Opozita kërkon ndërprerjen e privatizimit të PTK-së

Prishtinë, 15 gusht 2013 –Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja “Vetëvendosje” (VV),  kërkojnë ndërprerjen e procesit të privatizimit të 75 për qind të aksioneve të Postës e Telekomit të Kosovës (PTK).

Avdullah Hoti, anëtar i grupit të ekspertëve të LDK-së për ekonomi,  ka thënë gjithashtu se procesi i privatizimit të PTK-së duhet të ndërpritet plotësisht.

Visar Ymeri, deputet i VV në Kuvendin e Kosovës, ka përsëritur vlerësimet e partisë së tij se privatizimi i PTK-së është i dëmshëm për Kosovën dhe, si I tillë, ai duhet të ndërpritet.

“Që nga fillimi, ky proces ka qenë i jashtëligjshëm, jotransparent dhe krejtësisht në dëm të ekonomisë së vendit”, ka thënë Ymeri.

Ai përsërit edhe dyshimet e shprehura menjëherë pas shpalljes së fituesit të tenderit, se prapa kompanisë fituese qëndrojnë njerëz të qeverisë së Kosovës.

Sipas Ymerit, fakti që nënshkrimi i kontratës po dështon, përforcon dyshimet se prapa kësaj blerjeje qëndrojnë njerëz të Qeverisë.

Komisioni qeveritar për privatizimin e PTK-së ka marrë vendim për shtyrjen e afatit për nënshkrimin e kontratës.

“Duke marrë parasysh kompleksitetin dhe rëndësinë e këtij transaksioni dhënia e një afati shtesë për nënshkrim të kontratës është në interesin më të lartë të Kosovës”, thuhej në kumtesën e lëshuar pas vendimit të komisionit.

Komisioni bëri të ditur se shtyrja pasoi refuzimin e kërkesave shtesë të fituesit të tenderit, por nuk ka shpjeguar se për çfarë kërkesash bëhet fjalë.

Kompania fituese, përve[ tjerash, kishte kërkuar zbritje dhjetëra milionëshe të çmimit të privatizimit.

Kompania “Axos & Najafi Cimpaniues”, pasi ka marrë premtimin për zbritje të çmimit prej 20 milionë eurosh me licencat 3G, ka kërkuar që çmimit të ofertës prej 277 milionë eurosh t’i zbritet edhe për 90 milionë euro. (R.M.)

Comment

*