Një këshill i përbashkët për bisedimet me Serbinë

Harry Bajraktari

Harry Bajraktari*

Kosovën në muajt e ardhshëm e presin ditë të vështira rreth vazhdimit të bisedimeve politike në mes Prishtinës dhe Beogradit. Këto bisedime me ndërmjetësimin e Bashkësisë Evropiane në Bruksel, pritet të zgjidhin kontestet kryesore që ekzistojnë në mes të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë. Me Serbinë po negociohet më shumë se dy vjet, dhe për një mori çështjesh janë nënshkruar disa marrëveshje nga pala kosovare dhe ajo serbe. Problemi i këtyre marrëveshjeve të arritura, me ndërmjetësimin e Bashkësisë Evropiane, konsiston në faktin se Beogradi nuk po e bën implementimin e tyre, përkundër zotimeve që ka dhënë në Bruksel. Në anën tjetër akuzon Prishtininën për ngecjen e tyre, gjë që nuk është e saktë as e vërtetë. Politika serbe kur është në pyetje çështjeje e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, gjithnjë nxjerrë pretekste të ndryshme, të pa qena për të gjetur diçka që të refuzojë implementimin e tyre, duke i kushtëzuar ato me probleme të tjera të inskenuara.
Nisur nga fakti se dialogu në mes dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, duhet të ketë një fund, e jo zvaritje të pakufishme, tani Bashkësia Evropiane, si duket, do të ndërmerrë hapa më serioz që këto negociata të përfundojnë në vitin 2019, ku do të nënshkruheshin marrëveshjet përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve në mes Prishtinës dhe Beogradit.
Një gjë është e qartë se vazhdimi i dialogut në muajt e ardhshëm do të jetë shumë i vështirë dhe i kompiluar, duke i marrë parasysh pretendimet e Serbisë që të mos e njoh Kosovën si shtet, e në anën tjetër të bëjë përpjekje të hyjë në Bashkësinë Evropiane.
Dukue pasur parasysh situatën aktuale politike rreth dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, unë, me këtë rast, dua të shpreh opinionin tim për domosdoshmërinë për formimin e një Këshill të përbashkët nga të gjitha partitë politike parlamentare, ku do të merrnin përgjegjësinë politike rreth dialogut dhe marrëveshjeve të nënshkruara. Një Këshill të kësaj natyre e pat krijuar edhe ish presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova gjatë bisedimeve në Vjenë që zgjatën nga 2005-2007 nën hudhëheqjen e presidentit Athisari.
Mendoj se në këtë Këshill të përbashkët do të duhej të merrnin pjesë Presidenti, Kryeministri, Kryeparlamentari dhe të gjithë përfaqësuesit e partive politike shqiptare që janë sot në parlament. Vetëm me një pjesëmarrje të tillë do të jemi të fortë dhe të barabartë në bisedimet e zorshme me Serbinë në Bruksel, në të kundërtën, në çfardo mënyre që të nisemi për atje, do të jemi të dobësuar. Kur është çështja shtetëror e kombëtar, kapërcimi i interesave partiake, grupore dhe individuale, është i domosdoshëm. Me asgjë nuk mund të arsytohet refuzimi e ndonjë subjekti politik në këtë situatë.
Çështja e formimit të Bashkësisë së Komunave serbe, ku Bashkësia Europiane ka caktuar një afat, do të jetë ndër problemet e ndërlikuara të këtyre bisedimeve. Derisa Beogradi kërkon qe Asociacioni i Komunave serbe, të ketë kompetenca ekzekutive, Kosova duhet të jetë e prerë që kjo bashkësi komunash të krijohet sipas bazës kushtetuese të Republikës së Kosovës, e jo të lejohet që brenda saj të sajohet një Republikë sebe, si ajo në Bosnje, apo çfardo autonomije tjetër që pretendojnë serbët, veç asaj sipas ligjeve të Kosovës.
Pra ekipi i Kosovës, i formuar sipas kësaj skeme të përbashkët, garanton siguri dhe besushmëri para qytetarëve të Kosovës në këto bisedime me Serbinë, ku Beogradi për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, në fund të dialogut duhet ta njohë shtetein e Kosovës ndërkombëtarisht.

*Autori është veprimtar dhe bisnesmen i njohur i komunitetit shqiptaro-amerken dhe themelues i gazetës Illyria.

New York, 2018

Comment

*