Opozita kërkon komision hetimor për deportimin e gylenistëve

Prishtinë, 1 prill 2018 – Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, me mbështetjen e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes dhe Grupit të Deputetëve të Pavarur, ka filluar procedurat për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme lidhur me operacionin e arrestimit në Kosovë dhe deportimit në Turqi të gjashtë shtetasve turq që kishin leje të rregullta qëndrimi në Kosovë.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit është thirrur për të martën me arsyetim se operacioni është kryer në kundërshtim me Kushtetutën dhe me ligjeve e Kosovës për të huajt.

Ilir Deda, deputeti opozitar i Kuvendit të Kosovës nga Alternativa, e cila është pjesë e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ka thënë se seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, duhet të ketë rezultat krijimin e Komisionit hetimor parlamentar për rastin e gjashtë shtetasve turq.

“Rezultat i kësaj seance duhet të jetë pajtimi i të gjitha partive politike që të krijohet një Komisioni hetimor parlamentar, që në mënyrë institucionale i identifikon shkelësit e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, ka thënë Deda për Radion Evropa e Lirë.

Por, hetim parlamentar lidhur me operacionin e deportimit në Turqi të gjashtë gylenistëve kërkon edhe Grupi Parlamentar i Nismës Socialdemokrate, e cila është pjesë e koalicionit qeveritar.

Kjo parti ka vlerësuar se “transparenca e plotë dhe përgjegjësia e të gjithë njerëzve të përfshirë në këtë veprim, është minimumi i asaj që duhet të bëhet urgjentisht”.

Edhe udhëheqësit e institucioneve më të larta shtetërore të Kosovës kanë thënë të shtunën se kanë urdhëruar hetime gjithëpërfshirëse në të gjitha institucionet e përfshira në operacionin e arrestimit dhe deportimit të gjashtë shtetasve turq.

​Kryeministri I Kosovës Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se nuk ka qenë fare i informuar për veprimet e institucioneve të sigurisë për operacionin e dëbimit, ka thënë se veprime të tillanuk guxojnë të përsëriten më, ka kërkuar hetim gjithëpërfshirës nga institucionet e sigurisë.

“Kam kërkuar nga institucionet përgjegjëse për zhvillimet rreth ndalimit, revokimit të lejeve qëndrimit dhe deportimit të shpejtë dhe të fshehtë të gjashtë shtetasve turq”, ka thënë ai.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të shtunën ka thënë se rasti po hetohet nga organet kompetente. Por, ai ka thënë se e posedon një raport të detajuar të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) që thotë se gjashtë shtetasit turq të deportuar përbënin rrezik për sigurinë në Kosovë.

Avokati i Popullit ka vendosur të hapë rast Ex Officio lidhur me operacionin dhe ka kërkuar hetime të detajuara të veprimeve të autoriteteve publike.

Sipas raportimeve nga Turqia, operacioni i arrestimit dhe deportimit të gjashtë shtetaseve turq është kryer në bashkëveprim të agjencive të inteligjencës së Turqisë dhe Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kërkoi lirimin nga detyra të ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, dhe drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi.

Por, për këtë mori një kërcënim serioz nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili i tha Haradinajt se për këtë do të japë “llogari”. (r.m.)

Comment

*