OKB: Bota ballafaqohet me krizën më të keqe humanitare prej vitit 1945

Nju Jork, 11 mars 2017 – Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) vlerëson se bota ballafaqohet sot me krizën më të keqe humanitare qysh prej vitit 1945.

“Ne ballafaqohemi me krizën më të madhe humanitare prej se është krijuar Organizata e Kombeve të Bashkuara, në vitin 1945”, ka thënë Shefi i OKB-së për çështje humanitare, Stephen O’Brien, citon Radio Evropa e Lirë.

Ai ka deklaruar se mbi 20 milionë njerëz nga katër vende vuajnë nga uria dhe, rrjedhimisht, edhe nga vdekja e shkaktuar nga kjo gjendje dhe ka kërkuar angazhime të përbashkëta për zbutjen e kësaj krize.

“Pa përpjekje të përbashkëta globale dhe të koordinuara, njerëzit thjeshtë do të vdesin”, ka thënë ai, në një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

O’Brien ka kërkuar një mdihmë urgjente prej 4.4 miliardë dollarësh, deri në muajin korrik, për Jemenin, Sudanin Jugor, Somalinë dhe pjesën verilindore të Nigerisë.

Po ashtu, ai ka thënë se duhet të ketë qasje të papenguar për ndihmë humanitare për “ta evituar katastrofën”.

O’Brien ka thënë se pa këtë ndihmë madhore fëmijët do të vuajnë nga mungesa e ushqimit dhe nuk do të jenë në gjendje të shkojnë në shkollë, të përfitojnë nga zhvillimi ekonomik.

Ai ka theksuar gjendja më alarmante është në Jemen, ku dy të tretat e popullsisë kanë nevojë për ndihmë dhe më se 7 milionë njerëz vuajnë nga uria. (r.m.)

Comment

*