OEAK e përkrah ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”

Prishtinë, 15 tetor 2018 – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë e përkrah ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” , pasi sipas saj furnizimi stabil me energji elektrike është i domosdoshëm.

Në një komunikatë për media, ajo ka shprehur besimin që “një pjesë e konsiderueshme e sfidave me të cilat bizneset janë përballur në fushën e energjisë do të gjente adresën e zgjidhjes përmes ndërtimit të termocentralit ‘Kosova e Re’, pasi bizneset në Kosovë që nga përfundimi i luftës, si pengesë të konsiderueshme në zhvillimin e tyre kanë identifikuar energjinë elektrike”.

Përveç tjerash, në komunikatë është përmendur se linjiti, lëndë e cila përbën burimin kryesor natyror në Republikën e Kosovës, duhet të gjejë shfrytëzim në nxitjen e zhvillimit ekonomik në vend, marrë parasysh edhe teknologjinë e re në këtë fushë, që ka mundësuar që të ulet dukshëm ndikimi në mjedis i burimeve të tilla.

Ditë më parë Banka Botërore ka konfirmuar se nuk përkrah ndërtimin e këtij termocentrali me thëngjill, përderisa Qeveria e Kosovës dhe kompania fituese amerikane,“ContourGlobal” kanë thënë se ndërtimi i këtij termocentrali do të nisë në fillim të vitit të ardhshëm. (r.m.)

Comment

*