Seminar shkencor–arsimor: “Arritje dhe Perspektiva të Mësimdhënies së Gjuhës Amtare në Shkollat Shqipe të Diasporës Amerikane”

Me datën 19 maj 2018, Organizata Shqiptaro-Amerikane e Dy Gjuhëve dhe Kulturave (Albanian-American Dual Language & Culture) organizoi një seminar shkencor me temë: Arritje dhe Perspektiva të Mësimdhënies së Gjuhës Amtare në Shkollat Shqipe të Diasporës Amerikane. Në këtë aktivitet, morën pjesë mësues, profesorë, aktivistë të komunitetit, dhe prindër. E ftuar e nderit në seminar ishte Konsullja e përgjithshme e Kosovës në Nju Jork, zonja Teuta Sahatqija.

Gjatë këtij aktiviteti, i pari i këtij lloji në tri-shtetëshin e zonës, pati shkëmbim përvojash rreth metodave të mësimdhënies në shkollat e trashëgimisë shqiptare në ShBA. Fjalën e hapjes e mbajti znj. Drita Gjongecaj, themeluesja e AADLC. Duke falenderuar Ambasadoren Teuta Sahatqija për pjesëmarrjen dhe përshëndetjen ndaj të pranishëmve, ajo vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që Konsullata e Kosovës i ka dhënë shkollave shqipe. Po ashtu znj. Gjongecaj theksoi se arsyeja që kemi zgjedhur Vatrën për këtë aktivitet, është pikërisht fakti se gjithcka filloi 106 vite më parë në Vatër me figurat historike si Fan Noli, Faik Konica, e të tjerë. Në fjalën e saj ajo tha se, edhe sot, kur mundësitë janë të panumërta për të kontribuar në ruajtjen dhe përdorimin e gjuhës amtare, shkollat shqipe mbeten përsëri ato që më së miri mund ta kryejnë këtë mission. Për këtë arsye, më shumë se kurrë kërkohet një bashkëpunim i ngushtë ndërmjet shkollave shqipe si dhe midis familjes dhe këtyre shkollave. Seminari i sotshëm përbën një hap përpara në këtë drejtim duke sjellë shkëmbimin e përvojave në mësimdhënien dhe mësimnxënien e gjuhës shqipe në diasporë.

Konsullja e Përgjithshme e Kosovës në NY, zonja Sahatqija, falenderoi organizatorët për mbajtjen e këtij seminari shkencor si dhe përkushtimin ndaj fëmijëve të Diasporës me qëllim ruajtjen e gjuhës shqipe. Organizimin e seminarit në mjediset e Federatës Vatra, Ambasadorja e quajti një gjetje me vend pasi, sic tha ajo, Vatra është shtëpia e gjithë shqiptarëve të Amerikës, e cila përgjatë më shumë se një shekulli, ka ruajtur identitetin e shqiptarëve në Amerikë. Ajo nënvizoi edhe punën e Ministrisë së Kosovës dhe të Shqipërisë si dhe projektin për konsolidimin e shkollave shqipe në Diasporë. Po ashtu, Ambasadorja vlerësoi si një arritje historike futjen e Gjuhës Shqipe në programet e shkollave amerikane në Shtetin e New York, program që u realizua nën kujdesin e z. Mark Gjonaj dhe që do të fillojë në shtator 2018.
Moderatorja e seminarit ishte znj. Vjosë Nikci. Ajo është anëtare e bordit të Organizatës së Dy Gjuhëve dhe Kulturave Amerikano-Shqiptare (A.A.D.L.C), mësimdhënëse e shkollës shqipe Children of the Eagle, dhe njëkohësisht mësuese në një nga shkollat e qytetit të New Yorkut. Znj. Nikci tha se gjuha e nënës së fëmijës është kritike për identitetin e fëmijës. Ruajtja e gjuhës amtare ndihmon fëmijët të vlerësojnë kulturën dhe trashëgiminë e tyre, e cila kontribuon në një vetë-koncept pozitiv. Duke inkurajuar përdorimin e gjuhës amtare, prindërit mund t’a përgatisin fëmijën për të bashkëvepruar me komunitetin Shqiptar, si në SHBA dhe jashtë saj. Kjo është një nga arsyet pse është e rëndësishme për prindërit dhe organizatat e komunitetit Shqiptaro-Amerikan që të inkurajojnë në mënyrë aktive mirëruajtjen dhe mirëpërdorimin e gjuhës amtare. Nëse nuk jemi aktiv për të mbajtur gjuhën amtare, fëmija është në rrezik të humbasë atë dhe me atë humbje, humb shumë përfitime nga dygjuhësia.”

Editori i Gazetës Dielli, z, Dalip Greca, paraqiti Kumtesën “Shkollat Shqipe dhe Kontributi i Vatrës për ta ruajtur identitetin Kombëtar në SHBA”. Z. Greca solli fakte dhe dokumente nga arkivi i Vatrës dhe shpjegoi se si përpjekjet për hapjen e shkollave shqipe kanë filluar edhe më herët, krahas përpjekjeve për krijimin e Vatrës. Një fakt me interes që Editori solli në kumtesën e tij, ishte kontributi i Vatrës për shkollat shqipe në Shqipëri në vitet 1918-40, ku Vatra dërgoi më shumë se 120 mijë libra të shtypura në Shtypshkronjën e Diellit. Z. Greca foli më pas për realitetin e sotëm të Shkollave Shqipe duke u ndalur në shembullin e dy shkollave të Vatrës Florida në Clearwater dhe Jacksonville. Ashtu si disa nga folësit e tjerë, ai foli për mungesën e një programi unik dhe shqetësimet e tjera me të cilat përballen mësueset. Në mjedisin ku u zhvillua seminari, z. Greca ishte kujdesur për hapjen e një mini-ekspozite me libra të hershme të botuara nga Vatra si dhe libra me të cilat u zhvillua mësimi i Gjuhës Shqipe në vitet ’30 të shekullit të kaluar.

Domethënëse ishte dhe përshëndetja nga nxënësit e shkollës shqipe “Children of the Eagle”, të cilët me plot pasion interpretuan vargje për gjuhën shqipe, për mëmëdheun dhe flamurin kombëtar.
Seminari vazhdoi punimet me kumtesa dhe shkëmbim experience nga prezantues dhe mësues të shkollave shqipe. Dr. Mjaftime Dushollari, ish Pedagoge në Fakultetin Gjuhë-Letërsi të Universitetit Shtetëror të Tiranës paraqiti studimin shkencor “Pasurimi i Mësimdhënies së Gjuhës Shqipe në Shkollat e Diasporës”. Dr. Dushollari ka shkruar artikuj dhe punime studimore dhe është vlerësuar me titullin Asistent Profesor. E licensuar edhe në ShBA, ajo ka punuar 15 vjet si mësuese e Anglishtes si Gjuhë e Dytë në Shkollën Publike 8/Briggs Academy.
Z. Kristaq Papa, Drejtues i shkollës Shqipe”Kuq e Zi” në Queens, solli përvojën e shkollës që ai drejton si dhe problematika që paraqesin shkollat shqipe në Diasporë. Ai theksoi nevojën për një bashkëpunim të vazhdueshëm me familjen dhe organizatat e Komunitetit.
Mësuesi dhe studiuesi Shaban Gjoka, autor i disa librave për mësimdhënien e anglishtes në SHBA, u paraqit me kumtesën “Materiale Didaktike dhe Mësimi i Gjuhës Shqipe në Diasporë”. Z. Gjoka e ilustroi prezantimin e tij me materiale të krijuara nga ai vetë dhe që kanë rezultuar të suksesshme në punën me nxënësit e tij në shkollën shqipe të Clifton, New Jersey.
Pas një pushimi të shkurtër, Organizatorja Drita Gjongecaj paraqiti kumtesën “Veçori të Programeve Dygjuhësore dhe Efektiviteti i tyre”. Ajo foli ndër të tjera rreth arritjes në një pikë kulminante të mundësive që u ofrohen shqiptarëve në NY me miratimin nga Departamenti i Arsimit për të hapur programin e parë Dy-gjuhësor në Bronx, NY. Duke e bërë realitet hapjen e kësaj shkolle që do të fillojë në shtator 2018, Këshilltari Mark Gjonaj shënoi një sukses historik për të gjithë Diasporën dhe i hapi rrugën zgjerimit të tyre edhe në zona të tjera në bazë të kërkesës së prindërve.
Në vazhdim, znj. Pranvera Çobo, studiuese dhe kritike muzike, paraqiti kumtesën e ilustruar “Gjuha dhe Kënga, të Pandara në Breza”. Znj. Cobo prej vitesh është mësuese muzike në Westchester. Ajo ka punuar si mësuese muzike dhe drejtuese artistike pranë shkollës shqipe në Bronx duke u ushqyer fëmijëve dashurinë për kulturën dhe muzikën shqiptare. Ajo është krijuese dhe drejtuese artistike e Festivalit të Fëmijeve “Zërat e Rinj” në NY.
Dy kumtesat e fundit ishin pjesërisht në shqip dhe pjesërisht në gjuhën Angleze. Znj. Mirjana Lukiç-Kim, mësuese në shkollën PS8 dhe pedagoge e lëndëve të Leximit dhe Metodikave të Mësimdhënies në Mercy College dhe Touro College, paraqiti kumtesën e ilustruar, “Effective Interactive Read Aloud Strategies for Language Learners” (Mënyra Efektive të Leximit Interaktiv me Nxënësit që Mësojnë një Gjuhë të Dytë”). Materialet ilustruese dhe disa libra për fëmijë e shoqëruan kumtesën e saj.
Me interes u ndoq edhe znj. Jill Schimmel-Sopa në kumtesën e saj, “You Get Çlose to Your Roots, You Know”. Si ish drejtuese e Departamentit të Gjuhëve të Huaja në shkollat e Qytetit të NY, znj. Schimmel – Sopa ka një përvojë të pasur në këtë fushë. Ndër të tjera, ajo ka dhënë mësim edhe në gjuhën Japoneze në Bronx dhe është mbështetëse e përfshirjes së gjuhëve të huaja në kurrikulat e shkollave Amerikane. Me shumë krenari, ajo komunikon në shqip me bashkëshortin e saj, Dren, dhe djalin e saj dy vjecar, Dardan.
Një falenderim i vecantë publik u bë për të gjithë ata që kanë sponsorizuar apo mbështëtur në një mënyrë a tjetër jo vetëm organizimin e seminarit por edhe aktivitetin a AADLC dhe shkollës “Children of the Eagle”:
-Prime Supply LLC
-Valon Nikçi-LinkNY
-Konsullata e Kosovës
– Konsullata e Shqipërisë
-Henry Djonbalaj – HD Realty
-Florim Lajqi- Empire Core Group LLC
– David Tubiolo-Westchester County Legislator
– Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA
– Televizioni Kultura Shqiptare ACTV
Pjesëmarrësit patën mundësinë të bashkëbisedojnë me kolegë dhe të njihen me të tjerë të rinj për rreth një orë, kohë e cila iu la në dispozicion kokteilit të pasur që organizatorët kishin përgatitur me këtë rast.

Comment

*