Njeriu i simboleve shqiptare

Nga Fuat Memelli

Në prag të 28 Nëntorit, ditës së shpalljes së Pavarësisë, u organizua një mbrëmje në qytetin Peabody, i cili ndodhet rreth 35 minuta larg Bostonit. Merte pjesë edhe këngëtarja e njohur Eli Fara, këngëtarët Jurgen e Mariola Kacani si dhe aktori, Elvis Pupa. Shkova edhe unë me disa nga njerzit e mi. Deshëm të festonim e të kënaqeshim në këtë ditë të shënuar. Të them të drejtën, unë nuk u kënaqa për dy arsye: nga mungesa e dritës dhe zëri i altoparlantëve që ishte në qiell. Të kuptohemi, jo se nuk kishte drita elektrike, por ishte errësirë pasi kështu e kishin menduar organizatorët. Salla ngjante si një disko. Kishte vetëm fare pak dritë dhe njerzit dukeshin silueta. Fola me organzatorët që të ritnin nivelin e dritave, të shihnim këngëtarët dhe njëri-tjetrin në tavolina, por… më kot. Nuk bëmë dot asnjë fotografi. Nuk i pamë fytyrat e këngëtarëve dhe të aktorit. Kam qënë në disa veprimtari të organizuara nga shqiptarët e Bostonit por aty ka patur drita. Ndoshta këta të Peobody-t, festojnë ndryshe. Megjithatë e gjeta zgjidhjen për të “shpëtuar” nga errësira: ndeja me një shqiptar nga Ulqini, i cili shiste në koridor (ku kishte dritë) artikuj të ndryshëm me simbolet tona kombëtare.

Njohja me ulqinakun  Remzi Murati, ishte e rastësishme. Më bëri përshtypje larmia e artikujve që tregëtonte ai në disa tavolina, siç shihet edhe në foto. Nuk kisha parë këtu në Amerikë një treg të tillë. I kishte sjellë ato nga Neë Yorku, ku ka një dyqan të madh dhe ushtron biznes familjar me gruan dhe djalin. Pasi bleva disa sende me simbolet tona kombëtare, u ula të bisedoj me Remziun në minutat që ishte i lirë. Dhe, Remziu më tregoi…- Kam ardhur në Amerikë në vitin 1984. Qysh atëhere fillova të merem me këtë punë. Gruaja më tha:-Lere se është pa bereqet, por unë nuk u tërhoqa. Krahas Neë Yorkut, fillova të tregëtoj edhe në qytete të tjerë si Los Angelos, Arizona, Dallas, Florida, Orleando, Detroit, Boston, këtu në Pipëdi, etj. Shkoj me avion dhe fle në hotel. Furnizohem në Shkodër, Tiranë, Prishtinë, bile edhe në Zvicër. Tregëtoj rreth 500 artikuj me simbole shqiptare, si flamuj, plisa (qeleshe) bluza, shalle, stilolapsa, çelsa, çakmakë, etj, etj..Shqiptarët i blenë jo vetëm për vete, por edhe për fëmijët e tyre. Këto simbole janë pjesë të historisë sonë. E kam pasion këtë punë dhe nuk mund të ndahem prej saj. Jam 65 vjet e do të punoj deri sa të kem fuqi.  Edhe sikur mos fitoj, unë do vazhdoj të punoj.

Duke biseduar me Remzi Muratin, mëson se ai nuk është vetëm një shitës i zakonshëm i artikujve me simbolet tona kombëtare. Është më shumë se kaq. Është një njeri që i do shqiptarët dhe kombin shqiptar. Krahas Ulqinit,  vendlindjes së tij, ai ka vizituar disa herë edhe Shqipërinë, Kosovën e Maqedoninë. Ka vizituar edhe arvanitasit në Greqi. Më tregon se këtë vit bashkë me gruan ka qënë në Igumenicë, Janinë, Përvezë, etj. Ka vizituar jo një herë por disa herë, Tiranën, Krujën, Durrësin, Korçën, bregdetin shqiptar, etj. Është zëri shqiptar që e tërheq. –Ne shqiptarët e Malit të Zi, kemi qënë të djegun për Shqipnin. Para viteve ’90, shkonim në Bunë, shikonim  ndonjë dru e thoshim: -Ja, aty është Shqipnia! Ne kemi qënë të shtypun nga i huaji, ndërsa ju kini qënë të shtypun brenda vedit, më thotë Remziu.

Mund të flasësh edhe më shumë për të. Unë kaq munda të “vjel” gjatë kohës që ai nuk kishte punë më klientët. Po të kishim qëndruar më tepër, mund të “vilja” edhe më shumë. Veç për një gjë u binda: Remziu nuk është vetëm një shitës i zakonshëm i simboleve kombëtare. Është më shumë se kaq. Mbi të gjitha këto simbole janë bërë pjesë të shpirtit të tij. Ndoshta ka edhe shqiptarë të tjerë  shesin artikuj me simbole shqiptare në Amerikë. Ndoshta…, veçse Remziu është i pari dhe më i shquari në Amerikë. Në ikje thashë me vete: bëra mirë që erdha se.., pavarësisht që nuk u kënaqa nga mbrëmja në errësirë, njoha një shqiptar të lidhur pazgjithshmërisht me simbolet tona kombëtare, i cili do mbetet në kujtesën time.

Comment

*