Opozita e bojkoton seancën, kërkon anulimin e votimit të Ligjit për Teatrin

Tiranë, 9 korrik 2018 – Deputetët e opozitës e  bojkotuan seancën e sotme plenare të Kuvendit të Shqipërisë, në shenjë proteste ndaj votimit të ligjit për Teatrin Kombëtar, të enjten që shkoi, raporton ORA News.

Opozita thotë se procesi i votimi ishte i panipuluar, prandaj kërkon anulimin e votimit.

Në fillim të seancës, në sallën e Kuvendit ishin të pranishëm vetëm kryetarët e dy grupeve parlamentare opozitare, PD-së dhe LSI-së, Edmond Spaho dhe Petrit Vasili.

Ata kërkuan nga kreu i Kuvendit, Gramos Ruçi, përgjigje  lidhur me kërkesën e tyre për anulimin e votimit të Ligjit për Teatrin Kombëtar, ndërsa Ruçi tha se ende nuk ka një qëndrim lidhur me kërkesën.

“Sot jam njohur me këtë kërkesë. Do të kem një qëndrim në fund të ivestigimit që do të bëjë komisioni përkatës”, tha ai.

Ndërsa Vasili shpjegoi se kjo është kërkesë që qartëson se në sallën e Kuvendit ka rënë çdo standart i funksionimit të Kuvendit.

“Është në vijimësi të të njëjtit standart që i hoqi mundësinë opozitës dy javë më parë të vazhdonte të fliste. Në përputhje me rregulloren kërkesa jonë për shkak të kësaj séance që është kërkuar nga ju, është depozituar dy ditë përpara, sikurse rregullorja e kërkon”, tha Vasili.

“Ka qenë koha e nevojshme për të bërë investigimin e duhur për këtë çështje. Është fare e qartë që nuk mundet që parlamenti të funksionojë si ditët e tjera, përderisa ka zgjedhur të funksionojë për ditën e hënë duhet ta bënte. Është standart shumë i ulët ku vota u tjetërsua në mënyrën më të turpshme dhe për ne është e papranueshme dhe e patolerueshme që në këtë situatë të vazhdojmë sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe të jemi këtu dhe të ligjërojmë këtë gjë që ishte emergjencë dhe duhet të verifikohej dhe nuk mund të hapej seanca”, shtoi ai.

Diskutimi i Vasilit hasi në reagime të deputetëve të pozitës dhe Vasili i kërkoi kryetarit t’i qetësojë.

“Qetësoji Gramoz që të flasim dhe ne. Kjo situatë e papranueshme, bën që ne të mos vazhdojmë dot së bashku derisa kjo situatë të sqarohet dhe ky rivotim të kryhet”, tha ai.

Shefi i deputetëve të PD-së, Edmond Spaho, e mbështeti kërkesën e Vasilit për anulimin e votimit të Ligjit për Teatrin Kombëtar.

“Mbështes qëndrimin e zotit Vasili. Të enjten është kryer votimi për shembjen e Teatrit Kombëtar në një akt të paprecedent por më shumë se përmbajtja e ligjit dhe vetë procesi i votimit ka pasur difekte, rezultati është manipuluar. Një nga deputetët e opozitës pa qenë në sallë rezulton të ketë votuar pro ligjit për shembjen e Teatrit. Nuk është hera e parë në këtë kuvend që të ndodhin çudira të tilla.Kërkesa jonë për të anuluar votimin, për ta rivotuar ligjin, është bërë para dy ditësh”, tha ai.

“E para gjë që duhet të bënte Kuvendi do të ishte verifikimi i pretendimeve të opozitës dhe sot të kishim  një përgjigje të qartë çfarë ka ndodhur. Në këto kushte ne nuk do të marrim pjesë në seancën e sotme për shkak se gjendje të tilla në Kuvendin e Shqipërisë po bëhen të zakonshme.Opozita jo vetëm po pengohet nga e drejta e fjalës por vullneti i saj po denatyrohet përmes mekanizmave të tilla që falsifikojnë votimin e  këtij ligji kaq të rëndësishëm dhe të kontestuar nga një pjesë e madhe e opinionit publik”, shtoi Spaho.

Kryetari i Kuvendit, Gramos Ruçi, tha se ai e ka marrë sot kërkesën e dorëzuar të premten nga opozita dhe ka kërkuar verifikimin e pretendimeve të opozitës.

“ Kërkesën sot e kam marrë si kryetar Kuvendi, e keni depozituar para dy ditësh por në orën e fundit të orarit zyrtar. Të shtunën dhe të dielën nuk ka funksionuar administrata. Sot, që në orët e para të mëngjesit, kam dhënë shënimin për Sekretariatin e Votimit, i kam dhënë porosi administratës t’u vërë në dispozicion të gjithë dokumentacionin dhe pamjet filmike të sallës, ta shqyrtojnë çështjen dhe të japin mendimin, mbi bazë të mendimit do marr vendimin përkatës”, tha Ruçi.

(r.m.)

Comment

*