Osmani: 31 vdekje për dy ditë – alarm për institucionet

Prishtinë, 31 korrik 2020 – Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas shifrave të frikshme të viktimave të epidemisë së kosonavorusit gjatë dy ditëve të fundit.

Osmani ka thënë se dhimbja e 227 familjeve që i kanë humbur më të dashurit e tyre nga koronavirusi deri më sot duhet të shërbejë si alarm për institucionet që kanë obligim të mbrojnë jetën e qytetarëve.

Ndërkaq, ata që shpërfillin reklomandimet dhe këshillat e mjekëve u ka bërë thirrje të kujtojnë dhembjen e familjeve të viktimave të kosonavirusit.

“31 familje po i varrosin më të dashurit e tyre, që e humbën jetën dje (16) e sot (15) nga virusi Covid19. Ditët e festave janë ditë kur zotërojnë gëzimi e hareja, por sot, disa familje po ua japin lamtumirën e fundit atyre që i deshën më së shumti. Lutem që Zoti t’ua lehtësojë dhimbjen në këto kohë të rënda për humbjen e madhe, jo vetëm për familjet, por për gjithë shoqërinë tonë”, ka shkruar Osmani.

“Prandaj nëse u shkon mendja që për këtë Bajram t’i injoroni këshillat e mjekëve për festë nga distanca, ju lus mendoni për 227 familjet që sot kanë dhimbje për fëmijët, vëllezërit, motrat apo prindërit e tyre, të cilët i humbën për shkak të pandemisë. Dhimbja e tyre le të shërbejë si alarm për të gjithë për rrezikun e këtij virusi e në veçanti për institucionet që e kanë për obligim të mbrojnë jetën e qytetarëve”, ka shkruar ajo.

“Ngushëllime edhe njeherë të gjitha familjeve që humbën më të dashurit”, ka përfunduar kryekuvendarja. (r.m.)

Comment

*