NJË JAVË E PAHARRUAR NË LUGANO

 -Mbresa nga vizita e parë e një grupi filmi nga Shqipëria, te kompania “Mabetex” e Behgjet Pacollit në Lugano të Zvicrës, në dhjetor të vitit 1993-

 

Nga Fuat Memelli-Boston

 

Si u bë e mundur ky udhëtim?

Sa herë shoh të dalë në televizor biznesmenin e shquar kosovar, Behgjet Pacolli, më shkon mëndja te vizita e bërë te kompania e tij në Lugano në Zvicrës, në dhjetor të vitit 1993. Ishte vizita e parë e një grupi filmi nga Shqipëria. Sot pas 27 vjetësh, vendosa të shkruaj diçka për këtë vizitë të paharruar. Pas viteve ’90, një nga kompanitë që hyri në Shqipëri, ishte ajo e grupit “Mabetex” me themelues dhe president, biznesmenin e njohur kosovar, Behgjet Pacolli. Si shqiptar ai deshte të investonte edhe në Shqipëri. Atë vit kishte sjellë disa kombajna e makineri të tjera bujqësore, të cilat ishin vendosur në ish mjediset e SMT-së së Tiranës. Si gazetar i fushës së bujqësisë, kisha përgatitur 2-3 kronika për veprimtaritë e saj të zhvilluara në Shqipëri. Gjithashtu kisha bërë shkrim te gazeta “Rilindja demokratike” dhe revista “Bujqësia”. Për të ndjekur veprimtarinë e saj në Shqipëri, “Mabetexi” kishte caktuar në Tiranë Vilson Ahmetin. Ky kishte parë publikimet e bëra nga unë. Gjithashtu herë pas here në Shqipëri vinte Hilmiu, njeri afërt i Behgjetit. Edhe këtë e kisha intervistuar.
Një ditë prej ditësh Hilmiu më thotë se në muajin dhjetor ka përvjetorin e katërt grupi “Mabetex” dhe të fton të vish bashkë me tre shokë të tjerë për ta pasqyruar në Shqipëri. U gëzova për këtë ftesë të papritur dhe njoftova drejtorin tim të Qendrës së Informacionit Bujqësor, Sali Çela. Ai njoftoi Hasan Halilin, ministër i Bujqësisë i asaj kohe, i cili miratoi udhëtimin tonë. Me që kameran na e kishte marë ish operatori ynë dhe nuk e kthente në institucion, duhej gjetur një operator, i cili do vinte bashkë me një gazetar. Bisedova me drejtorin e Televizionit të atyre viteve, Qemal Sakajeva, i cili u tregua i gatshëm për të na ndihuar të realizonim këtë udhëtim. Ai caktoi operatorin Arben Çeku dhe gazetar Thoma Tolen. Ftesat m’i dha Vilsoni, i cili ndiqte veprimtarinë e kompanisë në Shqipëri. Me shkresën e ministrit dhe ftesën përkatëse, shkuam të katër në Ambasadën Zvicerane që ndodhej në rrugën e Elbasanit. Dorëzuam pashaportat e pas pak ditësh morëm vizat. Më 20 dhjetor të 1993-shit, u nisëm drejt Zvicrës me linjën “Swissair” që shkonte në Zyrih. Biletat ishin paguar nga kompania.

 

Ditët në Lugano

Në aeroport kishin dalë për të na pritur dy kosovarë të cilët gjithashtu punonin në “Mabetex”. Me makinat e tyre udhëtuam drejt qytetit të Luganos. Na çuan në një hotel të vogël por shumë të bukur. Ishte dimër dhe jashtë kishte dëborë. Të nesërmen shkuam te firma ku na priti presidenti i saj, Behgjet Pacolli. Ai na njohu me historikun e “ Mabetexit” që niste qysh në vitin 1990, punët që kishte bërë në sektorin e projektimit e ndërtimit të objekteve të banimit, atyre industriale, hoteleve e spitaleve në vende të ndryshme të botës e sidomos në ish republikat sovjetike. Një spitali i kishte vënë emrin e vajzës së tij. Na informoi për dëshirën që kishte për të investuar në Shqipëri si për shëmbull në rikonstruksionin e Hotel “Dajtit”, ngritjen e disa rrobaqepsive ku do punësosheshin qindra gra, ngritjen e një aeroporti në zonën e Sarandës për të sjellë turistë si dhe plane të tjera. Na tregoi edhe projektet që kishte në letër për Shqipërinë. Fatkeqësisht propozimet e tij nuk ishin mirëpritur nga qeveria shqiptare e atyre viteve. Na njohu me sektorët e projektimit dhe sektorë të tjerë të kompanisë. Pastaj ai na caktoi një person për të na shoqëruar gjatë filmimit në mjediset e saj, etj.

Ne filluam xhirimet në mjediset e kompanisë ndërsa të nesërmen e intervistuam Behgjetin në zyrën e vet. Kishte një zyrë të madhe në katin e sipërm të ndërtesës. Para se të fillonim intervistën, pamë si ai komunikonte me vende të ndryshme ku punonte firma. Duke e parë si punonte pa ndërprerje dhe jepte urdhëra , m’u duk si një ushtarak madhor që komandon në betejë. Në intervistë foli qartë e rrjedhshëm, pasi ishte bilbil nga goja. Na foli për firmën, për punët e bëra në 18 vende të ndryshme të botës si dhe ambicjet e tij për të investuar në Shqipëri. Na tregoi se kompania e tij kishte restauruar edhe pallatin e Dimrit në Rusi, pas bombardimeve që i kishte bërë Boris Jelcini. Ai e njihte personalisht Jelcinin dhe herë pas here fliste në telefon.

Një mëngjes shkuam për të filmuar nga lart qytetin e Luganos dhe pamje të tjera të tij si liqenin e bukur aty pranë dhe mjelmat që notonin . Ky qytet i përkiste rajonit të Tiçinos, kufizohej me Italinë dhe fliste gjuhën italiane. Qyteti kishte një përzierje kulturash zvicerane dhe italiane, veçanërisht me atë të Lombardisë, gjë që reflektohej në arkitekturë dhe kuzhinë. Kishte gjithësej 68 mijë banorë. Ngjitur me qytetin ishte liqeni i bukur me origjinë akullnajore, i cili kishte emrin Lugano. Ndoshta liqeni i kishte dhënë emrin qytetit. Një ditë tjetër shkuam për të intervistuar kryetarin e bashkisë së Luganos. Aty erdhi me ne edhe Behgjeti. Zyra e kryetarit të bashkisë, na befasoi. Ajo ishte e zbukuruar me mozaikë të ndryshëm me mobilje të veçanta, etj. Pasi na qerasi, filluam intervistën ku ai na foli me superlativa për kompaninë “Mabetex” dhe presidentin e saj , Behgjet Pacolli, duke e vlerësuar kompaninë nga më të rëndësishmet e më korektet të Luganos. Të nesërmen vazhduam përsëri xhirimet, por morëm vesh se Behgjeti ishte shtruar në spital. Nga ngarkesa e punës kishte patur probleme në zemër. Ne shkuam e vizituam në spital duke i thënë që të kujdesej për shëndetin e të qëndronte në spital, siç i kishin rekomanduar mjekët, por ai na tha: “Nesër do dal nga spitali. Nuk mund të ri këtu, pasi unë kam ftuar gjithë ata veta. Duhet të jem me ta”. Dhe ashtu bëri. Të nesërmen ishte me të ftuarit.

Qëndrimi ynë si dhe i të ftuarve të tjerë, pas një qëndrimi nja javor, po mbaronte Natën e fundit ishte organizuar darkë në një restorant të madh buzë liqenit , ku ndodheshin rreth 200 veta të ftuar nga vende të ndryshme të botës, me të cilët kopmpania kishte lidhje. Aty na bëri përshtypje luksi i madh. Lugët dhe pirunjtë ishin të argjënda. Behgjeti përshëndeste pjesëmarrësit në disa gjuhë. Ai fliste gjashtë gjuhë të huaja. Me aritjet e tij por edhe gjuhët që fliste, i befasonte të ftuarit. Pasi kaluam 3-4 orë në restorant, na çuan në një disko, ku këndohej, pihej dhe kërcehej. Ne kishim pirë më parë gjatë darkës por vazhduam të pimë edhe këtu. Ishte hera e parë që ndodheshim në një mjedis të tillë, pasi diskot në Shqipëri, ende nuk kishin “mbirë”. Të nesërmen para nisjes për Shqipëri, kishim në dispozicion disa orë. Kaluam një javë si në ëndërr: filmuam e fotografuam, por u kënaqëm shumë nga pritja dhe organizimi i bukur i gjithë veprimtarisë. Në mëngjes u përshëndetëm më Behgjetin. Ai na falenderoi për punën e bërë e na dhuroi sejcilit nga një orë që mbante firmën “Mabetex”, nga një çantë të bukur prej meshini si dhe nga një televizor me ngjyra . E falenderuam Behgjetin për ftesën, për kohën që na kushtoi e dhuratat që na bëri. Ishte hera e parë në jetën tonë që mernim dhurata të tilla.

 

Një kronikë për ndihmat ndaj Shqipërisë dhe një shqetësim nga dhuruesit

Me që kishim edhe disa orë para se të niseshim për në aeroport, menduam që ta shfrytëzonim atë kohë për të përgatitur veç emisionit edhe ndonjë kronikë. Gjatë ditëve të qëndrimit aty, na kishin thënë se një grup vullnetarësh nën drejtimin e një prifti zviceran, kishin dërguar shumë ndihma në Shqipëri dhe mund ta përgatisnim një kronikë. Me një nga shqiptarët e “Mabetexit” shkuam te shtëpia e priftit ku mblidheshin ndhma për Shqipërinë. Aty gjetëm disa vullnetarë duke paketuar ndihmat në veshmbathje dhe ushqimore. Filmuam punën që bëhej aty dhe intervistuam priftin. Ndër të tjera ai na tha se kishin filluar këtë ndihmë pas informacioneve se Shqipëria e dalë nga regjimi komunist, ishte në vështirësi të mëdha. Ata kishin mbledhur e dërguar në Shqipëri 20 kamionë me ndihma. Kishin dërguar edhe lekë. Ai si dhe vullnetarët e tjerë ishin të pakënaqur sepse nuk kishin marë asnjë dokument nga vendi ynë, për të ditur se ku kishin përfunduar ndihmat e tyre. Prifti kishte edhe një listë të personave shqiptarë, disa në nivele të larta, që kishin marë ndihma por nuk na i tregoi.

Miku kosovar që na shoqëronte, na tha se jo shumë larg Luganos, ishte varri i Aleksandër Moisiut dhe mund ta vizitonim. Ai kishte vdekur në vitin 1935 dhe trupi ishte djegur, ndërsa hiri qe vendosur në një varr përballë liqenit të Luganos. U nisëm për aty dhe kur po afroheshim pamë se varri dukej diku në një kodër. Duke parë orën, shoqëruesi ynë na tha se rezikojmë humbjen e avionit, prandaj duhet të kthehemi. Na mbeti peng që nuk e vizituam dot varrin e aktorit të madh shqiptar me famë botërore. Dy punonjës të firmës na çuan në aeroportin e Zyrihut dhe u nisëm për Shqipëri, pas një vizite që na la mbresa të paharruara. Familjet tona u gëzuan për dhuratat që u sollëm para Vitit të Ri, veçanërisht për televizorin , pasi për herë të parë familjet tona u bënë me televizor më ngjyra. Më parë kishim patur televizor bardhë e zi të prodhuar në Durrës.

 

Në vend të mbylljes

Kanë kaluar rreth 27 vjet qysh atëherë. Kompania, më sakt grupi “Mabetex”, ka ecur shumë përpara duke e shtuar fuqinë ekonomike si dhe investimet nëpër botë. Behgjet Pacolli sot është shqiptari më i pasur në botë. Veç investimeve të bëra në Kosovë, për të kontribuar edhe më shumë për vendin e tij, para disa vjetësh hyri në politikë dhe krijoi Partinë “Aleanca Kosova e re”. Ai është një nga firmëtarët e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Ka qënë zvëndës kryeministër i parë e ministër i Jashtëm si dhe president i Kosovës. Gjatë këtyre viteve e kam parë Behgjet Pacollin të flasë në stacionet televizive të Kosovës si dhe në Shqipëri, sidomos te TV “ Klani”në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut. Qysh kur ishim për vizitë në vitin 1993, nuk e kam takuar më Behgjetin, por e kujtoj gjithëmonë me respekt atë dhe gjithë vizitën e bërë 27 vjet më parë te grupi “Mabetex” në Lugano të Zvicrës.

 

 

Comment

*