Një pllakë përkujtimore për Parlamentin e parë shqiptar

Qerim Vrioni

Disa vite më parë shoqëroja një mik italian nëpër  Vlorë e, sidomos në pikat simbol të qytetit. Kështu, pas Kuzumbabasë, shkuam në Kaninë, tek Muzeu i Pavarësisë, te kompleksi i Sheshit të Flamurit, Vendprehja e Ismail Qemalit, Obelisku i Flamurit, Monumenti i Pavarësisë, vizituam Zvërnecin etj.  Aty nga fundi i kohës së qendrimit  në qytet, miku i kënaqur më kërkoi që t’i tregoja shtëpinë më të vjetër në Vlorë. Sigurisht ai mendonte, se përveç përcaktimit, ajo do kishte edhe një pllakë të vogël bronxi në një nga muret e saj që të shënonte afërsisht moshën e saj. Ngrita supet pa ditur t’i jap përgjigje të saktë. Italiani nisi të rendisi arsyet pse përcaktimi i shtëpisë (ose një nga shtëpitë më të vjetra) më të hershme të qytetit historik (por njëkohësisht edhe të çdo qytetit tjetër), ishte i nevojshëm. Pllakat përkujtimore, sipas tij, ishin shenja dëshmuese për jetë të zhvilluar dhe me veprimtari politike, shoqërore, kulturore, fetare të një qyteti a qendre të banuar. Nuk kisha ç’ti thosha më shumë mikut dhe i kapur disi ngusht, me takt ndërrova shinat e bisedës. Sidomos, u befasova kur ai tha se historinë e një qyteti (edhe shteti-shtova me mendje) e përbëjnë edhe ndërtesat e vjetra, madje me to preket drejtpërdrejtë ajo.

Disa vite pas kësaj, duke u marrë me Fotografinë Shqiptare, kalova nëpër duar edhe shumë foto historike të vendit qysh prej fillimit të shekullit të shkuar. Ndër to, mbresëlënëse janë fotot e festimit të Përvjetorit të parë të Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, ato që pasqyrojnë ardhjen e Qeverisë (Regjencës siç quhej atëherë) të zgjedhur nga Kongresi i Lushnjes (21-31 janar 1920) në Tiranë (shkurt 1920), në kryeqytetin e sapocaktuar, e pak vite më pas foto të parlamentit të ri me disa deputetë, burra hijerëndë, para hyrjes së tij. Këto të fundit të dala nga aparatet e fotografëve të njohur të kohës si Kel dhe Gegë Marubi, Ymer Bali, Shan Pici, Kolë Maca etj. Në pjesën qëndrore të fasadës së ndërtesës atëherë shkruhej me gërma të mëdha kapitale : ”PARLAMENTI”.

Këshilli Kombëtar (Parlamenti) i zgjedhur nga Kongresi i Lushnjes, “u mblodh në seancën e parë në Tiranë në shtëpinë e Zija bej Toptanit”, e cila u shndërua përkohësisht në selinë e Parlamentit Shqiptar. Më 1925, ky Këshill i përbërë tashmë nga dy dhoma, Senati dhe Dhoma e Deputetëve, u çvendos nga kjo shtëpi për te ngrehina që shërbeu për Parlamentin Shqiptar deri në vitin 1944. Pas këtij viti ndërtesa ka pasur disa funksione  deri sa “gjatë ndërkohës 1996-2000, u kthye në selinë e Këshillit Bashkiak të Tiranës “(tek e fundit funksion i përngjajshëm dhe i përligjshëm me origjinën). Pas këtij viti aty u vendos Teatri i Kukullave….Më pas “u pëshpërit mjaft për ta kthyer në një Muze të Parlamentarizmit Shqiptar” (siç kanë kthyer në Vlorë prej kohësh Selinë e Qeverisë së Ismail Qemalit në Muze të Pavarësisë), por jo, madje u “ndërhy duke e dëmtuar godinën e vjetër”. (Nga “Gazmend Bakiu—Tirana e vjetër-Tiranë, 2013”).

Pas Ndërtesës së Qeverisë së Ismail Qemalit (mars 1913-janar 1914) në Skelë, ku siç u cek, sot është Muzeu i Pavarësisë (një nderim shumë i merituar i historisë), ish-Parlamenti i asaj kohe (sot Teatri i Kukllave), me sa dijmë, mbetet derit tani, selia e institucionit më e vjetër  shtetëror shqiptar në vendin tonë. Për këtë, kjo ndërtesë mendoj se duhet të ketë një trajtim të veçantë nga shteti shqiptar, për nderim, por edhe për ta dalluar nga ngrehina të tjera të shumta të Tiranës.

Nuk po kërkohet që të zhvendoset Teatri i Kukullave (ndoshta edhe kjo mund të bëhej), por të paktën t’i njihet ndërtesës me arkitekturë të veçantë merita se dikur ajo ka shërbyer si vendi ku, për herë të parë, vet shqiptarët hodhën themelet e shtetit të tyre modern mbi baza ligjore ndërkombëtare dhe frymë atdhetare.

Gjithashtu, nuk dijmë saktë (ndjesë për njohuritë e mangëta) a ndodhet apo jo në Zonën e Mbrojtur arkitektonike të kryeqytetit kjo ndërtesë e vjetër dhe, nëse jo, nuk mendoj se duhet të ketë arsye të forta për këtë.

Në të vërtetë, Selia e Parlamentit të parë, jo vetëm një pllakë përkujtimore nuk ka (nuk bëhet ndonjë hata po të vendoset), por shumë rrallë përmendet në shtyp ose në botime me funksionin e saj zanafillas, atë që i jep vend të mënjanshëm midis shumë ndërtesave të vjetra dhe të reja të Tiranës.

Për mungesën e kësaj pllake, nuk meritojnë lëvdata të gjithë ministrat e kulturës të qeverive shqiptare të pas vitit 1991. Po ashtu nuk u takojnë dafina nderimi as kryetarëve të Kuvendit të Shqipërisë (pasardhësi i Parlamentit të parë), gjithmonë të viteve pas rrëzimit të diktaturës komuniste. Duke e ulur edhe më poshtë stekën e përgjegjësisë, nuk mund të mos qortohen Drejtorat e Institutit të Monumenteve. Natyrisht dorëjashtë në këtë gjendje të pakëndshme (për mendimin tim) të ndërtesës, nuk janë edhe historianët me grada shkencore e tituj të shumtë nderi. Ndonjëherë edhe mosveprimi në kohën e duhur përbën gabim me pasoja për të ardhmen..

Për pak vite, kjo ndërtesë që për shumë kohë (afro 20 vjet) ka funksionuar si Parlamenti i  parë Shqiptar mbush plot një shekull jetë, e ndoshta e meriton, të paktën, një pllakë të vogël bronxi me disa fjalë si psh. Monument Historik-Mbrohet nga Shteti ose edhe Këtu ka zhvilluar punimet Parlamenti i parë shqiptar nga viti 1923 deri në 1939. Ndoshta nga ana ekonomike, vendosja e një pllake prej bronxit nuk besoj se kërkon zhvillimin e ndonjë një tenderi…. Kështu, kujtesës historike të Tiranës, që ndërtimet e reja po e zvogëlojnë me ritme të shpejta, do të vazhdojë t’i mbetet një objekt i rëndësishëm dhe me vlera të padiskutueshme për brezat që do të vijnë. Ruajtja e ndërtesave të vjetra të vendit (që, përgjithësisht, janë jo më të hershme se një shekull e gjysmë), me meritat e tyre, se për hir të së vërtetës janë një numur jo i madh, nuk do të lejojë edhe zmadhimin e mëtejshëm të “Shqipërisë së humbur”(sipas një shprehjeje të Ylli Polovinës).

Pranë dhe rrotull ndërtesës së Teatrit të Kukullave, janë ngritur e do vazhdojnë në të ardhmen të mbijnë ndërtesa me taka të larta, po vlerën dhe hijeshinë e dykatshes (pavarësisht ngjyrimeve me lajle-lule të fasadës së saj) së Parlamentit të parë, vështirë se e arrijnë. Kjo sepse, statusi historik i saj është bio dhe i çimentuar edhe nga afro 100 vite jetë.

 Qerim  Vrioni, janar 2019

 

(Botuar ne gazeten “Panorama”, 30 janar 2019)

Shtator 1928

Teatri i Kukullave, gusht, 2018

Comment

*