Opozita rikthehet në tryezën e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore

Tiranë, 23 maj 2020 – Opozita në Shqipëri ka vendosur të kthehet në tryezën e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore, raporton ABC News.

Të shtunën, dy përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare, Oerd bylykbashi dhe Petrit Vasili, përmes një letre drejtuar përfaqësuesve të parlamentit, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari, kanë shprehur gatishmërinë që mbledhja e radhës e këshillit të mbahet të hënën, më 25 maj.

“Reforma aktuale ka filluar me kërkesë të Opozitës në 2017 dhe falë veprimeve të njëanshme për minimin e saj nga shumica qeverisëse, ka qenë e pamundur përmbyllja e saj”, thuhet në letër.

Por, pavarësisht akuzave se shumica po përpiqet të minojë këtë reformë, ata theksojnë se opozita nuk do të heqë dorë.

“Rifillimi i procesit më 11 maj është goditur vazhdimisht nga deklarata dhe veprime që kanë shkaktuar krizë politike e që, qartazi, kanë pasur si qëllim shkatërrimin e këtij procesi jetik politik. Por, pavarësisht këtyre veprimeve të qëllimshme, Opozita e Bashkuar nuk do të heqë dorë nga objektivi i saj për të përmbushur pa vonesë obligimin e saj para shqiptarëve për zgjedhje demokratike”, theksojnë Bylykbashi e Vasili.

Letra e tyre u është përcjellë edhe delegacionit të BE-së dhe Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

PërfaqësuesIt e PD-Së dhe LSI-së kanë marrë menjëherë përgjigje nga kryesuesi i Këshillit Politik, Damian Gjiknuri.

Gjiknuri ka propozuar që mbledhja e Këshillit Politik të mbahet të martën, në orën 11:00, duke qenë se e hëna është ditë pushimi për festën e Bajramit.

Opozita ishte tërhequr nga Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore pas shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar në Tiranë. Ajo ndërroi mendje dhe vendosi të kthehet në tryezë pas takimit me Presidentin e vendit, Ilir Meta. (r.m.)

Comment

*