Opozita thërret protestë për rrëzimin e Qeverisë Rama

Tiranë, 18 maj 2018 – Opozita e bashkuar e Shqipërisë ka thirrur një protestë gjithëpopullore për rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Protesta me moton “Të rrëzojmë Ramën”, është ftuar për 26 maj

Ftesën e ka bërë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha , përkrah kryetarëve të partive opozitare aleat, pas takimit të tyre të përbashkët, ku është diskutuar për veprimin opozitar.

“Opozita e bashkuar i fton të gjithë qytetarët shqiptarë, demokratë e socialistë të bashkohemi në protestën më të madhe kombëtare për të larguar pengesën e vetme për Shqipërinë europiane, qeverinë e lidhur me krimin. Ju ftojmë të protestojmë për largimin nga pusheti dhe çdo hallke shteti të atyre që ndihmojnë kriminelët nga Agron Xhafaj tek Habilajt dhe Balilajt”, ka thënë Basha, citon Ora News.

Ai ka thënë se opozita nuk mund të bëjë negociata me qeverinë e Edi Ramës, të cilën ai e ka quajtur “qeveri të lidhur me krimin dhe drogën”.

“Ne do t’i themi ndal procesit të zëvendësimit të kriminelëve që i shërbenin Tahirit me atë që i shërbejnë Xhafajt. Të gjithë ne jemi në rradhë të parë shqiptarë. Duam një Shqipëri europiane, nuk mund të humbasim më kohën duke u marrë me kriminelin e rradhës në politikë. Duhet të mbyllim një herë e mirë kapitullin e krimit në politikë. Nuk hapen negociatat pa luftuar krimin dhe politikanët e lidhur me krimin”, ka thënë ai.

“Sot duhet të kemi një Ministri të Brendshme dhe një polici që i shërben njerëzve dhe jo një polici që rrëmben natën qytetarë të pafajshëm”, ka theksuar Basha.

Ai e ka akuzuar edhe me këtë rast kryeministrin Rama se po e mbron ministrin Xahafaj.

“Edi Rama se po e mbron Fatmir Xhafaj, por ne do ta largojmë atë dhe kupolën mafioze me Edi Ramën në krye”është shprehur kryetari i PD-së. (r.m.)

Comment

*