Një vizitë e Senatorit Dole në Prishtinë, ndryshoi fatin historik të Kosovës

Harry Bajraktari

Harry Bajraktari

Ish senatori Republikan Robert Dole është personaliteti më i rëndësishëm për çështjen e Kosovës dhe i shqiptarëve në përgjithësi. Dole është mik i hershëm i popullit të Kosovës për të fituar lirinë dhe pavarësinë, që për shkak të këtyre kërkesave, shtypej me forcë nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.
Robert Dole është pjesëmarrës dhe veteran i Luftës së Dytë Botërore kundër fashizmit dhe nacizmit. Ai u plagos në një betejë dhe, duke u nisur nga ky fakt, askush më mirë se ky nuk do t’ i kuptonte abuzimet me liritë dhe të drejtat njerëzore e kombëtare. Dole ka qenë udhëheqës i shumicës republikane në Senatin amerikan për një kohë të gjatë. Kontributi i tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës është shumë i rëndësishëm dhe historik, gjithashtu edhe për proceset e demokracisë në Shqipëri, pas rënës së komunizmit.
Në kohën më të vështirë të represionit dhe terrorit shtetëror serb, në vitin 1990 ai vizitoi Kosovën për të parë gjendjen nga afër. Në Prishtinë u prit nga Dr. Ibrahim Rugova dhe rrethi i tij intelektual, ku në hotelin “Grand” u informua për situatën e rëndë politike që ekzistonte në Kosovë. Kjo ishte vizita e parë e një delegacioni të nivelit më lartë të SHBA në Kosovë dhe vizita më shpresëdhënëse që shqiptarët ta vazhdojnë luftën për liri dhe pavarësi. Në këtë delegacion të udhëhequr nga Robert Dole, merrnin pjesë dhe shtatë senatorë amerikanë, të cilët do t’ i raportonin Senatit dhe Kongresit mbi situatën e përgjithshme në Kosovë. Serbit, Momqillo Trajkoviq, në aeroportin e Prishtinës, në përfundim të vizites, Senatori Dole i tha që t’ ua përcillte porosinë e tij udhëheqjes së Beogradit, se nuk do të lejohet më me abuzimin e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Kosovë.
Nga kjo vizitë historike, fati i Kosovës ndryshoi. Pas 9 vitesh nga kjo vizitë, Kosova u çlirua nga NATO dhe SHBA-ës, dhe pas 18 vitësh Kosova u shpall shtet i pavarur dhe demokratik.

2

Harry Bajraktari përshëndetet me ish-Senatorin Bob Dole.

Në vitin 1996, Dole ishte kandidat i republikanëve për President të SHBA-ve, i cili u mbështet fuqishëm, siç thotë ai, nga shqiptaro-amerikanët gjatë fushatës në New Hampshire dhe me votën e tyre në ditën e zgjedhjeve, kudo që ndodheshin në SHBA.
Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani gjatë vizitës këto ditë në SHBA, në një ceremoni të veçantë në Washington, në prani të ambasadorëve të Shqipërisë dhe Kosovës, zonjës së parë Odeta Nishani e pjesëmarrës të tjerë shqiptarë e amerikanë, ish senatori Robert Dole u vlerësua me mirenjohjen më te lartë shtetërore ” Dekorata e Flamurit Kombëtar” me motivacion për kontributin e madh që ka dhënë në përkrahje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës dhe zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare.

1

Presidenti i Shqipërisë Nishani, duke folur me këtë rast për kontributin e çmuar të senatorit Dole, veç tjerave, tha se “ ju ishit nga të parët që u përpoqët me vendosmëri, që përcaktuat vijën e kuqe të ndalimit të gjenocidit serb ndaj popullësisë civile e të pafajshme shqiptare në Kosovë, duke lobuar fuqishëm në Senatin amerikan për fitimin e merituar të lirisë e më pas të Pavarësisë së shumëpritur të Kosovës. Për të gjitha këto kontribute, i nderuari senator Bob Dole, shqiptarët si komb, kudo që jetojnë, ju janë përjetësisht mirënjohës.”
Ndërkaq, senatori Dole falënderoi presidentin Nishani për këtë mirënjohje të lartë, duke qenë i bindur se kur kandidoi për President të SHBA, mori votat e të gjithë shqiptaro-amerikanëve.
Veprimtari dhe biznesmeni shqiptaro- amerikan Jim Xhema është miku më i madh i senatorit Robert Dole, me të cilin krijoi lidhje para tri dekadash për ta ndihmuar Kosovën dhe çështjen shqiptare. Për kontributin e tij për Kosovën dhe çështjen shqiptare, Bujar Nishani, Jim Xhemën e dekoroi me mirënjohje të lartë ” Nderi i Kombit”.
Mik i senatorit Dole ishte edhe Presidenti i ndjerë i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova. Senatori Robert Dole është edhe miku im, me të cilin kam punuar shumë vite për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Robert Dole ka vizituar shumëherë Kosovën. Kjo më së miri flet sesa i përkushtuar ka qenë me fatin e saj dhe të shqiptarëve në Ballkan.
Senatori Robert Joseph Dole mbetet një nga figurat shumë të rëndësishme për Kosovën dhe shqiptarët. Ai sot, për kontributin e tij, adhurohet e respektohet në atdheun tonë, në diasporë dhe gjithandej ku ka shqiptarë.

*Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria.
New York, Maj, 2017.

3

Comment

*