NJOFTIM PËR TË GJITHË APLIKANTËT E EMIGRACIONIT

Rubrika  e Emigracionit: Avokati Kieran Both për ju

Avokati Kieran Both

– JINI TE KUJDESSHËM në plotësimin e formularëve për Emigracionin – NËSE BËNI GABIME MUND TË HUMBISNI pagesën që keni bërë për procesin, dhe mund të përfundoni edhe në proces deportimi.

Shërbimi i Emigracionit  dhe Shtetësisë amerikane (USCIS)  ka njoftuar për një politikë të re që ka të bëjë  me aplikimet. Emigracionit i jepet mundësi të refuzojë një aplikim pa i dërguar paraprakisht aplikuesit kërkesën për evidenca  shtesë(RFE) ose njoftim për mundësinë e refuzimit të aplikimin(NOID) kur dëshmitë fillestare të kërkuara nuk janë dorëzuar  bashkë me aplikimin ose nuk janë të mjaftueshme për të vërtetuar se aplikimi meriton të aprovohet.

Kjo politikë hyn në fuqi më 11 shtator 2018 dhe zbatohet për të gjitha aplikimet që dorëzohen pas  kësaj date, me përjashtim të rinovimeve për DAKA-n.

Nëse një aplikim/kërkesë/ refuzohet, aplikanti e humbet tarifën(fee) e paguar për të dhe nëse ai / ajo/ dëshiron të ri- aplikojë, do t’i kërkohet që ta bëjë pagesën sërish. Pagesa për aplikimet për bashkime familjare(relative petition) dhe aplikimi për green card është $1,760.00.

Kjo është  një shumë e madhe për një gabim ose kur harron të përfshish/dorëzosh një dokument bashkëngjitur formularit. Ndaj u sugjerojmë lexuesve tanë të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm kur paraqesin aplikimet në USCIS, pasi siç thamë më lart një gabim i thjeshtë mund të rezultojë në proces deportimi të familjarit tuaj.

USCIS njoftoi kohët e fundit një tjetër politikë të re rreth njoftimeve për t’u paraqitur (Notice to Appear- NTA) për të huajt që konsiderohen të deportushëm nga ky vend.  Më parë  Shërbimi i Emigracionit i dërgonte NTA çdo personi prezenca e të cilit nuk ishte  më e ligjshme pas  momentit të refuzimit  të kërkesës. Me politikën e re,  nëse ju dilni jashtë statusit legal dhe kërkoni ndryshimin e tij, ju mund të viheni  në mënyrë të menjehershme në proces deportimi, fill pas refuzimit të kërkesës.

USCIS thotë se politikat e reja janë për të parandaluar aplikimet pa merita që ngadalësojnë procesin për aplikime të ligjshme. Sipas tyre personi vihet në proces deportimi edhe për shkak të nje gabimi në kuptimin apo leximin e udhëzimeve, ose harron t’i bashkëngjisë një dokument  formularit. Kjo do të thotë që zyrtarët e emigracionit kanë liri veprimi për të mohuar aplikimet e paplota dhe të papërshtatshme pa veprime të mëtejshme.

Në të kaluarën, USCIS  refuzonte vetëm aplikimet që nuk kishin shans miratimi,pa qënë nevoja për të kërkuar dokumenta shtesë. Tani, zyrtarët e USCIS kanë diskrecion të plotë për të mohuar aplikimet pa u dërguar aplikantëve kërkesë për info shtesë, RFE ose një NOID, kur gjykon se aplikanti nuk ka bazë ligjore për kërkesën që bën.

USCIS pohon se kjo politikë ka për qëllim të dekurajojë aplikimet e parregullta e të paplota.

USCIS do të refuzojë gjithashtu edhe aplikimet për ‘waiver’ që nuk kanë evidenca mbështetëse ose kur mungon ndonjë dokument që duhej të dorëzohej bashkëngjitur me  formularin. Për shëmbull formulari për green card duhet dorëzuar sëbashku me Affidavit of Support(Form I-864), nëqoftëse kërkohet.

USCIS mban qëndrimin se aplikanti duhet të provojë se ai / ajo/gëzon të drejtën për përfitime nga emigracionit dhe USCIS nuk duhet t’i kërkohet t’i japë më shumë kohë aplikantit për të vërtetuar rastin e tij. Zyrtarët e USCIS do të kenë ende mundësi për të lëshuar një RFE nëse është e nevojshme për aplikantin të plotësojë boshllëqet në kërkesën e tij për të vërtetuarr të drejtën e ligjshme për benefitin e kërkuar. Zyrtarët  e emigracionit gjithashtu kanë diskrecionin për të vërtetuar provat dhe informacionet duke u mbështetur në dosjet, sistemet dhe në bazë  të dhënave të tjera qeveritare, ose duke marrë informacione që janë të aksesushme.

Ne u rekomandojmë të gjithë kërkuesve dhe aplikuesve për përfitimet nga emigracioni të jenë të kujdesshëm. Një gabim i thjeshtë mund të jetë i kushtueshëm dhe i dëmshëm për të ardhmen tuaj. Lexoni me kujdes udhëzimet për çdo formular. Mos harroni se disa nga pyetjet mund të jenë të paqarta. Ju rekomandojmë që të konsultoheni me avokatë me përvojë të Emigracionit para se të paraqisni ndonjë peticion ose aplikim, veçanërisht nëse keni dalë jashtë statusit. Qëllimi ynë është që të ndihmojmë komunitetin shqiptar dhe emigrantët me informacion që të kërkojnë ndihmë në mënyrë të pavarur. Ju falënderojmë për komentet dhe pyetjet tuaja të vazhdueshme.

Ftojmë pyetjet tuaja në adresën tonë e-mail tek [email protected]

 

Comment

*