Osmani e shkarkon Rikallon nga pozita e anëtarit të KQZ-së

Prishtinë, 21 nëntor 2020 – Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ia ka ndërprerë mandatin e anëgtarit të Komisionit Qendror Zgjedhor përfaqësuesit të Listës Serbe, Nenad Rikallo.

Zyra e Presidentit të Kosovës njofton se shkarkimi i Rikallos është bërë për shkak se, disa ditë më pare, ai ka marrë një pozitë të lartë në Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

“Nenad Rikallos i ndërpritet mandati si anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës. Vendimi hyn në fuqi në datën e nënshkrimit”, thuhet në vendimin e u.d. të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Në njoftim thuhet se zonja Osmani e ka marrë këtë vendim duke u bazuar në nenin 90 të Kushtetutës së Kosovës dhe në Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme të Kosovës.

Nenad Rikallo ishte emëruar përfaqësues i Listës Serbe në KQZ, më 6 shkurt 2020.

Rikallo ka qenë ministër i Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, në kohën kur kryeministër ishte Ramush Haradinaj, por ishte shkarkuar nga kjo pozitë më 2 shkurt të vitit 2019.

(r.m.)

Comment

*