OEK: Shqipëria të mos i nënverësojë prodhimet “Made in Kosova”

Prishtinë, 14 gusht 2017 – Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka ngritur shqetësimin për “qasjen jashtëzakonisht diskriminuese’ të autoriteteve të Republikës së Shqipërisë ndaj prodhimeve të Kosovës.

OEK, thotë se gjatë stinës së verës Shqipërinë e kanë vizituar mbi 1.5 milionë vizitorë,  kurse importi nga Shqipëria është afër 140 milionë euro. Kështu, përfitimet e ekonomisë së Shqipërisë nga turistët kosovarë dhe nga tregtia me Kosovën arrijnë vlerën e 600 milionë eurove.

“Ky është një fakt mjaft inkurajues. pasi që nxit bashkëpunimin e domosdoshëm në mes dy vendeve edhe në fusha të tjera dhe i kontribuon për zhvillimit të bizneseve të ndryshme në të dy anët e kufirit të një populli të ndarë në dy shtete’, thuhet në komunikatën e OEK.

‘Mirëpo në krejt këtë hapësirë të mundësive që mund të krijohen për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar, mbetet fakt shqetësues politika dhe qasja jashtëzakonisht diskriminuese e autoriteteve të Republikës së Shqipërisë qoftë ndaj prodhimeve ‘Made in Kosova’, por në nivele të ndryshme të administratës të cilat sidomos në sezonin e verës, krijojnë barriera të paprecedenta jo-tarifore, për të penguar dhe dobësuar aftësinë konkurruese të produkteve kosovare në tregun e Shqipërisë, sidomos për brendet kosovare që janë të mirëpritura në çdo treg, siç është rasti me birrën, miellin, djathin, qumështin, patatet, verërat dhe produktet tjera. Kjo është edhe më shqetësuese nga një qasje negative ndaj turistëve kosovarë duke i trajtuar dhe keqtrajtuar si të pa dëshiruar dhe të nënvlerësuar në krahasim me turistët tjerë nga rajoni dhe më gjerë. Këto barriera jo-tarifore që shfaqen qoftë në formë të çmimeve referente, qoftë në formë të burokracisë, qoftë në formë të inspektimeve dhe procedurave dhe së fundi duke tentuar të njollosin kompanitë kosovare që eksportojnë në Shqipëri duke i quajtur si shkelëse të ligjeve dhe ato që krijojnë evazion fiskal në Shqipëri janë vërtet shqetësuese”, thuhet në komunikatën e OEK-ut.

Asociacioni më i madh i bizneseve të Ksovës thekson se “një qasje e këtillë e institucioneve shqiptare përball produkteve dhe ndërmarrësisë kosovare janë shembulli më i mirë i pasqyrimit të një mos disponimi për bashkëpunim në mes të dy shteteve e në veçanti kur flitet në krijimin e një platfome të përbashkët ekonomike e cila në fakt shërben vetëm për takime që nuk prodhojnë asnjë efekt ekonomik përveç një marketingu medial”.

“Është koha që të vetëdijesohemi se interesi ekonomik duhet të jetë prioritet dhe brenda këtij interesi duhet të definojmë orientimet e ekonomive tona, mbi bazën e aftësive konkurruese komplementare, bazuar në një platformë të përbashkët të zhvillimit që funksionon pa barriera dhe është stimuluese për bashkëpunim reciprok dhe zhvillimin e sektorit privat në veçanti ati prodhues dhe shërbimeve”, thuhet më tutje në komunikatë.

“Nuk duhet të trajtohemi si ekonomi konkurrente në mes vete por si ekonomi dhe tregje komplementare në prodhim dhe shërbime. Prandaj nënçmimi ndaj prodhimeve “Made in Kosova” dhe vizitorëve nga Kosova në bregdetin e Shqipërisë nuk i bënë nderë rrugëtimit tonë drejtë integrimit evropian në të cilin rrugëtim përmes një qasje të tillë dëshmohemi si jo seriozë përball Brukselit por edhe më shumë jo serioz përball popullit. Vendet e shumta në Evropë dhe më gjerë i bashkon ekonomia dhe bashkëpunimi ekonomik prandaj të eliminojmë patriotizmin folklorik dhe tentativën për të hijeshuar të kaluarën duke e dëmtuar dhe anashkaluar rëndë ndërtimin e ardhmërisë e cila duhet të fuqizohet me bashkëpunim ekonomik në forma të avancuara dhe modern”, thuhet në fund të komunikatës së OEK. (r.m.)

Comment

*