OEK ia propozon Qeverisë disa masa për mbështetjen e bizneseve

Prishtinë, 30 mars 2020 – Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) vlerëson se ekonomia e vendit po dëmtohet 10 milionë euro në ditë, për shkak të epidemisë së COVID-19.

“Kjo është jashtëzakonisht shumë për ekonominë tone. Nëse kjo zgjat deri në 3 muaj, janë diku 1 miliardë euro dëme në ekonominë e vendit”, tha kryetari i OEK, Berat Rukiqi, në një konferencë për medie.

Rukiqi tha se në Kosovë ka rënie të qarkullimit deri në 20 për qind në sektorin e ndërtimit dhe të prodhimit.

Kjo është arsyeja që përfaqësuesit e sektorit privat i sugjerojnë Qeverisë të zotohet për sigurimin e likuiditetit të mjaftueshëm në sistemin ekonomik të vendit, si në sektorin publik ashtu edhe në sektorin privat.

Propozimet e OEK:

– Të sigurohen pagat nga Qeveria për sektorin privat, për të gjitha bizneset, të cilat Qeveria me vendim numër 01/07 të datës 11.03.2020 dhe vendimet tjera pasuese ua ka ndërprerë veprimtarinë e tyre afariste, dhe këto biznese nuk mund të sigurojnë më të hyra për pagat e të punësuarve në sektorin privat. Pagat e punëtorëve të sektorit privat të paguhen në bazë të listës së pagave të të punësuarve të realizuara nga muaji paraprak përmes ATK-Trusti.

– Të kompensohen nga Qeveria shpenzimet e qirasë së objekteve, zyrave, depove etj, të sektorit privat derisa të ndryshohet vendimi i Qeverisë për të filluar puna normale.

-Të paguhet nga Qeveria tatimi në fitim, për kuartalin e parë (TM1) dhe obligimet tjera tatimore për sektorin privat, derisa të ndryshohet vendimi i Qeverisë së Kosovës për të filluar puna normale.

– Qeveria të krijojë Fondin për mbështetje financiare -Pako stimuluese për sektorin privat.

– Të merret vendim nga Qeveria për shtyrjen e afatit të raportimit financiar në Këshillin për raportim financiar të Republikës së Kosovës në afat prej 3 muajve.

– Të prolongohen obligimet e kësteve të kredive për sektorin privat në afatin kohor prej tre muajsh, duke filluar nga data 1 prill deri më 1 korrik.

– Të zgjatet me automatizëm afati i licencave të operimit, të gjitha licencat të cilave u ka skaduar afati deri në marrjen e një vendimi tjetër.

– Të lirohen nga pagesat operatorët e transportit rrugor të udhëtarëve me rastin e vazhdimit të rendeve të udhëtimit nga Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit dhe të subvencionohet nga Qeveria regjistrimi i automjeteve transportuese për bartjen e udhëtarëve, mallrave si dhe makineritë e pajisjet tjera të sektorit privat, si dhe të lirohet nga akciza për derivate të naftës gjatë kohës sa zgjasin masat e Qeverisë.

– Të hiqet vendimi administrativ i kufizimit në tërheqjen e parasë së gatshme nga llogaritë bankare, komerciale e sidomos për institucionet financiare jo bankare nga BQK.

(r.m.)

Comment

*