Nuk dihen motivet e masakrës në Resulaj, policia është në kërkim të autorit

Tiranë, 10 gusht 2018 – Ende nuk dihen motivet e krimit makabër në fshatin Resulaj të Selenicës, në qarkun e Vlorës, i cili e tronditi gjithë Shqipërinë.

Ridvan Zykaj, 24 vjeçar, për motive dhe në rrethana ende të panjohura, ka shuar një familje të tërë tetë anëtarëshe, me të cilën ai kishte lidhje shumë të afërta gjaku. Mes viktimave janë edhe dy fëmijë.

Autoritetet policore kanë konfirmuar se viktimat janë: Demir Zykaj, 75 vjeç, bashkëshortja e tij Perie Zykaj, 72 vjeçe, Azem Zykaj, 45 vjeç, Afërdita Zykaj, 42 vjeçe, Besim Zykaj, 43 vjeç, Vasilika Zykaj 42 vjeçe, Sara Zykaj, 16 vjeçe dhe Ledion Zykaj, 8 vjeç.

Oranews raportoi se Ridvan Zykaj i ka vrarë së pari Demirin dhe gruan e tij, Perien e më pas ai i ka vrarë djalin e Demirit, Azemin dhe gruan e tij, Afërditën. Por, ai nuk është ndalur me kaq. Pasi ka dalë nga shtëpia ku i ka lënë të vrarë 4 kushërinj, ai ka shkuar në banesën e djalit tjetër të Demirit, Besimit, ku e ka vrarë atë bashkë me gruan, Vasilikën dhe fëmijët, Sarën dhe Ledionin.

Askush nuk e di ose nuk do të tregojë për ndonjë arsye se si është zhvilluar ngjarja dhe nëse autori ka shkuar i armatosur apo është kthyer pasi e ka marrë armën, pas ndonjë sherri apo zënke që mund të ketë pasur me kushërinjtë para kryerjes së krimit.

Një prej banorëve të fshatit Resulaj ka thënë se familjet Zykaj ishin të respektuara dhe nuk kanë pasur kurrfarë problemesh më parë. Sipas tij, disa vite më parë autori kishte pësuar djegie në 70 për qind të trupit, por nuk njihej si person me probleme.

Por, burime brenda policisë kanë bërë të ditur se Ridvan Zykaj ishte i njohur për policinë e zonës si hajdut ordiner dhe ishte arrestuar disa herë për shkak se kishte vjedhur pula në fshat. Ai vetë i kishte ca bagëti për të cilat kujdesej.

Prindërit e autorit të dyshuar janë shoqëruar në polici dhe po merren në pyetje. Ende nuk dihet nëse ata kanë qenë në dijeni për ndonjë sherr a konflikt midis birit të tyre dhe kushërinjëve të ndjerë.

Pas kryerjes së krimit, autori është larguar në drejtim të panjohur. Forca të shumta policore, nga Vlora dhe nga Tirana, si edhe trupa të njësive speciale RENEA, FNSH dhe DELTA, po kontrollojnë gjithë zonën përreth, duke përdorur edhe qentë gjurmues.

Policia kërkoi ndihmën e qytetarëve për të zbuluar vendndodhjen e autorit të krimit. Policia tha se beson se autori është i armatosur, prandaj i udhëzoi qytetarët që t’i shmagen përballjes me të por të njoftojnë policinë me telefon.

Në Vlorë ka shkuar edhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Ai ka shkuar atje, së bashku me drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit, për të inkurajuar pjesëtarët e policisë që të kryejnë me sukses operacionin e zbulimit dhe kapjes së autorit. (r.m.)

 

Comment

*