Një thirrje për të rrëzuar Kodin Zgjedhor ekzistues

Prel Dedaj

THIRRJE
Për të rrëzuar Kodin Zgjedhor Ekzistues !
Drejtuar
Edi Ramës, Kryetar e Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Lulzim Bashës, Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Për dijeni:
Presidentit të Republikës, z Ilir Meta.
Kryetarit të Kuvendit, z Gramoz Ruçi.

Unë që ju drejtohem me këtë thirrje, jam një qytetar shqiptar që kam emigruar në Amerikë përpara 15 vitesh dhe gëzoj sot dhe statusin e qytetarit amerikan.
Vendosa t’ju drejtohem me këtë thirrje me idenë që të ndikoj sa të jetë e mundur që Shqipëria të bëhet sërish demokratike dhe vënd, ku populli i saj të rrijë se e don dhe dëshiron atë tokë dhe jo se nuk ka nga të shkojë…

Në vitin 1990, kur populli gjendej në varfërinë e shtypjen ekstreme, kërkesa që tundi sistemin, ishte: LIRI DEMOKRACI.
Dhe baza e këtij binomi janë zgjedhjet, për të cilat Kushtetuta vendos disa përcaktime, të cilat praktikisht dhe qëllimisht, i keni rrëzuar, kur vendosét një Kod Zgjedhor që kish qëllim të ndryshëm nga realizimi i zgjedhjeve me votë të lirë, të fshehtë, të barabartë e të drejtpërdrejtë.
Nuk po e them këtë për t’ju ndërgjegjësuar për ç’keni bërë, por për t’u thënë që e dimë se ç’keni bërë dhe përse e keni bërë.
Duke shoresuar që pasi ta merrni vesh që e kemi marrë vesh, të ktheni rrugë!
Ju adaptuat me grisje dhe arnime një Kod Zgjedhor, që e quajtët Proporcional Rajonal, i cili përdoret jo aq i shformuar nga logjika e logjit, në shtete unitare me probleme nacionalitetesh siç janë Spanja, me problemet e Katalonjës, apo Turqia me popullsinë kurde. Kodi zgjedhor Rajonal në këto vende, synon të pengojë nacionalizmat, me synim ruajtjen e shtetit unitar, ndërsa ne jo vetëm që jemi një unitar, pra nuk kemi ç’të kemi frikë për unicitetin e tij, por si asnjë shtet tjetër, kufizohemi me të njëjtin popull, popullin shqiptar, si në veri me shqiptarët e Malit të Zi, në lindje me shqiptarët e Kosovës, në juglindje me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe në jug me shqiptarët e Çamërisë. Kështu që ndarja në rajone, në rastin tonë, është ndesh me frymën e Kushtetutës, nëse e keni lexuar, Preambulën e saj, kur thotë “me aspiratën shekullore për bashkim kombëtar”.
Ju donit të pengonit një forcë politike të shtrihej në territor dhe bëtë një kod zgjedhor që cënoi kushtetutën e Shqipërisë dhe e mban të parcelizuar popullin shqiptar.
T’i marrim me radhë efektek që dha Kodi, të cilat tashmë, është e thjeshtë t’i evidentojmë sepse zbatimi i këtij Kodi në tre palë zgjedhje të përgjithëshme, na ka dhënë pësimet e nevojshme dhe shumë të dëmshme, që nëse do jetë vullneti për të kthyer demokracinë, janë dhe mësime shumë të vlefshme se si nuk duhet të jetë Kodi Zgjedhor.
Ndarja në rajone, e kthen pragun elektoral të ndryshëm duke e luhatur nga rreth 3% në një rajon me mbi 30 deputetë, në 33% në një rajon me 3 deputetë. Ja handikapi i madh. Vetë Turqia me probleme të mëdha me Kurdistanin, ka pragun rreth 10%, pra tre herë më të vogël se në ndonjë rajon tonin. Pra në të njëjtin shtet, një parti politike që arrin edhe 30% të votave në një rajon, nuk merr asnjë deputet ?!Pragjet elektorale janë një cënim i arësyeshëm i demokracisë përfaqësuese, pasi mbajnë një balancë mes saj dhe stabilitetit të qeverisjes, por luhatja e tyre në këto kufinj është cënim i rëndë dhe deformim i vullnetin e popullit dhe për pasojë dhe cilësisë përfaqësuese të tij në Kuvend.
Vendosja në Kod e formulave matematikore (ky parlament dallohet edhe për arsimimin e “mjaftueshëm” për t’i kuptuar), ka cënuar barazinë e votës, e në sajë të këtyre “teknikaliteteve” ka parti që nuk arrijnë të kenë përfaqësim as me 20,000 vota, ndërkohë që parti të tjera çojnë deputetë edhe me 6,000 vota. Pra, 20,000 dibranë e kuksianë nuk çojnë dot një deputet, ndërsa 20,000 fierak, psh, çojnë 3 deputet. Por kushtetuta thotë që pesha e votës duhet të jetë e barabartë!? Përse vazhdoni të guxoni ta shkelni këtë kërkesë, që ështe pjesë e pikës 4 e Nenit 45 ?
Po në këtë nen, përcaktohet që vota është vetjake, pra e drejtpërdrejtë: askush nuk mund të votojë për një tjetër.
I kujtoj përpjekjet tua “titanike” zoti Rama, në vitet 2006 – 2007 që çuan në shtyrjen e zgjedhjeve lokale, për heqjen e votimit me çertifikata, apo edhe përpjekjet e mëdha kur ishit në opozitë për Identifikimin elektronik të votuesve. Pasi ishte e qartë që pushteti ndante çertifikata masivisht të emrave me fotografi të personave të tjerë, apo sërish pushteti “blen” për dy javë kartat biometrike, sa për të votuar. Përse nuk e vazhdove përpjekjen si atëherë kur more dhe mban pushtetin ? Apo nuk të duhej më ai lloj votimi, ku secili të ketë vetëm një votë, përfshirë dhe të fortët tu? Kjo se mbase ai identifikim ta rrezikon ose së paku koston edhe më shumë mbajtjen e pushtetit…
Ishte ulëritëse, ajo telefonata e përgjuar nga Prokuroria Shqiptare (akoma e “pareformuar”) në Dibër, kur Partia “çame” doli me votues më shumë se në Filat të Çamërisë, kur pyetej kryetari i skemës së vjedhjes së votave atje, nëse duhet t’ua kthej tani apo me vonë Kartat e Identitetit atyre që ua kishin marrë??!!!
Të njëjtën formë ka edhe ana tjetër e medaljes, Partia Demokratike, e cila nuk donte të hiqte çertifikatat, në 2007-ën si dhe nuk e bënte identifikimin elektronik të votuesve, kur ishte në pushtet, dhe e kërkon këtë të fundit edhe me forcë sot që është në opozitë ?! Çfarë imoraliteti !!!
Kushtetuta thotë që vota duhet të jetë e fshehtë. Përse kërkoni fotografi të fletéve të votimit. Pse njerëzit tuaj sot e kundërshtarët dje, shantazhojnë njerëzit me bukën e gojës?
Fryma e Kushtetutës thotë që nga zgjedhjet duhet të dalë vullneti i popullit. Ju nuk i krijoni mundësinë, gjysmës së tij, që është në emigrim që të VOTOJË !
Në një takim që bëtë në New York, kur ishit në opozitë, ku isha ndër iniciatorët dhe pjesëmarrës në të, na premtuat që do u krijonit mundësinë emigrantëve të votojnë. E keni dhe në Programin e Partisë suaj. Madje keni edhe Ministër të Diasporës!? Përse nuk e keni mbajtur atë premtim. Po ta them unë, se t’u bënë shumë pyetje: Ty nuk të intereson që të votojmë vetë, por emrat tonë të jenë aty dhe skifterët tu të pilotojnë mbi ta. Ndryshe, përse ia lejon vetes të mos kryesh detyrimet për të cilat je votuar ??? Një politikan në perendim, nuk do guxonte të rikandidonte po të gënjejte popullin kaq shumë e për gjithcka, ndërsa ti, popullin e shef vetëm përmes malit të mashtrimeve, që bukuria e gënjeshtrave të duket ty transparencê si muret e qelqta të muzeumit të Louvre-i, që në të vërtetë, shëmtimiteti i malit tënd të mashtrimit, është e kundërta.
Duket sikur po u drejtohem më shumë ju, se Bashës, me emrin e të cilit bëre një fushatë zgjedhore, duke thene që Luli është çun i mirë.. Por kam besim në “aftësinë” tënde për ta “bindur”.
Bindu dhe binde !
Tani pasoja ka ardhur në përmasa të llahtarshme. Ata që janë lidhur me ty, tashmë janë ujqër krahasuar me njerëzit që jetojnë me djersë, e të cilët për ujqërit, janë thjesht dele!
Ujqërit “kërkojnë” rregull dhe delet e shkreta … drejtësi. Së si vazhdon historia e dimë të gjithë…
Ndryshoni kodin zgjedhor. Bëni ligj që njerëzit të ndjehen të barabartë para tij dhe asnjë të mos jetë superior dhe as inferior ndaj të drejtave themelore.
Po nuk e bëtë, dëmi do jetë edhe më i madh tashmë edhe në kurriz të Identitetit Kombëtar, saqë do vijë dita që kur do bëni shqiponjën, simbolikisht me duar të vendosura në gjoks, askush të mos mendojë Shqipërinë si vendin e shqiponjave, por vendin nga ku njerëzit edhe fluturojnë që të ikin.
Po “fluturuan” të gjithë, do u mbeten vetëm ato që lëshojnë zogjtë, (si çdo qënie e gjallë), të cilat ju i quani edhe shans, pasi mendoni se do vazhdojnë të sjellin lekë…
Uroj dhe do përpiqem të mos ndodhë.
Ju e keni në dorë (dhe detyrë) të jeni i drejtë.
Ndoshta më pas njerëzit do thonë: Më në fund !

Comment

*