O’Connell: I turpshëm kthimi i Xhabir Zharkut në Kosovë

Prishtinë, 13 qershor 2018 – Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Ruairi O’Connell e ka quajtur të turpshëm kthimin e Xhabir Zharkut në Kosovë si njeri i lirë.

“Xhabir Zharku është dënuar me tre vjet burgim për krimet e kryera. Kthimi i tij në Kosovë si njeri i lirë, është i turpshëm. Por, turpi i vërtetë në këtë ngjarje është se atij për gjashtë vjet iu lejua t’i ikë drejtësisë dhe asgjë nuk është bërë, që edhe politikanët e tjerë kriminel të bëjnë të njëjtën gjë”, ka shkruar në Facebook ambasadori britanik.

Ambasadori O’Connell ka thënë se personat e dënuar me burgim nuk do të duhej që të lejoheshin që të iknin nga vendi, por ata do të duhej që të vuajnë dënimin e tyre në burg.

“Shpresoj që reformat e drejtësisë të Qeverisë të mos kenë zbrazësi të tilla dhe t’u japin mbështetje atyre policëve dhe prokurorëve që janë seriozë në luftën kundër krimit të organizuar. Mbretëria e Bashkuara ka nevojë që Kosova të jetë partnere serioze në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka shkruar O’Connell.

Xhabir Zharku ishte arratisur nga Kosova pasi ishte dënuar me 3 vjet burg për veprën penale të detyrimit apo zhvatjes dhe është shpallur i pafajshëm për veprën penale të kërcënimit.

Ai është kthyer në Kosovë pak ditë më parë, pasi lënda e tij është parashkruar.

Me Kodin e vjetër Penal të Kosovës, por edhe me Kodin e ri Penal të Kosovës, “ekzekutimi i dënimit ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës që kërkohet nga ligji për afatin e parashkrimit”. (r.m.)

Comment

*