Një rrëfim antropologjik për shtëpinë

Arsim Canolli

 

Në shkretëtirën Kalahari të Afrikës, gratë kungsane ndërtojnë shtëpi brenda një ore për familjet e tyre për t’i shpëtuar erërave të fuqishme. Në Alaskë, eskimezët krijojnë shtëpitë e tyre prej akulli (iglu) për pak orë dhe brenda të tyre ndezin zjarr. Kushërinjtë tanë hominoid, neandertalët, kanë organizuar shtëpinë në blloqe, ku kanë ndarë hapësirë duke vendosur varrezat në fund, punëtorinë e veglave të bukës në një anë, vendin e bërllokut në një anë tjetër. Para 9400 viteve, në mes të Anadollit të Turqisë, një shoqëri njerëzore në fillet e para bujqësore, ka krijuar qytet me shtëpi të ngjitura me njëra tjetrën, pa rrugë, pa sheshe, pa oborre dhe me dyer në kulm. Më 2009, Aaron Spelling, një producent i televizionit në SHBA, ka shitur shtëpinë e tij për 89 milion dollarë, një shtëpi me 123 dhoma.

Njeriu ka krijuar variante të shumta të banesës së tij, prej shpellave, te pallatet dhe stacionet satelitore në qiell. Shtëpia ka lidhur fisin në ritual dhe shoqëri të ndryshme e konceptojnë veten si “shoqëri të shtëpive”. Vendi i shtëpisë së të parëve mendohet si qendra e botës. Shtëpia krijon kuptime për familjen dhe prej saj nis gjithë aventura e jetës njerëzore, kulturës dhe shoqërisë. Në esencë njeriu është “njeri i shtëpisë” ku jeton për një kohë të gjatë si pasardhës i të parëve të tij, aq sa është edhe emigrant që arratiset, udhëton e krijon shtëpi të re në vend të ri. Koncepti i shtëpisë ka krijuar themelet e botëkuptimit njerëzor. Në kultura të ndryshme fjala shtëpi lidhet me banesën si koncept material por edhe me tëbanën shpirtërore. Metafora e shtëpisë ka krijuar konceptin e kulturës si artifakt shpirtëror, përmes të cilit njeriu rritet, edukohet, krijon e krijohet. Shtëpia është bërë metaforë për përkatësinë, etninë, kombin e shtetin. Te romani “OH”, shkrimtari Anton Pashku e jep këtë dallim si dikotomi mes “dheut të babës” dhe “bykut të kumbarës”. Por, shtëpia është edhe sinonim i izolimit. Kur flitet për izolimin te shqiptarët thuhet “mu ka ba shpia uk” dhe jo pa arsye stereotipizohet dikush që është fanatik si njeriu që “e sheh botën veç brenda çufrrës së vet”. Po aq sa ka nevojë të jetë i shpisë, njeriu ka nevojë edhe të arratiset prej saj, të rikthehet te ajo. Prej Homerit e këndej, shkrimtarët kanë krijuar tregime me temën e shtëpisë, arratisjes e kthimit, si temat kryesore të letërsisë.

Shtëpia është sinonimi më i përgjithshëm i shoqërisë, politikës, ekonomisë dhe kulturës njerëzore. Por, “ne kemi ndërtuar shtëpi para se të jemi homo sapiens” na thotë antropologu Jerry Moore në librin “Parahistoria e shtëpisë” [ang. “The Prehistory of Home”, 2012]. Për të duket se gjithë arkeologjia nuk është tjetër veç “arkeologji e shtëpisë”. Jerry Moore është antropolog amerikan, i cili hulumtimet kryesore i ka bërë në degën e arkeologjisë, duke gërmuar dhe interpretuar shtëpinë parahistorike, kryesisht në kontinentet amerikane por edhe jashtë tyre. Libri në fjalë ka 12 kapituj të cilët japin pamje të ndryshme të shtëpisë parahistorike. Kapitulli i parë dhe i fundit janë hyrje dhe përfundim, ndërsa kapituj tjerë sheshojnë aspekt të ndryshme të shtëpisë parahistorike duke filluar prej shtëpive të para që njihen nga arkeologjia. Pastaj, në secilin kapitull Moore shtjellon një natyrë tjerë të shtëpisë: nomadizmin dhe mobilitetin, stabilitetin, shtëpinë-kozmos, jetesën në vendbanime të përbashkëta, rrethimin e komuniteteve me mure, shtëpinë fisnike, shtëpinë sakrale, shtëpinë e zjarrit dhe shtëpinë e amshueshme. Pra, kapitujt paraqesin domethëniet dhe kuptime që ka marrë shtëpia gjatë një kohe të gjatë të zhvillimit të homosapiens-it prej afër 100 mijë viteve e këndej. Moore gërsheton rrëfimin e tij arkeologjik me interpretime filozofike, letrare e sociologjike në përgjithësi.

Moore bën pyetje esenciale dhe jep përgjigje të matura për kuptimin e shtëpisë fillimisht si strehim e pastaj edhe si simbol. Pse ekziston shtëpia? Pse ka evoluar shtëpia e njeriut? Ai jep hipotezën shkencore se ekzistojnë dy arsye esenciale: suksesi riprodhues dhe varësia e foshnjës njerëzore ndaj prindit. Asnjë specie nuk ka nevojë prindërore sa specia njerëzore. Minjve u duhen 10 javë deri në pjekuri. Primatëve si gorillat u duhen 15 vjet, shimpanzeve më pak, ndërsa njeriut i duhen 18 vjet deri në pjekuri. Duke qenë se të dy prindërit kanë interes gjenetik që fëmija të mbijetojë, ata investojnë në mbijetesën e fëmijës deri në moshën riprodhuese. Zakonisht anticipohet se babai investon duke sjellë mish në shtëpi ndërsa nëna duke gatuar. Por, edhe Moore veneron se kjo pamje nuk është krejtësisht e thjeshtë. Në fakt, nënat kanë akumuluar një sasi të madhe të kalorive duke gjuajtur kafshë të ima, duke peshkuar apo duke mbledhur frute. Madje, sigurimin e kalorive e kanë bërë edhe fëmijët dhe pleqtë. Moore hyn edhe në hollësi të diskutimeve të shtëpisë mobile dhe sedentare, duke përshkruar afinitetin njerëzore për të gjetur vendbanim larg predatorëve dhe afër ujit e ushqimit potencial. Por këtu shprehet edhe pikëpyetja e madhe: a mund të rikonstruktojmë parahistorinë njerëzore, të largët dhe përtej homosapiensit, përmes evidencës arkeologjike dhe evidencës së nxjerrë nga studimi i sjelljes së fiseve të sotme? Jerry Moore nuk hyn në diskutimin kritik të kësaj pyetjeje. Ai argumenton se edhe të dhënat arkeologjike edhe ato etnografike prezentiste, na japin idicie për arsyet e ndryshme të ndërtimit të shtëpisë. Duke iu adaptuar klimës së ndryshueshme sidomos në periudhën e fundit të kohës së akullit, Moore shtjellon evidencën që tregon se njeriu ka ndërtuar shtëpi jo vetëm brenda shpellave dhe strehave natyrore, por ka krijuar tenda dhe kolibe të ndryshme qysh para dhjetëra mijëra viteve. Madje edhe duke përdorur kockat e mamuthëve. Një ndër çuditë e botës është edhe vendbanimi Çatalhöyük në Turqinë e sotme i banuar nga vitet 7400 para Krishtit deri më 6200 para Krishtit. Për më se 1200 vite, rreth 8000 veta më së shumti kanë jetuar në një vend prej 13.5 hektarësh, në banesa të dendura sikurse apartamentet e sotme, të dekoruara, mjaft komplekse dhe të ndërtuara me tulla dheu e dru. Shtëpitë kanë qenë të lidhura me njëra tjetrën. Dyert e shtëpive kanë qenë në kulm dhe fqinjët kanë ecur nëpër kulme të njëri tjetrit për të hyrë në shtëpinë e tyre. Asnjë shesh, asnjë oborr, asnjë rrugë nuk është gjetur në Çatalhöyük. Si ka mundur të jetohet aty? Pse më së paku 3500 e më së shumti 8000 njerëz janë futur si sardine në një vend pa rrugë, pa shesh, pa oborre, dhe me dyer në kulm, në këtë kodrinë me fare pak vegjetacion midis Anadollit të Turqisë dhe kanë vazhduar jetesën në atë komunitet për 1200 vite? Askush ende nuk e din.

Jerry Moore shkruan me kompentencë arkeologjike dhe me pasion filozofik për idenë dhe metaforën e shtëpisë si botëkuptim njerëzor, aq sa shkruan për evidencën e kulturës materiale. Ai analizon tema të ndryshme të diskutuara nga arkeologët e antropologët që janë marrë me shtëpinë. Për shembull flet për shtëpinë e kabilëve të Algjerisë që i kishte studiuar Pierre Bourdieu, sociolog e antropolog francez dhe një sërë kuptimesh që i jepen shtëpisë berbere. Nëse mysafiri ulet para murit lindor të shtëpisë kabile atëherë mysafiri ankohet se nikoqiri e ka ulur “para murit të territ sikur të ishte në varr”. Sepse mënyra si ndërtohet shtëpia te kabilët është e lidhur fort me botëkuptimin për nderin dhe mikpritjen. Në gjuhën shqipe, përkatësisht në shprehjet e botëkuptimit shqiptar për shtëpinë, ekzistojnë koncepte morale të vjetra, që tregojnë themelin e botëkuptimit universalist për mikpritjen. Për shembull, në botëkuptimin shqiptar që dylloset si botëkuptim dokesor në traditën shqiptare, “shpia asht e Zotit dhe e mikut”. Pra, shtëpia sakralizohet duke u konsideruar si tempull i Zotit dhe i mikut-Zot. Sipas kësaj filozofie, secili mysafir/vizitor konsiderohet si mik dhe secili mik konsiderohet si dhuratë nga Zoti dhe hapja e dyerve të shtëpisë është dhurata e kthyer për mikun-Zot. Ky botëkuptim i moralitetit të mikpritësores si virtyt shoqëror, ekziston edhe te kultura tjera edhe është ndër traditat esenciale të grekëve të vjetër por edhe popujve tjerë evropianë, indasë, semitë e aziatikë.

Në disa kultura, shtëpia e caktuar është edhe materializim i ndarjes gjinore dhe objektivim i burrërisë. Te shqiptarët, kulla ka qenë kryesisht vend i qëndrimit të burrave, oda duket se ka qenë vend i diskutimit dhe vendimmarrjes së burrave të fshatit, etj. Po ashtu, vendi i uljes së mikut është specifik: përballë të zotit të shtëpisë dhe pranë oxhakut ose në korrespodencë me kë gjeometri. Kjo ende praktikohet si normë etike e mikpritjes në shtëpinë shqiptare. Një evidencë historike e banesës shqiptare si materialitet është dhënë edhe nga Franz Baron Nopsca, në pjesën e parë të librit të tij “Shqipëria” që tani është përkthyer edhe në gjuhën shqipe. Aty mund të vërehet tipologjia e banesës shqiptare e ndikuar edhe nga Perëndimi edhe nga Lindja, por e përvetësuar për rrethanat e jetës dhe mundësitë ekonomike vendore. Për kuptimet e ndryshme që ka pasur oda e kulla ka shkruar edhe etnologu Mark Krasniqi.

Mes tjerash, shtëpia bëhet edhe objektivim i martesës, shtëpia ka juridiksionin e saj, shtëpia ndërlidh gjithë aventurën e jetës lokale. Ndër konceptet kryesore që ka krijuar shtëpinë është edhe muri apo kufiri me tjetrin. Qytetet e para qenë të rrethuara me mure. Qyteti Uruk i Mesopotamisë qe rrethuar me mur të lartë nga Gilgameshi. Ideja e murit rrethues u bë ide universale, ndonëse ka përjashtime. Qytetet e Greqisë antike, Romës antike e perandorive tjera, filluan të rrethohen me mure të larta. Gjithë Kina qe rrethuar me mur të lartë. Vetë ideja e polisit qe ide e polisit të caktuar me kufij, të cilët ishin shpesh edhe mure sigurie. Në shekulli 10 pas Krishtit shumica dërmuese e qyteteve evropiane u rrethuan me mure. Pra, koncepti i shtëpisë është ndër konceptet më të gjera, ndër metaforat më të përhapura të qenies njerëzore, qysh kur ka nisur të krijojë shtëpi. Jerry Moore paraqet një hartë solide për ta njohur këtë koncept nga pikëpamja antropologjike si tregim kryesisht arkeologjik. Në fund të librit Moore shkruan:

“Ndonëse evidenca më e hershme e strehës është ende e debatueshme, arkeologjia sugjeron se të parët tanë hominoid përdorën zjarrin dhe ndërtuan konstruksione të thjeshta rreth 1.4-0.5 viteve më parë. Diku rreth 60,000 viteve më parë kushërinjtë tanë hominoidë, neandertalët, kanë organizuar hapësirën e tyre në këtë mënyrë: kanë varrosur të vdekurit në fund të shpellës Kebara, kanë bërë veglat e tyre në një anë tjetër, kanë hedhur bërllokun në një anë tjetër. Ky organizim hapësinor është karakteristikë e njeriut, madje edhe në vendet e hapura. Megjithatë, ky është proces që shfaqet kur fillojmë të ndërtojmë shtëpi dhe zëmë vendin në to. Trendi i jetesës në një vend për një kohë të gjatë apo sedentizmi ka origjinën në paleolitin e vonë, sikurse në tëbanat dimërore të ndërtuara me eshtra të mamuthëve në Mezhrich. Sedentizmi qe zhvilluar në mënyrë të pavarur nga bujqësia, por qe nisur kur buka e njeriut apo ushqimi i tij filloi të ruhet në një vend apo veglat që duheshin të përgatitnin këtë ushqim ishin të rënda të barteshin nga një vend në tjetrin. Varësisht regjionit shtëpitë tona filluan të lidhen me kuptime komplekse pasi që filluam të bëhemi sedentarë ose pasi filluam të përdorim herë pas here struktura të njëjta (si tregohet edhe në shembullin e tendës së popullit sami). Brumosja e kuptimeve komplekse në shtëpitë tona është pjesë e fushës sonë më të madhe dhe më të vjetër, përdorimit të simboleve. Evidencat më të mira që i njoh për përdorimin e shtëpisë si shembull të gjithësisë datojnë pas fillimit të jetës sedentare, të shprehura në lokalitete të 10-15 mijë viteve të fundit. Pasi kalimit të këtij pragu, shtëpitë tona u bënë të pasura për konstruksionin e kuptimeve. Ato i kemi përdorur për të rregulluar dallimit mes jetës dhe vdekjes, femrës dhe mashkullit, natyrës dhe kulturës dhe kështu me radhë, duke ngulitur konceptime bipolare në shtëpitë tona. Ne bëjmë shtëpitë tona të shenjta, i ndërtojmë ato për zotat tanë. Ne i sjellim të vdekurit në shtëpi ose i përzëmë shpirtrat e këqij prej shtëpisë sonë, duke i hedhur në kaos të botës tjetër. Madje ne e mbushim shtëpinë me forcë vitale të veten, duke e djegur atë për të rindërtuar tjetrën dhe kujtuar të vjetrën”.

Në vitet e fundit, sidomos kur ka filluar një botëkuptim për gjendjen klimatike të botës dhe po flitet për antropocenën, edhe bota nuk shihet ndryshe pos si një shtëpi, apo një arkë e Noas që duhet ruajtur para shkatërrimeve në rritje. Nuk e dimë se ku do të përfundojë shtëpia e njeriut emigrant, në planete të këtij sistemi apo në kashtat e kumshtit. Ajo që dimë është fakti se shtëpia e homosapiensit po kalon prej ambientit të zjarrtë e të akullt natyror me ndryshime të shpeshta klimatike, nëpër ambientin virtual ku shtëpia bëhet dioramë virtuale e mbështetur nga teknologjia, kah migrimi ndërplanetar për të cilin njeriu ka filluar të ëndërrojë.

Megjithatë, ky libër është një rrëfim antropologjik për udhëtimin e njeriut që nga parahistoria deri më sot, si njeri i shtëpisë, arratisjes nga shtëpia, simbolikës dhe kujtesës së shtëpisë, e kështu me radhë. Prandaj, si i tillë është një përmbledhje inspiruese për lexime të mëtutjeshme të natyrës së shtëpisë në jetën ende të errët të njeriut parahistorik.

(5 tetor 2018)

Comment

*