OEAK kërkon masa konkrete për rimëkëmbjen ekonomike

Prishtinë, 28 qershor 2020 – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, të dielën, u ka bërë thirrje akterëve politikë në Kosovë që të ndalin luftën e brendshme politike dhe të ndërmarrin hapa konkretë për rimëkëmbjen ekonomike.

Në komunikatën e kësaj organizate thuhet se në situatën aktuale nëpër të cilën po kalon ekonomia e vendit në përgjithësi, sektori privat në veçanti,  është mëse e nevojshme që temat e natyrës politike dhe mospajtimet rreth tyre të mos mbidominojnë temat që lidhen me përkrahjen e sektorit privat dhe rikuperimin e ekonomisë pas pandemisë COVID19.

“Në rrethana të tilla veprimi i shpejtë dhe konsensual nacional është imperativ, prandaj Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë u kërkon të gjitha institucioneve të Kosovës, ekzekutivit dhe legjislativit, por edhe partive politike që të shmangin luftën e brendshme politike dhe të ndjekin një agjendë dinamike të veprimeve që do të mundësonin ndërhyrjen e shpejtë të shtetit për ndërmarrjet dhe punonjësit e rrezikuar”, thuhet në komunikatë.

“Moszbatimi deri në fund i masave të Pakos Emergjente Fiskale dhe vonesa në aprovimin e një programi të rimëkëmbjes, edhe për shkak të vonesës së aprovimit nga ana e Kuvendit të Kosovës të rishikimit buxhetor dhe marrëveshjeve të kredive ndërkombëtare, të cilat janë kyçe për zbatimin e masave të ndërhyrjes shtetërore, përbëjnë kërcënim serioz për dhjetëra mijëra vende të punës, thuhet në komunikatën e OEAK.

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të ratifikojë një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare financiare, pasi partitë opozitare nuk kanë pranuar t’i votojnë ato, për arsye ekskluzivisht politike.

Mekanizmat financiarë ndërkombëtarë në raportet e tyre të publikuar për efektet e pandemisë në ekonominë e Kosovë, kanë vlerësuar se janë shkaktuar dëme të mëdha.

Banka Botërore në raportin e saj ka paraparë një rënie ekonomike prej 4,5 për qind në Kosovë.

(r.m.)

Comment

*