Opozita: “Thaçi po e rrezikon tërësinë territoriale të Kosovës”

Prishtinë, 4 gusht 2018 – Përfaqësuesit e partive opozitare në Kuvendin e Kosovës kanë paralajmëruar se nëse presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nuk jep dorëheqje, atëherë Kuvendi do t’i fillojë procedurat për shkarkimin e tij për shkak të rrezikimit të tërësisë territoriale të Kosovës.

Presidenti i Kosovës ka përsëritur deklaratën e tij se në fazën finale të dialogut do të diskutohet për demarkimin e kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe se pret mbështetje nga NATO-ja për këtë proces. Ai ka deklaruar gjithashtu se Lugina e Preshevës duhet t’i bashkohet Kosovës. Këto deklarata të Thaçit po cilësohen të rrezikshme nga ana e opozitës.

Ata e shohin korrigjimin e kufijve me Serbinë si ndarje të Kosovës, prandaj paralajmërojnë se Kuvendi do t’i fillojë procedurat për shkarkimin e tij për shkak të rrezikimit të tërësisë territoriale të Kosovës, shkruan gazeta Zëri.

Por, njohës të zhvillimeve politike në Kosovë thonë se deklaratat e Thaçit janë politike dhe joligjore. Sipas tyre, asnjë ndryshim s’mund ta bëjë presidenti pa miratimin e 2/3-s së deputetëve në Kuvend. (r.m.)

Comment

*