gjeneral italian dhe një këngëtare arbëreshe”

Read below or add a comment...

  1. Gjergji nga Hydra says:

    Faleminderit autor Ylli per kete shkrim. Shpirtri i arberit rron.

Comment

*