Osmani: Deklaratat e Lajçakut për Asociacionin s’kanë të bëjnë me realitetin

Prishtinë, 16 tetor 2020 – Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se deklaratat e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, lidhur me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe nuk kanë të bëjnë fare me realitetin.

“Sa i përket konstatimit të tij lidhur me ndryshimin e Kushtetutës, e them se gjatë takimit kam deklaruar se duhet të respektohet Kushtetuta e Kosovës dhe nuk mund të themelohet asnjë pushtet i tretë e aq më pak organe me kompetenca ekzekutive në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Citimet e tij i shoh shqetësuese dhe ato nuk kanë fare të bëjnë me realitetin, realiteti është ajo që ne e kemi lëshuar si komunikatë zyrtare nga takimi me të”, tha ajo.

Osmani tha se ajo që ka deklaruar Lajçaku në Serbi nuk është e vërtetë dhe tregoi se ajo, si kryeparlamentare, nuk është pajtuar asnjëherë që Asociacioni të themelohet duke u bazuar në Marrëveshjen e vitit 2015.

“Ajo që ka deklaruar Lajçak në Serbi nuk është e vërtetë. Si kryetare e Kuvendit nuk e kam thënë që pajtohem se Asociacioni të themelohet edhe në përputhje me marrëveshjen e vitit 2015, por e kam thënë të kundërtën – që duhet të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me Asociacionin”, ka shtuar ajo.

Lajçak ka deklaruar në Beograd se Kosova duhet ta ndryshojë Kushtetutën për të zbatuar marrëveshjen për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

“Kushtetuta nuk është Bibël dhe Kosova duhet ta ndryshojë atë për Asociacionin” ka thënë Lajçak në Beograd, pas takimit me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai ka thënë gjithashtu se zyrtarët kosovarë me të cilët është takuar ai në Prishtinë, para se të shkonte në Beograd, nuk kanë thënë “jo” as për ndryshimin e Kushtetutës.

komunikatën e Zyrës për Informim të Kuvendit të Kosovës thuhej se në takim me Lajçakun kryeparlamentarja Osmani ka thënë se “sistemi kushtetues i Kosovës dhe unitariteti i vendit janë të pacenueshëm dhe nuk duhet të jenë pjesë e negociatave“. Aty thuhet gjithashtu se zonja Osmani i ka thënë Lajçakut se “për Asociacionin duhet të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe se nuk duhet lejuar bosnjizimi i Kosovës“.

Kryeparlamentarja Osmani ka njoftuar se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit është vendosur që më 21 tetor të mbahen tri interpelanca me kryeministrin Avdullah Hoti, të cilat janë propozuar nga deputetët e Kuvedit të Kosovës. ajo ka bërë të ditur se këto interpelancat kanë të bëjnë me procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, me nismën rajonale për “mini-Schengenin” dhe me qëndrimin e Qeverisë së Kosovës për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

(r.m.)

One Response to “Osmani: Deklaratat e Lajçakut për Asociacionin s’kanë të bëjnë me realitetin”

Read below or add a comment...

  1. JimmyZ says:

    Zoti e bekofte Kryetaren e Kuvendit te Kosoves Z. Vjollca Osmani !
    Lexoja me pare deklaraten e Lajcakut dhe ndjehesha keq !
    Mos valle nuk mjafton Granelli i Pres. Tramp ,por duhet dhe Lajcaku ?
    Uroj qe ne kete perjudhe votimesh ne Usa te fitoje Biden e jo Tramp!
    Mjafton kjo arsye qe Shqiptaro te Amerikanet te votojne Biden !

    Me Respekt. JimmyZ. Boston

Comment

*