OSBE: Gjendja e medias në Shqipëri e përkeqësuar

Tiranë, 3 maj 2019 – Ambasadori i Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt, i tha Zërit të Amerikës se në Shqipëri ka një përkeqësim të gjendjes së mediave. Duke bërë një vlerësim të përgjithshëm të gjendjes ai shpjegon se burimet e OSBE-së janë, së pari, vëzhgimi që vetë organizata i bën medias dhe, së dyti, ajo që burimet e tjera prestigjioze thonë për median.

“Përshtypja ime e parë, me shqipen time të kufizuar, bazohet kryesisht në kanalet informative, në pamjet që shoh dhe në tekstet që lexoj në to. Aty kuptoj se skena e medias është shumë e ndarë. Është e vështirë të marrësh informacion të paanshëm. Kur dua të krijoj një pamje të plotë, më duhet të shikoj kanale të ndryshme dhe të lexoj lajme të ndryshme. Ose le të marrim raportimin për protestat. Mediat që janë miqësore me njërën palë, i vendosin kamerat në pozicion të tillë që të tregojnë një turmë të madhe njerëzish. Mediat që janë miqësore me palën tjetër, përdorin dronin për të treguar se kishte shumë pak njerëz. Ky pasqyrim nuk është i balancuar brenda kanaleve, ai është i njëanshëm”, shprehet ambasadori Borchardt, duke shtuar se “një aspekt tjetër i përkeqësimit të gjendjes së medias, është se mjaft raportime bazohen në atë çka prodhon politika, në Facebook, në kronikat e parapërgatitura etj., në vend që të bazohen në investigimet e vetë gazetarëve”.

Zoti Borchardt thotë se “ndër burimet dytësore që përdorim për gjendjen e medias, sigurisht Reporterët pa Kufi janë gjykatësi kryesor ndërkombëtar për median. Shqipëria ka qenë e pozicionuar mjaft mirë, në vendin e 62-të, por kjo ishte 13 vjet më parë. Deri në vitin 2013, pamë një përkeqësim të madh, Shqipëria ra nga vendi i 62-të në vendin e 102-të. Pas vitit 2013, pati sërish ngritje, deri vitin e kaluar, dhe tani ka sërish përkeqësim. Pra, kemi pasur përmirësim dhe më pas përkeqësim”.

Por cilat janë sipas tij problemet kryesore? “Është çështja e vetëcensurës. Shumë gazetarë na thonë se ndihen nën presion nga pronarët e medias, se ka ndërhyrje nga ana e pronarëve. Pastaj është problemi i dhunës. Në vendet fqinjë është shumë më i dukshëm, por ndodh edhe këtu dhe është një gjë shumë e keqe. Kemi pasur disa sulme kundër gazetarëve që kanë qenë kërcënuese”.

Një tjetër aspekt, sipas ambasadori të OSBE-së “ka të bëjë me sulmet verbale kundër medias, të cilat për mua janë të tepruara. Nga ana tjetër, shoh zemërimin që qëndron pas tyre dhe ky zemërim vjen nga shpifjet dhe lajmet e rreme. E dimë mirë se për çfarë po flasim, pasi edhe ne kemi qenë objekt shpifjesh. Rrugëdalja është shumë e ngushtë, sepse ecim në mes dy të drejtave të njeriut: të drejtës për lirinë e fjalës dhe të drejtës për mbrojtjen e dinjitetit. Qeveria ka hartuar një projektligj dhe jemi të lumtur që ky projektligj po konsultohet me ekspertët tanë. Do të ishte fantastike sikur produkti përfundimtar të ishte në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare”.

Ai thotë se ndër rekomandimet që do të bëjnë janë ato që lidhen me dekriminalizimin e shpifjes, pra heqjen e saj nga Kodi Penal. “Sipas pikëpamjes sonë, shpifja është një çështje që i takon kodit civil dhe jo e atij penal. Një tjetër rekomandim ka të bëjë me kufizimin e përdorimit të kronikave të parapërgatitura, sidomos gjatë zgjedhjeve. Më së paku, ato duhet të identifikohen qartë se janë produkt i partive politike dhe jo produkt gazetaresk”.

Ambasadori Borchardt është i mendimit se “situata e medias duhet parë edhe në kuadër të klimës së përkëqësuar politike, e cila ka ndikim mbi tërë situatën. Shohim një përkeqësim të situatës jo vetëm në fushën e medias. Citova më herët renditjen e Shqipërisë në raportin e Reporterëve pa Kufij. I njëjtë është edhe përkeqësimi në renditjen e Transparency International për korrupsionin. Pas vitit 2013, gjërat u përmirësuan. Tani gjërat janë përkeqësuar sërish, jo aq keq sa në vitin 2013, por ka pasur përkeqësim. Po ashtu, vërejtëm një përmirësim mjaft të ndjeshëm në klimën e investimeve, por edhe këtu ka sërish përkeqësim. Mendoj se të tëra këto kanë lidhje me klimën politike negative”, thekson ambasadori i OSBE-së.

(Armand Mero, Zëri i Amerikës)

Comment

*