Një kardinal shqiptar kundër “dreqit” – në kuvendin vjetor të Vatikanit për eksorcizmin

Vatikani ka organizuar një takim vjetor me 250 eksoricistë për të shqyrtuar mënyra të reja për të luftuar joshjen nga e keqja.
“Daily Beast”, revista e internetit, e cila ka shkruar për këtë ngjarje të pazakontë, është përqendruar në figurën e kardinal shqiptar Ernest Simoni, 89-vjeçar, që thotë se është gjendur qindar herë përballë Djallit dhe së fundi po largon dreqnit edhe nëpërmjet celularit.
Kardinal Simoni mbajti fjalën e hapjes të kuvendit të 13 vjetor të ekzorcistëve, të titulluar “Eksorcizmi dhe Lutja e Çlirimit”, i organizuar nga Universiteti Pontifikal i Vatikanit “Regina Apostolorum”, në qendër të Romës.
Përballë “kolegëve” nga 51 vende të botës, i mbijetuari i madh i komunizmit tregoi, sipas “Daily Beast”, se ai kryen 4-5 çlirime nga djalli në ditë. Ai tha se puna e tij nuk lidhet vetëm me katolikët. Tea i shkojnë edhe shumë myslimanë sepse si shpjegoi kleriku i moshuar, çdokush mund të pushtohet nga djalli.
“Një herë ishte një grua e gjatë. U deshën gjashtë vetë që ta mbanin të ulur në karrike. Pas shumë e shumë orësh mundimi, arrita t’ia dëboj djallin. Ia nxorra dreqnit. Ja kjo është fuqia e Zotit”, tha ai. “Ka miliona njerëz që janë të pushtuar nga Djalli. Por kur Djalli dëgjon fjalën e Zotit, ai tmerrohet”.
Ky Kuvend kundër dreqërve, që i përngjet më shumë ndonjë skenari filmi të Hollivudi, bëhet çdo vit, në Romë dhe kësaj here pjesëmarrja kushtonte 370 dollarë. Seminaret që mbahen gjatë një jave përfshijnë tema të tilla si “Ëngjëj dhe Djaj në Shkrimet e Shenjta dhe Mësimet e Kiëshës” apo “Lidhjet Magjike, Ezoterike, dhe Okulte të Terapive Alernative dhe Energjitike”.
Shumë seanca i kushtohen magjive afrikane, si mallkimi xhuxhu, kulteve afro-amerikane në Amerikën Latine, si dhe simbologjia për të dallyar ritualet satanike.
Po mes folësve ka edhe kriminologjistë, mjekë e psikologë që synojnë të ndihmojnë eksorcistët që të dallojnë mes “të pushtuarve nga djalli” dhe atyre që ka thjesht problem mendore apo edhe keqbërësve që hiqen sikur i detyroi djalli që të bëjnë krime.
Nuk është vështirë të kuptohet se prania e profesionistëve është e detyrueshme, duke qenë se praktikat e çlirimit nga djalli janë kritikuar rëndë në kohët moderne si abuzime fizike ndaj njerëzve të sëmurë apo atyre që refuzojnë ndjekjen e detyruar të traditave familjare e fetare.
Përplasja e modernitetit me praktikat që vijnë nga lashtësia e që mund të kenë rrënjë përpara edhe vetë themelimit të Kishës, ndjek tani nga pas të gjitha aktivitetet si ky kuvend. Jo më kot shumë priftërinj pjesëmarrës u ankuan për fjalët e kardinal Simonit se mund të largosh djallin me celular. Po në kohën e telemjekësisë, praktikat e vjetra kanë konkurrenca të reja. Këmbana më e fortë e kohës është një zile celulari. (Ruben Avxhiu)

Comment

*