Një kongresist zgjidhet sot në Pennsylvania – provë për betejën e madhe të nëntorit

Nga Ruben Avxhiu

Demokrati Connor Lamb apo republikani Rick Saccone. Një nga dy kandidatët do të zgjidhet sot në zonën e 18 zgjedhore të Pennsylvania-s për në Kongresin Amerikan.
Rezultati do t’u shërbejë analistëve për të debatuar prirjen e votuesit amerikan për nëntorin e këtij viti, kur dy prtitë kryesore do të përplasen për Dhomën e Përfaqësuesve dhe një të tretën e Senatit Amerikan.
Si e do zakoni, partia fituese sonte do ta trumbetojë rezultatin si përfaqësues të vullnetit amerikan në mbarë vendin. Partia humbëse do të thotë se zona nuk është përfaqësuese e Amerikës.

 

Demokratët plot shpresa në territor republikan

Pa ardhur dita e votimit, demokratët kanë kënduar fitore. Arsyeja është se në këtë zonë zgjedhore, Trump e ka mundur rivalen Hillary Clinton me rezultatin e thellë 58% me 39%. Në 2014 dhe 2016, kongresisti Tim Murphy, një republikan e pati fitoren në xhep. Demokratët as që u lodhën për të kandiduar ndokënd.
Atëhere si ka mundësi që tani republikanët janë kaq të trembur se do ta humbin këtë karrike në Dhomën e Përfaqësuesve, saqë vetë Donald Trump la Shtëpinë e Bardhë dhe shkoi në Mun Taunship për një miting zgjedhor. Presidenti i entuziasmoi republikanët e mbledhur. Demokratët u tallën se Trump erdhi për të mburrur veten, jo kandidatin, po organizatorët lokalë shpresojnë se mitingu mund të nxjerrë votuesit republikanë nga letargjia.
Për ata që nuk e dinë vendi në Kongres ka mbetur bosh se ish-kongresisti Tim Murphy u zbulua se kishte një të dashur jashtë martese, të cilën e kishte lënë shtatzënë dhe i kërkonte me ngulm që të abortonte fëmijën, ndonëse ishte zgjedhur kongresist duke bërtitur kundër abortit.
Më shumë se një vit pas zgjedhjes presidenciale ku fitoi Donald Trump, pak gjë ka ndryshuar për banorët e kësaj zone. Demokratët shpresojnë se rënia e entuziasmit, zhgënjimi nga Tim Murphy dhe simpatia për demokrat konservator si Connor Lamb do të përmbysin raportet duke paralajmëruar fitoren e madhe demokrate në nëntor. Edhe një humbje e ngushtë do të konsiderohej fitore nga Demokratët.

 

Një republikan me kostum demokrati

Jo të gjithë Demokratët janë të lumtur me mundësinë e fitores sonte në Pennsylvania. Connor Lamb mund të jetë Demokrat por ai nuk ka ndonjë ndryshim të madh nga konservatorët në shumë pikëpamje. Ai është kundër abortit, është kundër kufizimit të të drejtës për të mbajtur armë. Një ish-marins, prokuror me kredenciale për ashpërsi në luftën kundër krimit, ai nuk ka arsye të trembë votuesin konservator të kësaj zone.
Prandaj zgjedhja e sotme ka rëndësi edhe për një betejë tjetër, atë brenda Partisë Demokrate Amerikane. Shumë progresistë nuk duan që për hir të luftës kundër Donald Trump, demokratët të bëjën kompromis duke afruar kandidatë konservatorë. Sa larg do të lëvizë kufiri?- pyesin ata. A do të jetë hapi tjetër, një demokrat që është kundër emigrantëve e supremacist i bardhë?
Po shumë demokratë të qendrës druhen se fitorja e Donald Trump në 2016 ka mobilizuar masivisht të majtën gjithnjë e më pak liberale amerikane, e cila ka vënë në shënjestër shumë figura liberale të partisë me akuzën se nuk kanë ndonjë dallim shumë të madh nga konsevatorët. Përkundrazi, liberalët e qendrës mendojnë se ekseset majtiste e iliberale të viteve të fundit, kanë sjellë fenomenin Donald Trump.
Zgjedhjet e sotme do të tregojnë edhe nëse progresistët e majtë do të votojnë për Partinë Demokratike kur ajo ka një kandidat konservator apo do të protestojnë duke ndenjur në shtëpi.
Demokratët janë më të fortë në rajonin Allegheny, ku jetojnë edhe një numër shqiptarësh. Qendra e këtij rajoni është qyteti i njohur universitar Pittsburgh. (Ruben Avxhiu)

Comment

*