Nju Jork: Këshilli Bashkiak nderon 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës

Shkrimi Ilir Ikonomi, fotografitë Beqir Sina

Në Nju Jork, një grup anëtarësh të Këshillit Bashkiak të qytetit organizuan të martën mbrëma një kremtim për nder të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Nismëtar kryesor ishte Mark Gjonaj, i zgjedhur muajt e fundit si anëtar i këtij këshilli prestigjioz. Siç njofton kolegu ynë Ilir Ikonomi, aktiviteti nuk ishte thjesht një festim i pavarësisë, por edhe një nderim për sakrificën dhe përkushtimin e disa individëve në SHBA, që Kosova të mund të kishte shtetin e saj.

Këshilli i Bashkisë së Nju Jorkut, i cili tani ka një anëtar nga komuniteti shqiptar, vendosi t’i kushtojë një ceremoni 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, për të shprehur nderimin ndaj shtetit të ri dhe ndaj shqiptarëve të shumtë që jetojnë në këtë qytet. Mark Gjonaj është zgjedhur në Këshillin Bashkiak vetëm para pak muajsh.

Në sallën ku Këshilli zhvillon zakonisht seancat, hyjnë flamurët ceremonialë, që sillen nga pjestarë të Shoqatës Iliriane në Departamentin e Policisë së Nju Jorkut. Pastaj luhen hymnet e Amerikës, Shqipërisë dhe Kosovës.

Zoti Gjonaj priti këtë ceremoni të 10-vjetorit të pavarësisë, për t’i njoftuar komunitetit shqiptar disa projekte, që ai thotë se janë me rëndësi:

“Një shumë prej 4.8 milionë dollarësh për një qendër të komunitetit si dhe 500 mijë dollarë për Qendrën e Paqes Nënë Tereza në Bronks.”

Zoti Gjonaj i tha gjithashtu Zërit të Amerikës se në Bronks do të ketë edhe një projekt mjaft të veçantë për ruajtjen e kulturës shqiptare:

“Jam krenar që njoftoj ngritjen e shkollës së parë dygjuhëshe në Shtetet e Bashkuara. Ajo do të hapet këtë shtator duke filluar që nga programi i kopshtit të fëmijëve,” tha Gjonaj.

“Do të jetë një shkollë publike ku gjysma e mësimit do të bëhet në anglisht dhe gjysma në shqip; kjo do të vazhdojë deri në klasën e tetë. Pra, fjala është për 5 ditë në javë dhe me orar të plotë gjatë gjithë vitit shkollor. Është e vetmja mënyrë që ne të ruajmë gjuhën tonë dhe jam shumë krenar që njoftimin e bëj me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës,” njoftoi ai.

Grupi i Valleve Rozafati, solli në sallën e Bashkisë një pjesëz të gjallë shqiptare nga mozaiku shumetnik i Nju Jorkut.

Në ceremoni ishin disa të ftuar nderi, mes tyre kongresmeni nga Nju Jorku, Eliot Engel. Anëtari i Këshillit Bashkiak, Andrew Cohen, i dorëzoi atij një certifikatë mirënjohjeje për lobimin e gjatë në favor të Kosovës.

Zoti Engel tha se ka shumë rëndësi që SHBA të ruajnë lidhjet e ngushta me Kosovën.

“Kosovës i është mohuar anëtarësimi në OKB, por ne nuk do të ndalemi deri sa ajo të pranohet. Për tre vota asaj iu mohua hyrja në UNESCO. Ne do të vazhdojmë të luftojmë edhe për këtë. Ne do të vazhdojmë të luftojmë për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian dhe që ajo të ketë një ushtri. Nuk ka arsye që ajo të mos ketë ushtri dhe ne do të luftojmë që kjo të realizohet,” tha anëtari i Kongresit amerikan.

Teuta Sahatçija, Konsulle e Përgjithshme e Kosovës në Nju Jork, foli gjithashtu me optimizëm. Edhe pse Kosova ende përballet me vështirësi, edhe pse nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, procesi është i pakthyeshëm, tha ajo. “Pavarësia e Kosovës do të bëhet çdo ditë e më fortë.”

Mark Gjonaj nderoi në emër të Këshillit Bashkiak familjen e tre vëllezërve të vrarë Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyçi nga Hampton Bay i Nju Jorkut, trupat e të cilëve u gjetën në vitin 2001 në një varr masiv pranë një stacioni policie në Serbi. Autorët e krimit ende mbeten të lirë.

Në prani të prindërve foli një vëlla tjetër, Ilir Bytyçi, i cili i mbante me zor emocionet:

“Qysh nga vrasja e tyre, familja ime ka luftuar që vrasësit të sillen përpara drejtësisë. Drejtësi, kjo është ajo për të cilën kanë nevojë dhe meritojnë të gjitha familjet e viktimave,” tha zoti Bytyçi.

Në sallë kishte pjestarë të Batalionit Atlantiku, shqiptarë të Nju Jorkut që shkuan në Kosovë në vitin 1999 për të luftuar krahas UÇK-së.

“E vërteta do të dalë në sipërfaqe dhe fajtorët do të sillen para drejtësisë për rastin e vëllezërve Bytyqi. Ka qenë një vrasje makabre, ka qenë një ekzekutim. Ne ishim këtu në festimin e 10-vjetorit dhe një mirënjohje iu dha nga Bashkia e Nju Jorkut familjes dhe vëllezerve Bytyqi për sakrificën që kanë bërë për lirinë e Kosovës në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,” tha Gani Shehu.

“I kam njohur, shokë i kemi patur, – tha Ymer Kuka për Zërin e Amerikës. “Kur ata u nisën, ne u thamë komandantëve: vëllezërit të mos shkojnë të tre përnjëherësh. Le të vijë vetëm njëri, hidhni short. Por ata thanë se nuk ndaheshin kurrsesi për së gjalli dhe donin të shkonin të tre bashkë. Është tragjedi e madhe për familjen dhe për ne si shokë.”

Një certifikatë mirënjohjeje iu dha artistit të fotografisë Fadil Berisha, i cili ka luajtur rol si aktivist filantrop dhe humanitar gjatë luftës në Kosovë.

Ritchie Torres, anëtar i Këshillit Bashkiak, u shpreh:

“Gjatë luftës në Kosovë, Fadil Berisha u angazhua në fushatën ‘Ndaloni Vrasjet’ që njerëzit të mësonin për vrasjet që po ndodhnin në Kosovë, spastrimin etnik dhe gjenocidin. Arti dhe bujaria e Fadil Berishës pasqyron shpirtin e qytetit të Nju Jorkut, ndërkohë që historia e tij pasuron qytetin tonë dhe meriton vlerësimin e të gjithë njujorkasve”.

Kjo ceremoni për 10-vjetorin e Kosovës shtet, solli për pak orë në Bashkinë e Nju Jorkut forcën dhe dinjitetin e një diaspore që mban lidhje të forta me vendlindjen. Lidhje që nuk mund të shuhen. (Zëri i Amerikës)

 

Comment

*