Osmani e Kurti e dënojnë sulmin ndaj djalit të Nenad Rashiqit

Prishtinë, 22 shkurt 2021 – Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e kanë dënuar fuqishëm sulmin ndaj djalit të politikanit të shquar serb në Kosovë, Nenad Rashiq.

Zonja Osmani e cilësoi sulmin si “akt kundër demokracisë dhe lirisë së individit”. Ajo e ka drejtuar gishtin nga Beogradi dhe u ka bërë thirrje forcave të rendit që autorët e sulmit t’i nxjerrin sa më parë para drejtësisë.

“Është tashmë e qartë që sulmi ndaj tij është në vazhdën e kërcënimeve të shumta e ndërhyrjeve ilegale të Serbisë në Kosovë, që kanë për qëllim frikësimin e qytetarëve serbë”, thuhet në reagimin e zonjës Osmani.

Ndërkaq, Kurti shprehu bindjen se sulmi ndaj të riut Nikolla Rashiq është sulm i organizuar që ka për qëllim të thyejë rezistencën e babait të tij, Nenadit, ndaj politikës së imponuar nga Serbia.

“Duket se ky krim banditesk ndaj Nikolla Rashiqit është i organizuar dhe ka të bëjë me prindin e tij që nuk u thye e as s’u nënshtrua ndaj trysnisë e kërcënimeve të Serbisë. Me gjasë, meqë nuk e frikësuan dot Nenad Rashiqin, ia rrahën të birin Nikollën. Në qeverinë tonë të re do të punojmë që të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim përkatësie kombëtare të jetojnë të sigurt”, ka shkruar Kurti në rrjetet sociale.

Sulmin ndaj djalit të Nenad Rashiqit, Nikollës, e ka dënuar edhe Enver Hoxhaj, kryetar në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës.

(r.m.)

Comment

*