Një lutje për traditat e mëdha të demokracisë amerikane

Nga Ruben Avxhiu

Që nga themelimi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë frymëzim për gjithë botën. Për popujt që kërkonin liri e sovranitet nga kolonizimi, për njerëzit në kërkim të një fillimi të ri, për të persekutuarit e të përndjekurit në kërkim të një sistemi të drejtë, për ëndrrën e një suksesi ekonomik personal apo si vend e organizatë, e mbi të gjitha për një demokraci të vërtetë liberale.
Edhe kur vetë SHBA çalonte në ndonjë nga këto ideale, imazhi i saj ka shkëlqyer si burim frymëzimi në botë.
Sot, kur demokracia në mbarë botën është duke u tërhequr e regjimet autoritare po rikthehen në modë, venitja dhe rrënimi i traditave të mëdha të demokracisë amerikane janë një lajm i keq për të gjithë botën.
Vetëm në dy-tre ditët e fundit kemi parë sa e sa dëshmi se si këto tradita po sulmohen hapur.
Fjalimi për gjendjen e bashkimit të Shteteve të Amerikës, që presidenti jep përpara Kongresit dhe kombit amerikan u shoqërua me teatralizma që i shkojnë më shumë për shtat formave fillestare të demokracive nga vende me të kaluar diktatoriale, por jo demokracisë më të shquar të botës.
Qysh përpara se të fillonte mbajtja e fjalimit, një numër kongresistësh demokratë deklaruan se do ta bojkotonin ngjarjen, një veprim i paparë. Të pakënaqur me mënyrën se si ishte mbajtur gjykimi i Presidentit Donald Trump në Senatin Amerikan, ata thanë se fjalimi vjetor vetëm sa do të maskonte situatën anormale në vend. Mirëpo, fjalimi është një traditë dhe një institucion. Pjesëmarrja në të nuk është respekt për presidentin aktual po detyrë për të respektuar traditat që po shkërmoqen pikërisht nga ky president. Kongresistët që munguan, të kryesuar, jo për herë të parë nga Alexandria Octavia-Cortez, u bënë palë me presidentin të cilin pretendojnë se po luftojnë, në rrënimin e traditave dhe kulturës së demokracisë amerikane.
Presidenti Trump u shfaq fitimtar në Kongresin që ishte përpjekur ta shkarkonte, pas një procesi në të cilin, ai vetë nga Shtëia e Bardhë, ofendoi sa herë që pati mundësi në mënyrë personale drejtues të pushtetit legjislativ dhe bëri presion të hapur kundër mbajtjes së një procesi normal gjykimi.
Po pavarësisht nga këto, ai meritonte të prezantohej në mënyrë të plotë dhe sipas traditës nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi. Kjo e fundit i devijoi traditës për të mos nderuar njeriun që e ka fyer. Por, ajo, të paktën, pasi mori një kopje të fjalimit sipas traditës, ia zgjati dorën Presidenti për ta përshëndetur. Ishte një moment për dorështrëngim para kombit. Mirëpo, Presidenti Trump, i cili as kur fiton nuk heq dot dorë nga veprimet e tij të papjekura e me mungesë të theksuar serioziteti, refuzoi që t’ia jepte dorën në publik.
Fjalimi vetë ishte i mirë dhe me temp optimist, një frymë për të cilën ka shumë nevojë kombi amerikan. Po ai ishte i zbrazët nga reflektimi dhe injorues ndaj nevojës tjetër të madhe kombëtare amerikane për pajtim e zbutje të konflikteve politike e ideologjike, për rikthim të besimit të institucionet.
Në fund, nga droja se mos kishte mbetur pas në garën e shëmtuar të teatralizmave boshe e sipërfaqësore të politikës së re, në kohën e Tuitërit dhe Fejbukut, Kryetarja Pelosi, në mënyrë demonstrative grisi kopjen e fjalimit. Një akt që gëzoi vetëm militantët e partisë së saj. Ironia është që këta të fundit janë po ata që duan ta rrëzojnë Kryetaren, e që nuk do të pajtohen kurrë me të, pavarësisht nga aprovimi i këtij gjesti të shëmtuar.
Ka shumë pak sot në politikën amerikane për të pasur shpresë.
Pavarësisht se çfarë mendoni për Presidentin Trump, një përpjekje për rrëzim nëpërmjet padisë në Kongres, të mbetur plotësisht në vija partiake, nuk kishte si të sillte sukses. Madje as nuk duhej provuar. Pelosi dhe drejtuesit demokratë në Kongres humbën betejën me të rinjtë radikalë, të cilët luftën e vërtetë e kanë me brezin e moshuar dhe të moderuar të partisë së tyre dhe jo me cirkun republikan në Shtëpinë e Bardhë.
Sot, Presidenti Trump, përdori Mëngjezin Kombëtar të Lutjes dhe ngjarje të tjera në Washington për të shfryrë kundër kundërshtarëve që u përpoqën ta rrëzojnë e duke u ankuar si viktimë e përjetshme. Kjo sjellje ndryshon shumë nga ajo e Bill Clinton, 20 vjet më parë, i cili pasi i shpëtoi shkarkimit në Senat, u soll në mënyrë modeste e mirënjohëse. Nuk i kërcënoi ata që votuan kundër por tha se do të bashkëpunonte me ta, sepse ai që kërkon falje, duhet të dijë edhe të falë. Ai falenderoi Amerikën që i dha një mundësi të dytë që të jetë ende President.
Trump nuk është Clinton, po as Partia e sotme Demokrate nuk është ajo e njëzet viteve më parë. Po zhduken me shpejtësi aradhat e republikanëve liberalë dhe demokratëve konservatorë, ato qënie që dikur më kanë frymëzuar e më kanë bërë që ta adhuroj politikën amerikane. Mjerë kush guxon të mos u bindet turmave radikale në rrjetet sociale, në një vend që dikur ndryshe nga pjesa më e madhe botës diti t’u rezistojë njëkohësisht joshjes së komunizmit e fashizmit.
Asnjë President nuk duhet të shkarkohet nga Kongresi përveçse në raste jashtëzakonisht të skajshme. Nëse e duam vërtet demokracinë amerikane, atë të drejtë duhet ta ketë vetëm populli amerikan. Po nga ana tjetër, kreu i Shtëpisë së Bardhë, që kujton se dielli rrotullohet rreth tij, duhet të shmangë sjelljen prej arroganti e mosmirënjohësi e duhet të mësojë nga vetëpërmbajtja e urtësia e presidentëve amerikanë në histori. Të ndjejë më në fund, mbi supe, përgjegjësinë dhe barrën e historisë. Të jetë mirënjohës ndaj Amerikës për shansin që i ka dhënë e jo të sillet sikur ia kemi të gjithë për detyrë që t’i puthim unazën.
Në fund, askush nuk mund të ketë më shumë frikë nga ky zgjyrim i traditave të demokracisë së madhe amerikane sesa ne shqiptarët e Amerikës. Që dimë dhe e mbajmë mend mirë se çfarë kemi lënë pas. Që e njohim mirë këtë lojë të papërgjegjshme politikanësh të cilët vendosin veten dhe partinë përpara kombit. Që druhemi se rrënimi i demokracisë këtu do të na heqë spirancën nga mbahen përpjekjet për demokraci në gjithë botën përfshi edhe në botën shqiptare. E druhemi sepse qendrueshmëria e begatia, paqja e siguria e miliona vetëve në Ballkan varen drejtpërdrejtë nga një SHBA parimore, e angazhuar dhe largpamëse. Një Amerikë që nuk mbytet nga një furtunë në gotë. Me një vizion botëror që nuk varet nga humori i ditës i mbretit me kurorë, po nga një sistem vlerash e mekanizma shtetërorë e joshtetërorë, që nuk preken nga dallgët politike të ditës.
Potenciali i Shteteve të Bshkuara të Amerikës mbetet i jashtëzakonshëm. Presidenti Trump ende ka mundësi të bëjë punë që t’i shërbejnë kombit amerikan e mbarë botës në mënyrë të jashtëzakonshme. Partia Demokrate ende ka figura e rryma që janë roje të vlerave më të mëdha të liberalizmit e dinjitetit e lirisë së individit. Konservatorët ende mund të mbajnë të ankoruar Partinë Republikane. Mbi të gjitha shoqëria amerikane ende ka burime të mëdha për t’i rezistuar partizanizmit, kultit të individit, mbytjes së fjalës së lirë, apo censurës së pavarësisë dhe disidencës.
Nëse ka pasur diçka për t’u lutur në Mëngjesin e sotëm të Lutjes, në Washington, kjo ka qenë. Aty, në sallën ku gjithmonë kemi pritur që të luten për Shqipërinë, sot vetëm duam që Zoti, apo fati, apo njerëzit ta shpëtojnë demokracinë amerikane. Që pishtari i Statujës së Lirisë të mbetet ndezur. Ashtu qoftë!

3 Responses to “Një lutje për traditat e mëdha të demokracisë amerikane”

Read below or add a comment...

  1. Llazar Vero says:

    Veczanerisht KJO analize e sinqerte, e mencur, profesionale e vendos emrin tuaj ne krye te gazetareve me te mire shqiptare..Na ben te gjitheve krenare.Urime!

  2. fteri says:

    Kur i vjen fundi njeriut ,ai ngjitet në botën e shtatë të lumturisë .Edhe Trumpit kështu i duket vetja si fitimtar,por në fakt ai e ka acaruar mardhanjet me europn,ndryshe nga Klinton apo Obama që ishin shumë më me këmbë në tokë e real..

    • sami repishti, PhD. says:

      Falemnderit Ruben per kete shkrim ndriçues e qendrimmin tand td drejte per gjendjen politike te SHBA-se sot. Me kujtohet thanja e Edmund Burke-s, britanikut mendjendritun,” Per te keqen me fitue, mjafton qe njerezit e mire te mos bajne gja fare”. Ka ardhe koha per mobilizim te te gjithe qytetareve te ndershem me u nrgite e me dhane voten e tyne te rezistences ne nandorin qe vjen.

Comment

*