Një palë çorape për të nderuar mikun që erdhi për vizitë

“Më erdhi një mik i madh për të më takuar sot”, shkroi në rrjetin shoqëror Tuitër, ish-presidenti amerikan George HB Bush.
Miku ishte ish-Presidenti tjetër amerikan, Bill Clinton.
“Për fat të mirë kisha një palë çorape të lara me fytyrën e Bill Clintonit për të nderuar ngjarjen e shënuar”, shtoi me humor Bushi i Vjetër.
Në fotografinë shoqëruese më lart, që krijoi humor në rrjet, Bill Clinton është përkulur duke ia përveshur palën e pantallonave që dalin në pah çorapet me fytyrën e tij.
Clinton, një demokrat nga Arkansasi, e mundi Presidentin republikan Bush në zgjedhjet presidenciale të vitet 1992. Mirëpo, të dy janë bërë shokë të ngushtë e bashkëpjesëmarrës në shumë veprimtari humanitare të përbashkëta në dy dekadat e fundit.
Miqësia mes tyre, është pjesë e një tradite të bukur amerikane që shumë vëzhgues shpresojnë që të mos humbasë.
“Tani është autor shumë i lexuar”, tha Bush me shpoti për ish-Presidentin Clinton që këtë verë ka botuar një roman të verdhë, në të cilin Presidenti i Shteteve të Bashkuara papritmas zhduket dhe askush nuk e di se ku ndodhet. (Ruben Avxhiu)

Comment

*