Një president për të gjithë Shqipërinë

Ruben Avxhiu

Gjatë gjithë fushatës së fundit zgjedhore në Shqipëri, kryeministri Edi Rama u kishte këkuar zgjedhësve që t’i jepnin partisë së tij shumicën e plotë në Kuvend, në mënyrë që të mos shantazhohej nga “partitë e vogla”, gjatë qeverisjes.
Ai argumentoi se partitë e vogla kërkojnë vende pune e pjesë të tortës (apo “të tepsisë”, si u shpreh kryetari i socialistëve).
Duke gjykuar nga rezultatet e votës së 25 qershorit, shqiptarët ia plotësuan dëshirën Ramës. PS tani ka 74 deputetë, që i mjaftojnë për të qeverisur e vetme në një Kuvend me 140 anëtarë, ku shumica e thjeshtë realizohet me 71 vota.
Tani do të mbetet për t’u parë nëse vërtet PS do të qeverisë më mirë e vetme sesa me LSI-në apo ndonjë parti tjetër. Për të mirën e Shqipërisë, le të shpresojmë se kështu do të ndodhë. Disa reforma, sidomos ato që kërkon BE si kushte për anëtarësimin kanë nevojë edhe për votën e opozitës. Shpresa është që siguria e shumicës të mos sjellë rritje të arrogancës po të modestisë dhe ndjenjës së përgjegjësisë. Rama është treguar i matur në momentin e triumfit historik dhe nuk ka festuar me zhurmë shumicën, ndryshe nga partitë me më pak se 30% në Kosovën fqinje. Le të shpresojmë se kjo nisje me këmbë në tokë do të frymë e viteve që vijnë. Po në Shqipëri asgjë nuk është e garantuar. Rama është shquar për arrogancë, ndonëse nuk konkurron me ëngjëj në politikën shqiptare.
Një problem që do të shfaqet menjëherë është drejtpeshimi i pushtetit. Rama i plotfuqishëm në qeveri dhe Kuvend do të ketë nevojë për një President parimor që të shërbejë si garant për Kushtetutën.
PS dhe LSI këtë detyrë ia besuan Ilir Metës, pas një votimi ku mungoi opozita. Nga një anë Meta është problematik se ai e aleatë të tij politikë janë nga njerëzit më të përfolur për korrupsion në Shqipëri. Emisione televizive e reportazhe kanë zbuluar jetën luksoze të çiftit Meta, që nuk ka justifikim për një familje politikanësh. Megjithatë, komisioni për pasuritë nuk ka denoncuar ndonjë konflikt. Nga ana tjetër, Meta ka qenë një nga politikanët e matur që ka ngulmuar në vite për bashkëpunim mes PD-së dhe PS-së. Në çaste krizash ka shërbyer si ndërmjetës dhe i vetmi që ka hedhur ujë të ftohtë zjarrit të debateve të kota.
Shqipëria ka nevojë për një president të pastër, të moderuar dhe të paanshëm. Po që prej zgjedhjes si president, Meta duket sikur ka braktisur edhe virtytet për të cilat vlerësohej. Sulmet e tij kundër Ramës dhe ish aleatëve kanë qenë vuglare. Ai kritikoi në mënyrë të skajshme “Rilindjen”, a thua se nuk ishte ky një program që erdhi në pushtet dhe u zbatua prej votove të LSI-së. Po njësoj veproi me Sali Berishën në 2013, duke kritikuar qeverinë e PD-së, a thua se nuk kishte qenë pjesë e saj për 4 vjet.
Shqipëria ka nevojë për një president të orientuar dhe koherent. Dikë që do të barazpeshojë veprimet e qeverisë Rama sipas kushtetutës dhe moralit qytetar. Ilir Meta nuk duket si njeriu i duhur për këtë mision të madh.
Nga ana tjetër është akoma më e rrezikshme nëse Rama përpiqet që me shumicën e re në parlament të zgjedhë një president tjetër, mbase një nga besnikët e tij, duke grumbulluar edhe më shumë pushtet në duart e tij.
Shqipëria është e varfër në alternativa. Ka plot shqiptarë që me arsye i shohin të gjithë politikanët si një pari e vetme që ndan frytet e korrupsionit. Po në planin praktik, nisur nga momenti ku jemi, rruga më pak e keqe është mbajtja një fuqi e një presidenti si Meta, i cili mbase nuk e meriton postin, po që të paktën për arsye personale do të balancojë veprimet e një kryeministri të plotfuqishëm.
Ndoshta më ideale do të ishte që Rama të vepronte për zëvendësimin e Metës, por vetëm nëse ia lë PD-së që të zgjedhë presidentin e ardhës. Kjo ndoshta do të rizgjonte interesin e opozitës kryesore për pjesëmarrje në votimin e reformave kryesore që kërkon BE, duke pasur garancinë që i jep një president i opozitës.
Shqipëria ka nevojë për një president parimor që flet në emër të gjithë shqiptarëve. Po Ilir Meta nuk ka folur ashtu në javët e fundit, ndërsa vështirë se PD e PS të zgjedhin një figurë jopartiake nëse vendosin ta zëvendësojnë. Në mungesë, të një figure mbarëkombëtare, presidenti i ri, të paktën duhet të jetë i pavarur nga Rama që kryeministri i plotfuqishëm, të detyrohet të negociojë diku.

Comment

*