Një kompani polake do ta riaktivizojë minierën e magnezit në Dubovc

Prishtinë, 5 tetor 2018 – Një prej minierave më të vjetra të Kosovës, miniera e Dubovcit të Vushtrrisë, do të funksionalizohet përsëri.

Këtë do ta mundësojë kompania BISEK nga Polonia, me një investim prej 5 milionë eurosh, në 7 vjetët e parë të operimit, raporton KTV.

Sipas kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ky investim do të mundësojë hapjen e mbi 100 vendeve të punës.

“Ky është një prej investimeve më serioze private në fushën e minierave në Kosovë”, tha ai.

Ai ka shtuar së në këtë pjesë të Vushtrrisë, nuk ka asnjë lloj aktiviteti ekonomik, prandaj ky investim do të jetë i mirëseardhur.

Qeveria e Kosovës tashmë ka miratuar shpronësimin e pronave të banorëve në këtë zonë, ndërsa ata shprehen të kënaqur me këtë projekt.

“Çdo invetsim që bëhet, kudo që ai bëhet, është shumë i mirëseardhur. Edhe investimi që bëhet në Minierën e Galicës është i mirëseardhur për ekonominë e vendit”, tha zyrtari i qeverisë.

Fshatrat Dubovc e Galicë njihen për pasuri minerale. Me rifunksionalizimin e kësaj miniere, do të rifillojë prodhimi i magnezit.

Miniera e Dubovcit ka qenë funksionale deri në vitin 1964. Kjo minierë ka qenë e njohur për prodhimtari shumë të lartë të xehes së magnezit, në kohën që ajo drejtohej nga anglezët. (r.m.)

Comment

*