Njeriu që i do flamujt me gjithë shpirt

Në kuadrin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë të Amerikës

 

Nga Fuat Memelli-Boston

Njohja me Jose Nesmachinovin, personazhin e këtij shkrimi, zuri fill rastësisht. Ai kishte ardhur nga Florida ku jeton, për të vizituar dy motrat e tij si dhe për të festuar tok me to ditën e Pavarësisë të Amerikës. Motrat, të cilat banojnë në pallat me mua, më njohën me vëllanë e tyre, i cili më la mbresa të veçanta. Dhe kjo, jo rastësisht. Ai është njeri me kulturë të gjerë, por mbi të gjitha është njeri patriot. Patriotizmin e ka në shpirt, ndaj i buron natyrshëm. Vetëm një herë e takova atë, por njeriu le gjurmët e tij edhe me një takim Kishte veshur një bluzë me simbolet e falamurit amerikan dhe një shqiponjë. Më pas, për të më treguar se ka ardhur i përgatitur për të festuar ditën e Pavarësisë së Amerikës, veshi një bluzë tjetër me gërmat USA. Biseda për flamujt, ishte epiqendra e bisedës tonë. Më tregoi një flamur të madh ku ishte stampuar flamuri amerikan dhe ai kanadez. Ishte hera e parë që shihja një flamur të tillë me simbole të dy vendeve.-Kush e ka bërë këtë? – e pyes unë.-Njerzit e kanë bërë, thotë. Amerika dhe Kanadaja , kanë shumë gjëra të përbashkëta. Janë vende fqinjë, kanë gjuhë të njëjtë –anglishten, kanë tradita e zakone të njëjta, kanë një volum të madh tregëtie midis tyre. Janë dy vende vëllëzër. Ata që e kanë stampuar, i kanë patur parasysh këto. Ky flamur më shkon shumë për shtat mua, pasi jam shtetas kanadezo-amerikan, thotë Joseja. Biseda jonë për flamujt, vazhdon.-E shihni këtë flamur kanadez? –më drejtohet mua- Po , i thashë. Ai ka një histori më vete. Dhe nisi ta tregojë.- Para disa ditësh isha në Kanada. Shkoj shpesh aty, pasi kam jetuar 23 vjet. Isha duke ecur me makinë në Toronto, kur shoh në rrugë dy flamuj kanadezë. Ula shpejtësinë dhe u zgjata t’i mar. Dikush që ishte pas meje, bërtiti pasi pengova trafikun. Unë nuk u mërzita. I mora flamujt dhe vazhdova rrugën. Në pamje të parë duket një veprim i thjeshtë por për mua është shumë i rëndësishëm. Si mund të lihen flamujt në rrugë?! Si mund të kalosh para tyre e të jesh indiferent ?! Flamujt janë simbole të një vendi. Ata nuk i përkasin partive, i përkasin popujve. Me flamujt përpara, miliona njerëz në botë, kanë dhënë jetën në luftra. Kanadanë e quaj atdheun tim të dytë. Jetova aty 23 vjet. Kisha shtëpinë dhe biznesin tim. Aty u lindën dhe u rritën fëmijët e mi, prandaj ai flamur është i shtrenjtë për mua. Njërin nga dy flamujt që gjeta, ia dhashë vëllajt, por kam edhe një.-Edhe unë kam lidhje me Toronton, i thashë. Një nga djemtë e mi jeton aty. Ka krijuar familjen e vet dhe ka një vajzë. Kam qënë aty disa herë, vazhdova unë. – Me që edhe ti paske lidhje me Kanadanë, ky flamur të takon ty, tha Joseja. –Prit të bëj një fotto para se të ma japësh, i thashë unë.-Dakort, u përgjegj dhe i bëra foton që shikoni.Tek shkrepja aparatin, pashë se u emocionua shumë dhe gati u përlot. Më shumë se fjalët e mija, flet fotua e tij. Shiheni dhe do më besoni! Pastaj ma dha flamurin kanadez. Unë kisha në shtëpi tre flamuj: atë shqiptar, amerikan dhe kanadez. M’u bënë dy kanadezë. Tani kam katër flamuj. Ata janë stolia e shtëpisë ku jetoj. Rinë pranë njëri-tjetrit si shokë të ngushtë.
Për të njohur më mirë këtë njëri, i kërkova të më thotë diçka për jetën e familjes dhe të parëve të tij dhe ai më tregoi historinë, e cila është sa e vështirë, aq edhe e ngatërruar.
Të parët e tij kishin qënë me origjinë nga Ukraina. Para revolucionit të Tetorit, gjyshi i tij dhe njerzit e tjerë të afërt, ishin mbështetës të Carit dhe patën punuar për të. Revolucionarët që ardhën në fuqi pas përmbysjes së regjimit të Carit, i quajtën të padëshirueshëm dhe i kërkuan që familja e tyre dhe njerzit e tjerë të afërt, të largoheshin nga Rusia. I çuan deri në Odesë dhe i thanë:”Shkoni ku të doni”. Me një anije, pas një jave e ca udhëtimi, mbritën në Uruguaj. Ishin të huaj dhe pa asnjë ndihmë. Edhe gjuhën e këtij vendi nuk e dinin. Pasi i morën të dhënat përkatëse, i nisën diku në veri të vendit, kufi me Brazilin, te një vend që quhej “Orosko koloni”. Aty i thanë të marin tokë e të bëjnë shtëpi. Me mundime të mëdha, nisën jetën nga e para. Me që përballë tyre ishte kufiri me Brazilin dhe kishte familje braziliane, babai i Joses njihet dhe martohet me një braziliane. Nga martesa e tyre, lindën katër fëmijë : dy djem e dy vajza. Joseja lindi në vitin 1952. Në vitin 1971, Joseja vendoset në Toronto të Kanadasë, ku lindën e u rritën edhe dy fëmijët e tij. Këtu ndenji 23 vjet dhe pastaj bashkë me familjen, shkoi në Florida, ku jeton edhe sot. Ja, kështu ka rrjedhur jeta e familjes dhe e këtij njeriu, që i do flamujt me gjithë shpirt.

Comment

*