OAEK: Politika po ndërhyn në sektorin privat

Prishtinë, 31 dhjetor 2018 – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), përmes një komunikate për media, në prag të vitit të ri, ka shprehur shqetësimet për ndërlidhjen e politikës me raportet ekonomike dhe tregtare si dhe ndërhyrjen e shpeshtë të institucioneve dhe zyrtarëve në sektorin privat.

Në komunikatë, duke iu referuar ngritjes së taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, i bëhet thirrje institucioneve udhëheqëse që “të përmbahen nga deklaratat që do të cënonin integrimin evropian të Kosovës si dhe të ndjekin reformat që do të sillnin investime të huaja”.

“Oda Amerikane beson se tregtia e lirë është një faktor i rëndësishëm në të mundësuarit e rritjes ekonomike përmes efikasitetit dhe inovacionit të shtuar, mundësive të eksportit si dhe cilësisë më të lartë dhe mallrave me çmime më të ulëta për konsumatorët, prandaj çfarëdo vendimi për vendosjen e barrierave jotarifore dhe tarifore jashtë frymës dhe zotimeve në kontekst të marrëveshjeve për tregti të lirë, si dhe zotimeve që vendi ka ndërmarrë për avancimin e rrugës së integrimit evropian, pavarësisht argumenteve që arsyetojnë veprimet e tilla”, thuhet në komunikatë.

“Sa i përket sulmeve të kohëpaskohshme ndaj kompanive dhe sektorëve të caktuar nga ana e zyrtarëve të lartë qeveritarë, Oda Amerikane i konsideron ato si ndërhyrje direkte në operacionet e sektorit privat, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e tjera përkatëse të shtetit, të cilat garantojnë një ekonomi të lirë të tregut. Oda Amerikane beson se shteti ka mekanizma të mjaftueshëm ligjor dhe institucional që trajtojnë çështjet e konkurrencës, tregut dhe mbrojtjes së konsumatorëve, roli kyç i të cilave është mbrojtja e interesit publik dhe të siguruarit që asnjë kompani, vendore apo e huaj, nuk abuzon me pozitën dominuese”, thuhet në komunikatë.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë thekson se çfarëdo vendimi për barriera tarifore dhe jotarifore do të gjenerojë efekte negative për ekonominë e Kosovës në periudhë afatgjate. (r.m.)

Comment

*