OEAK: Situata pas pandemisë mund të ofrojë mundësi të reja për prodhuesit

Prishtinë, 25 prill 2020 – Në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) u diskutua për gjendjen aktuale të ekonomisë së Kosovës.

Gjatë diskutimit u tha se vështirësitë dhe problemet me të cilat do të përballen bizneset e vendit nga pandemia COVID-19 dhe çrregullimet në zinxhirë ndërkombëtarë të furnizimeve  krijojnë mundësi për zhvillimin e disa industrive në Kosovë, sidomos sektorin e prodhimit.

Afaristët e bashkuar në OEAK vlerësuan se në këto kohë pasigurie, kur niveli i konsumit është më i lartë, roli i prodhuesve që kanë ndikimin më të madh në ekonominë e shtetit shihet si gjithnjë e më i rëndësishëm.

Visar Ramajli nga kompania KIVO tha se të gjitha industritë janë goditur nga pandemia, për shkak të vështirësimit të funksionimit të zinxhirëve globalë të furnizimit dhe për shkak të implikimeve të vendimeve të qeverisë.

Ramajli theksoi se pavarësisht prej problemeve të krijuara, nuk ka pasur ndërprerje të plotë të prodhimit dhe të qarkullimit të mallrave.

Duke folur për ndikimin e përgjithshëm të pandemisë në ekonomi, Ramajli tha se tash për tash nuk mund të ketë një vlerësim të saktë për gjendjen dhe për pasojat, por theksoi se duhet të punohet në zhvillimin dhe në forcimin e ekonomisë.

Ramajli tha gjithashtu se në këtë situatë do të ketë edhe mundësi të reja për industritë prodhuese në Kosovë, me që, me gjasë, kompanitë e mëdha do ta zhvendosin prodhimin ose furnizimin e tyre nga Azia.

Ramajli tha se shteti i Kosovës duhet të bëhet më atraktiv për investitorët e huaj, në mënyrë që të arrihet një zhvillim i qëndrueshëm ekonomik. Ai tha se për zhvillim është e nevojshme të investohet në sektorët e prodhimit që kanë mundësi eksporti, siç janë prodhimi i produkteve ekzistuese, por edhe prodjimi i produkteve të reja.

Mërgim Prishtina nga kompania “Trepharm”, tha se kjo situatë e krijuar ka pasur ndikim të madh në industritë prodhuese, sidomos në ato farmaceutike, për shkak të kërkesës së rritur.

Prishtina tha se situata pas pandemisë do të krijojë mundësi të reja për kompanitë prodhuese në Kosovë.

Por, ai theksoi nevojën e ndryshimit të perceptimit të politikbërësve për ndërmarrësit në Kosovë dhe për thellimin e bashkëpunimit me qëllim të rimëkëmbjes së shpejtë të ekonomisë, pas përfundimit të pandemisë.

Prishtina tha se prodhuesit nga Ballkani po planifikojnë të nisin prodhimin e produkteve që deri më tani janë importuar nga shtetet tjera, për të plotësuar kështu nevojat e brendshme të konsumit, por edhe nevojat e kontinentit të Evropës. (r.m.)

Comment

*