Opozita refuzon të jetë pjesë e delegacionit të Kosovës që e udhëheq Thaçi

Prishtinë, 16 korrik 2018 – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u ka bërë thirrje partive opozitare që të jenë pjesë e delegacionit të Kosovës që do të marrë pjesë në dialogun me Serbinë, në Bruksel. Por, partitë opozitare kanë bërë të ditur se nuk do t’i kenë përfaqësuesit e tyre në delegacionin që e udhëheq Thaçi.

Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë më të madhe opozitare, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se LDK-ja nuk do të jetë pjesë e delegacionit. Ai ka shpjeguar arsyet e refuzimit të LDK-së.

“Ne kemi pasur tri parime për ndërtimin e konsensusit në Kuvendin e Republikës. Kjo nuk është arritur. Tashmë kërkesa e LDK-së ka evoluuar në formulën ‘legjitimitet para dialogut’, e cila nënkupton zgjedhjet (e parakohshme parlamentare) para dialogut. Ne nuk jemi pjesë e këtij delegacioni dhe as e delegacioneve eventuale jashtë një marrëveshje dhe një konsensusi politik, i cili mund të arrihet vetëm në Kuvend të Republikës”, ka thënë Haziri.

Ai ka theksuar se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do t’i legjitimonin institucionet përfaqësuese të Kosovës.

“Ne besojmë që kjo krizë, e cila është prodhuar politikisht në Kosovë, e ka degraduar legjitimitetin politik të përfaqësuesve dhe detyrimisht legjitimiteti për përfaqësim në format të tillë të dialogut është i domosdoshëm. Natyrisht që ky Kuvend nuk e ka formatin dhe autoritetin që të bartë kurrëfarë delegimi apo përgjegjësie më këtë angazhim. Kështu që, LDK-ja mbetet në rolin e saj opozitar brenda këtij Kuvendi, me kërkesa politike, të cilat do të vazhdojnë të afirmohen politikisht edhe me veprime konkrete opozitare brenda Kuvendit”, është shprehur Haziri.

Në delegacionin e Kosovës që do të udhëtojë në Bruksel për bisedime me Serbinë nuk do të marrin pjesë as përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje. Këtë e ka konfirmuar deputetja e kësaj partie, Albulena Haxhiu. Ajo ka thënë se për Lëvizjen Vetëvendosje është e papranueshme që Hashim Thaçi ta udhëheqë procesin e dialogut me Serbinë.

“Figura e Hashim Thaçit është një figurë përçarëse dhe një figurë që nuk përfaqëson unitet, një person i cili bart përgjegjësinë për të gjitha koncesionet që janë nënshkruar deri më tani, gjatë negociatave. Për ne është e papranueshme që ai ta përfaqësojë Republikën e Kosovës. Pra, ne, si subjekt politik, e kundërshtojmë fuqishëm këtë figurë që ta përfaqësojë Republikën e Kosovës. Në takimin e parë, por edhe në takimin e të mërkurës, siç po pritet që do të ndodhë, ky person nuk e përfaqëson Republikën e Kosovës, por i përfaqëson vetëm interesat e veta”, ka thënë Haxhiu për Radion Evropa e Lirë.

“Pikërisht Hashim Thaçi ka thënë se nuk ka ‘vija të kuqe’. Pra, do të diskutohet për gjithçka, si për decentralizimin, demarkacionin, por edhe për shkëmbim të territoreve dhe për çështje të tjera të brendshme të Republikës së Kosovës. Pra, me këtë qasje, nuk mund të pranojmë, në asnjë rrethanë, që të marrim pjesë në dialog”, ka theksuar deputetja Haxhiu.

Ajo ka thënë gjithashtu se personat tjerë që do të jenë pjesë e delegacionit  të Kosovës që i prin Thaçi nuk kanë legjitimitet dhe ka theksuar se Vetëvendosje ka kërkuar konsensus të gjerë të spektrit politik lidhur me dialogun me Serbinë.

Edhe njohës të zhvillimeve politike kanë thënë se Kosova do të jetë në pozicion të dobët negociues në qoftë se nuk arrihet një konsensus i gjerë i spektrit politik dhe pa pjesëmarrjen e opozitës në ekipin dialogues të Kosovës.

Më 18 korrik, në Bruksel, pritet të mbahet takimi ndërmjet dy delegacioneve, të Kosovës dhe të Serbisë. Delegacionit të Kosovës i prin presidenti Thaçi, i cili, siç është paralajmëruar, do të shoqërohet nga Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, Kryeministri Ramush Haradinaj dhe zyrtarë të tjerë, përfshirë zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj dhe ministrin e Jashtëm Behgjet Pacolli.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur që nga viti 2011. Sipas Bashkimit Evropian në fund të këtij procesi, të dyja vendet duhet të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e raporteve, e cila, pos tjerash, i çon të dyja vendet drejt integrimeve evropiane. (r.m.)

Comment

*