OSHEE blen 13 mln euro energji nga jashtë, nuk do të rritet çmimi

Dy operatorë të sistemit të energjisë kanë kërkuar rishikim të tarifës së tyre të shërbimit. Bëhet fjalë për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

ERE ka deklaruar se nuk do të ketë rritje të çmimeve për konsumatorë finalë, ndërkohë që pavarësisht aplikimeve nuk pritet të ketë rritje as mes vetë operatorëve.

OST mësohet se ka kërkuar që tarifa e transmetimit të shkojë në 1 lekë për kilovatorë, nga 0.65 lekë që është aktualisht. Kjo është tarifa që kompania e vjel nga transmetimi që kryhet për llogari të OSHEE apo edhe hidrocentraleve dhe palëve të tjera të treta.

Edhe OSHEE mësohet se ka kërkuar një ndryshim të tarifës së shërbimit për shpërndarjen e energjisë. Bëhet fjalë për konsumatorët e lidhur në 35 kilovolt të cilët janë jashtë tregut të rregulluar.

Për këta operatorë, OSHEE jep në përdorim rrjetin e saj. Pavarësisht kërkesave duke qenë se për herë të fundit çmimet u rishikuan në korrik të këtij viti dhe nuk ka ndonjë ndryshim të theksuar në bilancet e kompanive, çmimet pritet të mbeten të njëjta. IMPORTET Moti i ftohtë duket se ka rritur kërkesën për energji elektrike, e cila nuk është duke u përballuar nga burimet vendase.

Për të realizuar një furnizim të rregullt Operatori i Shpërndarjes së energjisë (OSHEE) ka mbyllur procedurat e një tenderi me të cilin do të importohen 265,200 MWh energji elektrike për periudhën 21 dhjetor-31 janar me vlerë 13 milionë euro.

Çmimi mesatar që u arrit për periudhën 21-31 dhjetor 2016 rezultoi 49.08 Eu/MWh dhe 50.99 Eu/MWh, ndërsa për periudhën 01-31 janar 2017 çmimi mesatar i arritur në tenderime ishte 50.9 euro. Për të gjithë periudhën 40 ditore energji që do të blihet nga jashtë është tenderuar me çmim mesatar 49.08 euro.

Shqiptarja.com

Comment

*