Një urim për Vitin e Ri

Frank Shkreli

Frank Shkreli

Ja mbërriti Viti i Ri. Një Vit i Ri, një Fillim i Ri. Një Vit i Ri prej të cilit të gjithë ne shpresojmë dhe presim realizimin e objektivave dhe ëndërrave të pa realizuara deri tashti, një Vit i Ri i mundësive të reja, i ndryshimeve pozitive për ne, si individë dhe si shoqëri, si institucione qeveritare dhe shtetërore, por edhe për botën në përgjithësi. Një vit i shpresave, se në mos të gjitha gjërat, atëherë të pakën disa prej tyre do të ndryshojnë për më mirë, si në jetën tonë private dhe familjare ashtu edhe në mjedisin shoqëror e politik ku jetojmë.
Është thënë se Viti i Ri nuk është vetëm një ndryshim datash e vitesh, por është një rast për ndryshim drejtimesh, qellimesh e objektivash të reja me një angazhim serioz për realizimin e tyre. Në 25-vitet e fundit pas shëmbjes së komunizmit dhe pas luftës për çlirimin e Kosovës, që më në fund çoi në pavarësinë e Kosovës si shtet i pavarur, shpresohej se antagonizmat, përçarjet, grindjet dhe ndasitë politike midis shqiptarëve, anë e mbanë trojeve të tyre shekullore, kryesisht si rrjedhim i regjimit komunist nën të cilin — megjithse në shtete të ndryshme – shqiptarët jetuan për një gjysëm shekulli, do të merrnin fund. Ishte një fillim që shpresohej të ishte i një rendi të ri shoqëror e politik për Europën dhe për shqiptarët në veçanti. Madje, fillimi i shekullit 21 u shikua me aq optimizëm sa që u konsiderua se ky, më në fund, do të ishte “shekulli i shqiptarëve”.
Shqiptarët, ndonse të shpërndarë në në pesë shtete, janë një komb, kanë një gjuhë dhe një histori, janë vëllëzër e motra të një gjaku. Megjithkëtë, fatkeqsisht, historia dhe shpresat e fillim shekullit 21 kanë ndeshë përsëri në një numër trysnishë, kryesisht politike si rrjedhim i antagonizmave dhe përçarjeve midis partive të ndryshme, sa që edhe për optimistin më të madh, vihet në pikëpyetje të madhe gatishmëria dhe vullneti i klasës politike shqiptare të këtij çerek shekulli për të jetuar në harmoni dhe në vëllazërim kombëtar me njëri tjetrin. Ishin këto 25-vjetë post-komunizëm që fatkeqsisht u dalluan nga mungesa e tolerancës politike dhe shoqërore ndaj njëri tjetri, pothuaj në të gjitha nivelet e shoqërisë, e sidomos në radhët e partive politike dhe të qeverive të drejtuara prej tyre.
Rezultatet e kësaj politike shkatërruese kombëtare, besoj se sot shihen nga të gjithë. Prandaj, si rrjedhim, 25 vjetë pas rënjes së Murit të Berlinit dhe me Kosovën e pavarur, ka ardhur koha që vullnet mirët dhe atdhetarët e vërtetë të konsiderojnë një fillim të ri politik dhe shoqëror, të vendosin për një angazhim serioz, për një harmoni me të vërtetë vëllazërore atdhetarizmi me njëri tjetrin, me gjithë ndryshimet dhe pikpamjet politike që mund të ekzistojnë midis tyre.
Urojmë pra që Viti i Ri në prak të cilit gjëndemi, të shërbejë si një rast për një fillim të ri, si një rast që në Vitin e Ri, shqiptari të mos përjashtojë shqiptarin, vetëm e vetëm se tjetri ka pikëpamje të ndryshme politike. Por të punojnë së bashku për dashurinë ndajë Shqipërisë dhe për hir të përparimit ekonomik dhe politik të mbarë kombit shqiptar. Për më tepër, siç ka shkruar At Anton Harapi, nëqoftse e duam Shqipërinë dhe fatin e mirë të shqiptarëve, atëherë të zotohen se për të mirën e përbashkët do, “Të punojmë sa të jetë e mundur më tepër për të futur dashurinë midis vëllëzërve që jetojnë në një vend me ne, kanë të njëjtin emër shqiptar, ndjekin të njëjtin fat dhe të njëjtin ideal: Fatin e Shqipërisë, idealin shqiptar…Paçim të vëretën udhëheqse, dashuria të na mbajë ngahera.”
Ky pra është urimi im për Vitin e Ri — por besoj se edhe i shumicës dërmuese të shqiptarëve kudo – që shqiptarët në përgjithësi dhe klasa politike shqiptare në veçanti të dëgjojë zërin e arsyes dhe tu tregojnë “Miqëve dhe armiqve anembanë botës se shqiptarët janë të zotët ta bëjnë dhe ta mbajnë Shqipërinë të bashkuar, të fortë, madhështore dhe të denjë për Kastriotin, për stërgjyshërit tanë, për burrërinë dhe fisnikërinë shqiptare.” (At Anton Harapi).
Historikisht, armiqtë e shqiptarëve i kanë dashur ata të ndarë e të pëçarë, politikisht dhe gjeografikisht, në trojet e veta. Fati i shqiptarëve është sot në dorë të vet shqiptarëve. Mos të humbet rasti që shqiptarëve tu jepet arsye që të qëndrojnë në trojet e veta dhe që të kenë besim në një Shqipëri e Kosovë demokratike ku të gjithë ta ndjejnë veten të barabartë dhe të mos marrin rrugët e botës, vetëm e vetëm sepse klasa politike me ndasitë dhe me përçarjet midis veti, po bjerrë aspiratat e shqiptarëve për një jetë më të mirë në shtëpitë e tyre.
Është ky një urim për një Fillim të Ri, në Vitin e Ri!

Comment

*