OEK: Vendimi për masa mbrojtëse për pemë dhe perime ishte kundërproduktiv

Prishtinë, 31 korrik 2018 – Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) e vlerëson si kundërproduktiv vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës doganore për disa produkte bujqësore që importohen në Kosovë.

Sipas OEK, vendimi e ka çrregulluar tregun vendor dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në çmimin e produkteve bujqësore për kompanitë tregtare dhe për kompanitë përpunuese që kanë lëndë të parë produktet e përfshira në listën e produkteve të mbrojtura.

“Oda Ekonomike e Kosovës është angazhuar që ta kuptojë efektin e këtij vendimi direkt nga kompanitë e industrisë përkatëse, ku është raportuar se rritja mesatare e çmimeve për produktet që ka prekur masa mbrojtëse është 21.6%, kjo për arsye se është rritur çmimi i lëndës së parë dhe kostoja e importit për kompanitë tregtare. Si rezultat i matshëm i këtij vendimi është vërejtur zvogëlim i marzhës së fitimit dhe sasisë së shitur. Për më shumë, shumica e bizneseve të industrisë kanë theksuar se nuk ka prodhim vendor të mjaftueshëm për të përmbushur nevojat e konsumatorëve për pemë dhe perime dhe se vendimi nuk është marrë në kohë të përshtatshme”, thuhet në reagimin e OEK-së.

OEK thotë se e kupton që qëllim kryesor i këtij vendimi ishte mbështetja e prodhimit vendor, por threkson se vendimi nuk ka marrë parasysh një segment madhor të industrive, asaj përpunuese dhe tregtare.

“Rrjedhimisht, çdo efekt pozitiv që është vërejtur tek kompanitë prodhuese është mbipeshuar nga efektet negative tek kompanitë përpunuese”, thekson OEK.

OEK u bën thirrje autoriteteve qeveritare që para se të merren vendime të ngjashme, në të ardhmen, të bëhen analiza dhe studime të detajuara lidhur me efektet zinxhirore që pasojnë, nga të cilat varet edhe suksesi i një politike të tillë.

Nga të dhënat e Doganës së Kosovës lidhur me importin e pemëve dhe perimeve për vitin 2018, del se vendimi për masa mbrojtëse nuk gjen arsyeshmëri, pasi nuk është raportuar për rritje e importit.

“Statistikisht nuk ka pasur vëllim të shtuar të importit për pemët dhe perimet me çka edhe vihet në pikëpyetje nevoja për këtë masë mbrojtëse, së paku jo kaq të shpejtuar dhe pa konsultime paraprake me palët e interesit”, deklaron OEK.

Sa për ilustrim, si rezultat i masës mbrojtëse, importi për vitin 2018 për ditët gjatë së cilës është aplikuar masa, krahasuar me ditët e njëjta në vitin 2017, ka shënuar një rënie të lehtë prej €40,000.

Oda Ekonomike e Kosovës shpreh gatishmërinë të jetë partner i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për kuptimin e nevojave reale të bizneseve vendore dhe për bashkërendimin e aktiviteteve për përmbushjen e këtyre nevojave. (r.m.)

Comment

*