Obama: Angela Merkel, një udhëheqëse politike e jashtëzakonshme

Në librin e tij me kujtime “Një Tokë e Premtuar”, ish-Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, e quan “të besueshme, të ndershme dhe të saktë intelektualisht” kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Obama shkruan se në fillim Merkeli e kishte parë atë me skepticizëm dhe beson se kjo mund të ketë ndodhur për shkak të fjalimeve të tij të forta dhe “retorikës së ekzagjeruar”.

Sidoqoftë, ai nuk ia kishte marrë për të keq atë skepticizëm.

“Për një kryetar të qeverisë gjermane, antipatia ndaj një demagogjie të mundshme ishte ndoshta një qëndrim i shëndetshëm”, shkruan ai.

Obama shkruan se me kalimin e viteve, ai kishte konstatuar se ai ishte gjithnjë e më i pëlqyeshëm për Maerkelin, të cilën e quan “të besueshme, të ndershme, të saktë intelektualisht dhe miqësore në mënyrë të natyrshme”.

Sidoqoftë, Obama e kritikon politikën e Gjermanisë ndaj Greqisë gjatë vështirësive të Greqisë me borxhet pas kolapsit financiar, kur Merkel dhe ministri i atëhershëm i Financave, Wolfgang Schäuble (CDU) i ishin përmbajtur fort politikës së kursimeve dhe reduktimit të huave publike në përgjigje të pothuajse të gjitha vështirësitë ekonomike.

“Vura re se ata [Merkeli dhe ish Presidenti francez Nicolas Sarkozy] rrallë e përmendnin që bankat gjermane dhe franceze ishin disa nga huadhënësit më të mëdhenj në Greqi ose se shumica e borxhit të grumbulluar të grekëve ishte krijuar duke blerë eksporte gjermane dhe franceze – fakte që mund t’ua kishin bërë të qartë votuesve pse shpëtimi i grekëve nga paaftësia për të paguar borxhet kishte të njëjtën rëndësi si shpëtimi i bankave dhe industrive të tyre “, shkruan Obama.

Obama e kritikon edhe ish-Presidentin francez Nicolas Sarkozy, për të cilin ai mendon se nuk ishte “kundërpeshë e vërtetë” ndaj Merkelit.

“Ndryshe nga Merkeli, Sarkozy u shfaq shumë i çorganizuar për të hartuar një plan serioz për reformën ekonomike, shkruan Obama,  duke shtuar se qasjes së Sarkozys i mungonte “qëndrueshmëria ideologjike”.

“Mendjemprehtësi strategjike dhe durim i patundur”

Obama e përshkruan shkurtimisht për lexuesit edhe karrierën e kancelares Merkel. Ai shkruan se derisa u rrit në Bashkimi Kristjandemokrat Gjerman(CDU), në Gjermaninë Lindore, “e kishte mbajtur kokën ulur”, por pas ardhjes në krye të partisë, demonstroi atë që formësoi të gjithë karrierën e saj. “aftësitë organizative”, “mendjemprehtësinë strategjike” dhe “durimin e palëkundur”.

Para botimit të librit, në një intervistë me transmetuesin gjerman RTL, Obama e vlerësoi Merkelin si udhëheqëse e jashtëzakonshme politike në mbarë botën

“Unë mendoj shumë për Angela Merkelin. Ajo ka qenë një udhëheqëse e jashtëzakonshme politike, jo vetëm për Gjermaninë, por për Evropën dhe gjithë botën”, tha ai në intervistën e zhvilluar në Uashington, të premten.

Vëllimi i parë i kujtimeve të Obamës “Një Tokë e Premtuar” i ka 1024 faqe dhe del në treg në 25 gjuhë.

(DW)

Comment

*