Opozita e mirëpret deklaratën e Mustafës për zgjedhje të parakohshme

Prishtinë, 15 prill 2017 – Partitë opozitare e kanë mirëpritur deklaratën e Kryeministrit Isa Mustafa se Kosova mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme nëse Kuvendi nuk e mitraton marrsëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

Deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, ka thënë për gazetën “Zëri” se kjo deklaratë është një shenjë pozitive se kryeministri Mustafa, i cili me kryeneçësi e ka injoruar kërkesën e opozitës, e ka kuptuar se Demarkacioni nuk mund të kalojë.

“Tashmë po dëshmohet që rezistenca opozitare e qytetare si edhe kontributi që kanë dhënë disa deputetë të mazhorancës dhe ekspertët është duke u vlerësuar dhe natyrisht që Vetëvendosje ka qëndrim të njëjtë sa i përket kësaj Marrëveshjeje të Demarkacionit”, ka thënë Haxhiu për “Zërin”.

Ajo ka thënë se opozita nuk beson se Mustafa do ta sjellë fare në Kuvend marrëveshjen e Demarkacionit. Por, në rast se eveëntualisht edhe do ta sjellë, ajo do ta ketë të njëjtin përfundim.

“Askush nuk është në dilemë se kjo marrëveshje i falë mbi 8,200 hektarë. Tashmë është dëshmuar me qindra herë, përmes ekspertizave të ekspertëve e profesorëve tanë. Në qoftë se kjo marrëveshje i humb 8.200 hektarë nuk ka asnjë kuptim që ajo të kthehet në Kuvend”, është shprehutr ajo.

Haxhiu ka thënë se kryeministri Mustafa ka pasur shumë raste ta kthejë këtë marrëveshje në rishqyrtim, sidomos kur edhe Mali i Zi ka qenë i gatshëm për këtë, por Mustafa nuk e ka bërë këtë, nga kryeneçësia e tij.

“Besoj se është koha e fundit kur duhet të ndërgjegjësohet dhe të reflektojë në raport me këtë marrëveshje…”, ka thënë Haxhiu.

Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, ka thënë se deklarata e kryeministrit Mustafa dëshmon se koalicioni qeverisës po e përfundon këtë mandat.

“Ne, me mocionin e mosbesimit të Qeverisë, kemi treguar që është momenti i fundit që kjo qeveri ta çojë vendin në zgjedhje. Ky moment dhe kjo deklaratë e kryeministrit tregon edhe një herë që koalicioni, me gjithë ata numra, votat i përdori vetëm kur kishte çështje që nuk ishin në interes të vendit”, ka thënë ajo.

Edhe shefja e Grupit Parlamentar të Nismës për Kosovën, Valedete Bajrami, ka thënë se kryeministri Mustafa, me këtë deklaratë, e pranon se ky koalicion ka dështuar.

“Përfundimisht edhe ai u dorëzua sepse as deputetët e tij nuk do ta votojnë këtë marrëveshje dhe janë bindur se është e dëmshme”, ka thënë ajo.

Ajo ka theënë se ka një vit e gjysmë që kryeministri do të duhej bindur se kjo marrëveshje nuk do të kalojë.

“Kryeministri e ka mbajtur peng me atë kryeneçësinë e tij, duke insistuar se kjo marrëveshje është krejt në rregull. Ne vazhdimisht kemi bërë thirrje dhe që ekspertët e kanë dëshmuar se kjo marrëveshje përbën rrezik për humbje të territorit të vendit”, ka potencuar Bajrami.

Ajo shpreson që deklarata e kryeministrit Mustafa të jetë një shenjë reflektimi edhe Kosova të shkojë sa më parë në zgjedhje. (r.m.)

Comment

*