Një “Mace e zezë“ në stadium

Qerim Vrioni

Pak historik mbi fotografinë e sportit në vend

 

Fotografia e sportit, përgjithësisht përbën një degë të fotogazetarisë. Historikisht në botë, “fotografia e sportit ka bërë një rrugë të gjatë qysh prej analizave të hershmë të Muybridge me vrapimet e kuajve”(Ang Tom–Photography-The definitive visual history—DK, New York, 2014, f.356). Fotografia e parë shqiptare me këtë temë (me të dhënat e deritanishme) daton tetorin e vitit 1913. Në foto paraqiten në fushën e lojës dy skuadra futbolli, ajo e ushtrisë Austro-hungareze (të dislokuar në veri të vendit) dhe skuadrës së Shkodrës, “Indipendencia” të rreshtuara para një ndeshje midis tyre. Autori i fotos mbahet mjeshtri aparatit, Kel Marubi (Marubi—Njerëz në Za e sende të kujdesshme—Fototeka Kombëtare Marubi, Shkodër, 2012, f.292). Më pas, në lamin e fotografisë së sportit u pasqyrua gjerësisht edhe Rrethi i parë çiklistik i vendit (mundet i pari në Europë) në vitin 1925 nga fotografi Shan Pici, me shumë gjasa, fotoreporteri i parë sportiv shqiptar (Shan Pici—Fotografi i dritës—Gazeta “Shqip”, 24 dhjetor 2013). Përveç këtyre foto sporti kanë realizuar edhe Kol Maca, Gegë Marubi e Ymer Bali.

Më 28 nëntor 1935 nisi publikimin në Tiranë e përjavëshmja e quajtur “Sporti Shqiptar”, ku veprimtaritë sportive shoqëroheshin edhe me fotografitë përkatëse, kryesisht të vendit. Gjithashtu, mjaft foto sportive janë botuar në atë kohë edhe në revistat e njohura politiko-shoqërore “Minerva”, “Java” etj. Pas vitit 1944, nisi botimin në Tiranë, gazeta javore “Sporti Popullor”(më pas dy herë në javë), që shoqërohej vazhdimisht me foto sportive, sidomos të fotografëve si Prokop Kureta, Enver Shabani, Adnand Hyka etj. Ky i fundit ka hapur, me gjasë, të parën ekspozitë të fotografisë sportive shqiptare (kryesisht të futbollit) në Tiranë në vitin 1998, veçse pa jehonën e duhur për ngjarje të tilla. Gjithsesi, mendohet se fotografia më e njohur dhe e vlerësuar shqiptare sportive, brenda dhe jashtë vendit, mbetet ajo e fotografit Petrit Kumi, e titulluar “Macja e zezë“e vitit 1961. Ato kohë, Kumi punonte pranë ATSH, si fotoreporter, por jo i mirëfilltë i sportit.

 

Petrit Kumi

Petrit Kumi, 25 dhjetor 2014.

Petrit Kumi, autori i fotos së mësipërme, është lindur në Elbasan më 20 maj 1930. Në mesin e viteve ’50 mbaroi Liceun Artistik “Jordan Misja” për pikturë, ndërkohë që gjatë kohështrirjes 1953-54, shërbeu si fotoreporter i revistës “Miqësia” e, prej vitit 1960 deri më 1964, Kumi gjendet i punësuar në ATSH. (Velaj Olimbi—Fotografia, në kufi të dy epokave—Revista “Spektër”, korrik, 2005, f.43). Në atë kohë sektori i fotografisë aty ishte kthyer në një shkollë për fotogazetarinë shqiptare, ku të rinjtë mësonin nga përvoja e më të vjetërve si, Jani Ristani, Refik Veseli dhe Mehmet Kallfa. Më pas, Kumi fillon punë si fotoreporter te revista e përmuajshme politiko-shoqërore, “Ylli”, me mundësi të shumta për të shpalosur aftësitë dhe talentin e tij si fotograf. Aty, Kumi vazhdoi deri në vitin 1988, një ndërkohë kjo mjaft e ngarkuar dhe frutdhënëse për të. Në fund të viteve ’80, ai merr detyrën e përgjegjësit të laboratorit të ATSH, deri më 1991, kur del në pension. Më pas krijon Shoqërinë fotografike familjare “Kumi-foto” me ekspozita dhe shërbime fotografike të teknologjisë digjitale.

Në krijimtarinë e Kumit, dallohet tendenca e trajtimit të temave politiko-shoqërore të kohës me sensin e artistit, gjetja e pikës më të përshtatshme të fotografimit, kuadrimi i goditur dhe raporti I goditur i parametrave teknikë. Puna e tij është përmbledhur në disa albume, si “Në Kosovë” (1986), por sidoqoftë, më gjithëpërfshirës mbetet ai i vitit 2013 me titull “Jeta përmes objektivit”, ku shpaloset ajka e krijimtarisë së tij mbi 60 vjeçare. Një kapitull aty i kushtohet vetëm pasqyrimit të veprimtarive sportive, ku përfshihet edhe fotoja e jonë.

Fotografia “Macja e zezë“ është vlerësuar me “Medalje Nderi” për fotografinë sportive në Konkursin Ndërkombëtar “World Press Photo” të vitit 1961 në Moskë. Një vit më herët, më 1960 në Beograd, Petrit Kumi është nderuar me “Diplomë”, për foton “Brigjeve të Adriatikut” (1959) në konkursin ndërkombëtar të talenteve të reja të fotografisë. Petrit Kumi, mbetet një nga figurat më të njohura të fotogazetarisë shqiptare, ai mban titullin “Artist i Merituar” dhe vlerësimin “Mjeshtër i Madh” i Republikës së Shqipërisë.

 

Personazhet e fotografisë

Tre janë personazhet kryesor të fotos (përveç të katërtit… topit të futbollit), portieri kavajas Shefqet Topi, mbrojtësi po kavajas Nazmi Maxhuni dhe sulmuesi tiranas, Bahri Ishka, të tre me karriera të spikatura në kampinatet shqiptare të futbollit. Natyrisht, qëndra e fotos i takon portierit Topi, pas tij Maxhunit dhe i treti Ishka, në pjesën e djathtë fotos.

Shefqet Topi (Kavajë,1934-Kavajë,1998)-Ka luajtur kohën më të gjatë si portier i skuadrës “Besa” e Kavajës për disa vite me rradhë, i shquar për pritje spektakolare. Fillimisht ka luajtur me skuadrën “Partizani”(1956-1958), mandej me ekipin kavajas deri nga fillimi i viteve ’70, kur ndërpreu pjesëmarrjen zyrtare në sportin e futbollit. Topi është aktivizuar dy herë me Kombëtaren e Shqipërisë, ku veçohet ajo ku skuadra jonë fitoi për herë të parë në kualifikimet europiane dhe botërore, në ndeshjen me Danimarkën, 1:0 në Tirane, më 30 tetor 1963.

 Nazmi Maxhuni (Kavajë, 1938-Durrës, 2014)-Mbrojtës, fillimisht i aktivizuar me skuadrën e qytetit të lindjes, më pas me atë fqinje, “Lokomotiva” e Durrësit. Ai ka luajtur me qindra ndeshje kombëtare dhe 8 ndërkombëtare me “Besën” dhe “Lokomotivën”. Shquhej për trupin e tij të gjatë, të fortë e të shpejtë, që përgjithësisht u krijonte vështirësi sulmuesve kundërshtarë për të gjetur portën pas tij. Pas lënies së futbollit, Maxhuni, si tifoz i thekur gjerman, në vitet ’90, krijoi në Durrës Shoqatën e Futbollit “Gerd Myler”, për nder të golashënuesit të njohur gjermano-perëndimor të viteve ‘70. Ai u dallua edhe në lëvizjen për demokraci në fillim të viteve ’90 në qytetin e Durrësit, shtojmë se Nëna e tij ishte vajza e atdhetarit të shquar, Isa Boletini.

 Bahri Ishka (Tiranë, 1944-Tiranë, 2007)-Sulmues i ekipit të “17 Nëndori” i Tiranës qysh prej moshës 17-18 vjeçare. Së toku me mjaft bashkëmoshatarë të tij, krijuan shenjzën e njohur të futbollit tiranas shumë të suksesshëm të fundit të viteve ’60, që i dha tonin këtij sporti. Ka luajtur rreth 300 ndeshje, më e veçanta ajo me “Ajax” e Amsterdamit, në Tiranë më 1970 me rezultatin 2:2, hollandezët atëherë ishin jashtëtoksorë në futbollin europian. Me ekipin kombëtar, Ishka është aktivizuar 3 herë. Pas lënies së futbollit si lojtar, më 1972, ai u kthye në studjues shkencor sportiv për këtë lojë kaq popullore, fushë ku mori gradën Prof.Dr. Ndërkohë u aktivizua edhe si trajner futbolli.

Fatëkeqësisht, asnjë nga të tre personazhet e fotos tonë, tani nuk jeton më, por në sajë të fotografisë së njohur “Macja e Zezë“ të mjeshtrit Petrit Kumi, ata jetojnë para syve të mijra shikuesve të fotos. Madje, ata do të kujtohen jo vetëm nga bashkëkohësit dhe të njohurit e tyre, por edhe nga brezat e ardhshëm, dashamirë të lojës top-kamb, sidomos për lidhjen midis tyre dhe topit në minutën ‘28 të ndeshjes.

 

Minuta e 28

Botimi i pare i fotos, 1 mars 1961.

Kjo fotografi, është e njohur me titullin metaforik, “Macja e zezë“. Vet Kumi shprehet (bisedë, 15.9.2016) se “e kishte dëgjuar këtë pagëzim nga komentatori i njohur i futbollit, Anton Mazreku, gjatë transmetimeve të ndeshjeve në Radio Tirana”. Atij i ishte dukur mjaft i përshtatshëm për foton me Shefqet Topin. “E titullova kështu, dhe emërtimi doli shumë i mbarë“. Fotoja është realizuar gjatë ndeshjes së javës së parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit të vitit 1961 në Stadiumin “Dinamo” (sot Selman Stërmasi) të kryeqytetit në datën 26 shkurt 1961 ndërmjet skuadrave të kategorisë së parë, ”17 Nëntori” i Tiranës dhe “Besa”e Kavajës. Sipas një shkrimi mbresëlënës të mikut tim, gazetarit shumë të njohur sportiv Besnik Dizdari në gazetën “Panorama” (3 shkurt 2016), nga i cili janë marrë mjaft të dhëna për ndeshjen, e cila përfundoi 1:0 për tiranasit. Pak ditë pas ndeshjes, fotografia u botua në faqen e parë të numrit të datës 1 mars 1961, të gazetës “Sporti Popullor”. Sipas Dizdarit, fotoja pasqyron një pritje spektakolare të portierit Shefqet Topi, në minutën e 28 të pjesës së parë të ndeshjes. Topi i futbollit i kapur mjeshtërisht me një hedhje-pritje , ndoshta historike, nga portieri kavajas, sipas Petrit Kumit, është gjuajtur nga sulmuesi e më vonë traineri i Tiranës, Enver Shehu.

Mjeshtri Kumi, flet gjerë e gjatë për këtë fotografi me një kujtesë të freskët. Ndër të tjera ai shton se “ato kohë portieri Shefqet Topi shquhej për ato lloj hedhje të veçanta dhe e kam ndjekur disa javë për ta fotografuar. Unë nuk shihja ndeshjen, por prisja rastin kur të gjuanin sulmuesit dhe ai të bënte pritjen e unë ta fotografoja”. Synimi i fotografit ishte largëpamës, ndoshta ai mendonte se pritjet akrobatike (që në të vërtetë zgjasnin fare pak sekonda) të Topit nëpërmjet fotografimit të tij, të përjetësoheshin për shikues të shumtë e me numër të pafundmë (magjija e fotografisë…). Ai vazhdon, se “fotografia nuk ishte rastësi , mbasi ai kish kohë që mendonte për të, por ndoshta rastësi ishte se fotoja u arrit vetëm me një shkrepje”, gjë fare e rrallë në fotografi.

Aparati i përdorur ishte “Praktica”, prodhuar në ish-Gjermaninë Lindore (DDR), nga ku vinin edhe filmat. Fotografia është me teknikën bardhë e zi dhe është mjaft e pastër teknikisht, ndonëse përngrinë një çast të një lëvizje të shpejt. Fotografi ka mundur të gjej me sukses raportin më të mirë ndërmjet madhësisë së hapjes së diafragmës dhe kohës së mbajtjes çelur të obturatorit. Natyrisht e mbarë ka rezultuar vendvendosja e fotografit dhe kuadrimi i pamjes. Në qëndrën optike (gjeometrike) të fotos ndodhet mbrojtësi Maxhuni, ndërsa qëndra e vërtetë, të themi kuptimore ose e rëndesës, e fotografisë mbetet trupi i portierit Topi. Pra në foto, qëndra gjeometrike dhe ajo kuptimore nuk përputhen me njera-tjetrën e, shikimi lëviz horizontalisht sa nga njeri tek tjetri, diçka më gjatë mbetet te njolla e zezë e trupit të portierit (ato kohë kostumi i portierëve ishte p]rgjithësisht i zi). Sfondi i fotos ka dy pjesë, tribunën me spektatorët dhe qiellin mbi ta. Spektatorët përbëjnë një rresht të gjatë, thuajse horizontal, që pret të gjithë foton, gama e tij është e përafërt me atë të fushës së lojës. Dita ishte plotë diell, prandaj qielli është fare i pastër në foto, po me një të hirtë neutrale. Kjo i shkon mirë fotos në krahasim me një qiell me re e dramatik, që do çvendoste përqëndrimin e shikuesit edhe te to.

Nuk mendojmë se do kishte dalë më mbresëlënëse fotoja nëse do ishte me ngjyra, përkundrazi, shpesh këto foto (me ngjyra) të kthyera në b/z, kanë dalë më të goditura e me më tepër vlera estetike e ndjesore. Po ashtu, sfondi qiellor, e nxjerr shumë në pah figurën e portierit duke kapur topin, me një kontrast thuajse të plotë bardhë e zi. Çasti i mbarë (ose siç e quan mjeshtri Cartier-Bresson, çasti vendimtar) i shkrepjes e ka gjetur portierin në pikën kulmore të hedhjes, sepse nëse do të ishte kapur ndonjë të dhjetë të sekondës para ose pas, trupi do kishte për sfond tribunën e spektatorëve dhe nuk fotoja nuk do kishte këtë kontrast tonal kaq interesant. Hijeshinë e imazhit fotografik e ndihmon edhe bluza dhe getat me vija (tip zebre) të Maxhunit për t’i shtuar joshjen, po ashtu edhe hyrja (njolla e bardhë) e spektatorëve në të djathtë të shikuesit të saj.

Fotografia “Macja e Zezë“ e Petrit Kumit, hynë në gjininë e fotografisë sportive, por ngërthen edhe vlera të veçanta estetike e dokumentare. Ajo mbetet, siç u tha edhe më sipër, njëkohësisht fotografia sportive më e njohur shqiptare brenda e jashtë vendit (deri tani), ose më ndryshe, një ikonë e vërtetë e saj. Natyrisht, edhe fati deshi që në atë ndeshje, Petrit Kumi të mos fotografonte ndonjë gol, që përbën pikën kulmore në lojën e futbollit gjithashtu edhe ëndrën e çdo fotografi, por të kapte një hedhje-pritje të rrallë në një foto të pazakontë sportive, madje edhe vetëm me një shkrepje. Kështu, ajo do mbetet gjatë në kujtesën e dashamirëve të futbollit, por edhe të fotografisë, duke fituar edhe një vend të merituar në Historinë e Fotografisë Shqiptare.

Qerim Vrioni

Sporti Popullor, 1 mars 1961

Gjimnastike artistike, 1968- Foto Kumi

One Response to “Një “Mace e zezë“ në stadium”

Read below or add a comment...

  1. Vrioni mban gjalle vlerat e fotove thuajse te harruara says:

    Urime Qerim Vrioni,
    duke vleresuar pasionin dhe talentin e
    Petrit Kumit, Vrioni, me kete shkrim, nxjerr nga
    pluhuri i harreses keto fotografi me vlera te
    shumta te artit fotografik shqiptar, pavaresisht
    se ne c’kohe, kushte e mjete jane krijuar.
    Eshte ky lloj arti, i cili, megjithese shijohet
    nga shikuesit, vazhdon te mbetet ende
    i pavleresuar.
    a.

Comment

*