Nxënës konviktor në Sarandë

Pjesë nga shënimet me kujtime të Tomor Qemal Kokalarit, te titulluara nga vetë ai “Fragmente kujtimesh ne rrugët e jetës”.
Në foto: Viti 1935. Nxënësit e konviktit “Camëria” së bashku me mësuesit

 

Nga vetë natyra unë isha tip sanguin, çamarrok, kapriçioz. Edhe në shtëpi, unë isha si kokoshi që kakaris. Aneja e njihte natyrën time dhe mundohej që gjithmonë të më trajtonte në mënyrë më të përkëdhelur, vetëm e vetëm që të mos krijoja shamata. Sigurisht, këto unë i bëja kur s’ishte babai, se prej tij ne kishim ndrojtje dhe frikë. Babai i shqetësuar nga prapësitë e mia vendosi të më dërgonte për të ndjekur shkollën në Sarandë, duke bërë jetën e konviktorit, megjithëse isha shumë i vogël. Ai mendonte se duke jetuar me rregullat e konviktit, unë do të vihesha në rrugë të mbarë dhe edukimi im do të qe më efektiv.
Kështu në vitin shkollor 1938-1939, unë fillova klasën e dytë si konviktor në Konviktin “Camëria”. Mësuese kisha Xhemile Golemin, të cilën babai e kishte porositur të më mbante afër e nën kujdes, ashtu siç do të isha edhe nën kujdesin e Hasan Totos, i cili merrej me tregëti dhe kishte një dyqan aty pranë.
Në kushtet e reja, larg familjes dhe shokëve çamarrokë të lagjes, sjellja ime pati një ndryshim të madh, si nga pikëpamja e edukatës, ashtu edhe në përparimin në mësime ndaj arrita të vlerësohesha si nxënësi më i mirë, si në sjellje, ashtu edhe në përparimin në mësime. Babai merrte rregullisht informacion për mbarëvajtjen time nga i shoqi i mësuese Xhemilesë, i cili gjithashtu qe mësues në konviktin tonë. Në mars të vitit 1939, në prag të pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, erdhën e më takuan në konvikt xhaxhallarët Fuati, Hazbiu dhe Mikua, i cili qe kthyer përkohësisht nga Amerika dhe do të nisej përsëri për atje ato ditë, prandaj edhe dy xhxhallarët e tjerë po e shoqëronin për ta përcjellë. Ky ishte takimi i fundit që pata me xhaxha Mikon, sepse Lufta II Botërore dhe izolimi i gjatë i Shqipërisë komuniste nuk e lejuan të kthehej më në Shqipëri deri sa vdiq.
Natën, në të gdhirë të 7 prillit 1939, në konviktin tonë u dha alarm. I ranë çangës fort e fort, pastaj erdhën për të na çuar krevat më krevat, madje ndonjërin që hezitonte e morën me të rrahur. Shpejt e shpejt kujdestar Xhelali dhe mësuesit na renditen para konviktit dhe na vunë në rrugë. Nxënësit më të mëdhenj, që mësonin në klasat më të larta na shpjeguan se do të bëhej luftë dhe në Shqipëri do të zbarkonte ushtria italiane e Musolinit. Sigurisht, ne nuk e dinim se ç’ishte lufta, fashizmi dhe pushtimi. Te gjithe ne rrjesht u nisem per rruge. Pa zbardhur mire dita arritem mbi Sarande tek Qafa e Gjashtes. Nga kjo pike e larte dukej deti plot me vaporë. Mësuesit na urdhëruan të kalonim pas nje bregoreje në mënyrë që të ishim të siguruar nga çdo e papritur. Nuk kaloi shumë, kur aty pranë ndaloi një veturë e zezë, nga ku zbriti nënëdajkua ime, Meleqi bashke me Stavro Angjelin. Ata biseduan me kujdestarin dhe mësuesit dhe më morën mua me vete në Delvine tek dajko Elmazi (Kallapodhi). Ketu erdhi më takoi dhe xha Fuati (Kokalari), i cili ndodhej ato ditë në Delvinë dhe pati merak për mua.
Kishim dalë tek bregu para shtëpisë së Kallapodhate, duke pasur perballë Beqirefendin dhe i kishim ngulur syte rruges automobilistike per te parë se çfarë do të ndodhte me ardhjen e italianeve. Të gjithe ishin te brengosur.
-Na zaptoi Italia,- tha dajko Elmazi,- Vaj vatani ç’do të heqim, nuk ju sosën kurrë kusuret shqiptarëve….
-Ditë e zezë për Shqipërinë, – pasoi xha Fuati….
-U nxirrofshin, – mallkoi teto Mineja, e shoqja e dajko Veliut (Kallapodhit)…
Aty nga mesdita u dukën motoçikletat e para të ushtrisë italiane, pas tyre tanke dhe autoblinda dhe pas tyre nje karvan makinash me ushtarete armatosur e me helmeta ne koke. Ne fëmijët e përjetonim këtë pamje me habi të madhe dhe pa e kuptuar në thelb se çfarë po ndodhte. S’kishim parë kurrë makina gjigante si keto, me gryka zjarri te stërgjatura dhe një ushtri kaq të madhe, të armatosur gjer në dhëmbë.
Pas disa ditësh shkolla u rihap dhe ne filluam sërish mësimet. Kujdestar Xhelali, sikurse dhe më parë, por tani me nje zell edhe më të madh na lexonte pjesë nga “Historia e Skenderbeut”.
Ne qeshor mbaroi viti shkollor. Unë përfundova me rezultate shumë të mira klasën e dytë dhe u ktheva ne Gjirokastër pranë familjes. (Burimi: Muzeu Kokalari në Facebook)

Comment

*