Opozita: Dialogut duhet t’i prijë Haradinaj, jo Thaçi

Prishtinë, 20 dhjetor 2017 – Faza përmbyllëse e dialogut mes Kosovës e Serbisë nuk duhet të udhëhiqet nga presidenti i Kosovës. Përkundrazi. Qeveria është ajo e cila duhet t’i prijë këtij procesi.

Kështu kanë deklaruar përfaqësuesit e partive opozitare, të cilët kanë thënë se presidenti Thaçi është mandatuar vetë për ta udhëhequr këtë proces.

Ata kujtojnë se ende është në fuqi Rezoluta e Kuvendit të Kosovës, e cila e mandaton Qeverinë e Kosovës që të zhvillojë bisedimet me Serbinë.

Sipas tyre, gjatë këtij viti presidenti Hashim Thaçi është vetëmandatuar që t’i udhëheqë këto negociata, shkruan sot Gazeta “Zëri”

Megjithatë, Bashkimi Evropian e ka konfirmuar se dialogu Kosovë-Serbi do të zhvillohet në nivel presidentësh, tash e tutje. Në komunikatën e lëshuar pas takimit të shefes së diplomacisë së BE-së, Frederika Mogerini, me kryeministrat e vendeve Ballkanit Perëndimor bëhej e ditur se në takim është theksuar rëndësia e diskutimeve ndërmjet dy presidentëve, Hashim Thaçit e Aleksandar Vuçiqit, për ta çuar përpara dialogun.

Thaçi ka bërë të ditur qe sa kohë se dialogu Kosovë-Serbi do të kalojë në nivel presidentësh dhe ka paralajmëruar se për këtë qëllim do ta krijojë një grup të unitetit për dialogun, ku përfshihet edhe opozita.

Edhe Kryeministri Ramush Haradinaj, në një intervistë për KTV-në se faza e ardhshme të dialogut, e cila po konsiderohet si fazë përmbyllëse, do të udhëhiqet nga presidentët e dy vendeve.  (r.m.)

Comment

*