Osmani: Keqardhje që 5 shtete të BE-së mbajnë qëndrimin e Serbisë

Bruksel, 13 janar 2021 – Ushtruesja e detyrës së Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar të mërkurën ndaj deklaratës së Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, sipas së cilës pesë vendet e BE-së mund ta njohin Kosovën pasi ta bëjë këtë Serbia.

Lajçak ka thënë se nëse Serbia e ndryshon pozicionin karshi Kosovës, atëherë njëjtë do të mund të vepronin edhe pesë vendet evropiane që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Osmanit ka thënë se është për të të ardhur keq nëse politika e jashtme e këtyre vendeve i nënshtrohet asaj të Serbisë dhe  të Rusisë.

“Përveç që është për keqardhje, është edhe e rrezikshme për gjithë Bashkimin Evropian, që pesë shtetet anëtare të tij të përcaktojnë rregullat dhe qasjet e tyre duke u bazuar në dëshirat dhe kërkesat e Serbisë”, ka thënë Osmani.

Ajo u ka bërë thirrje që këto shtetet të njohin realitetin, të respektojnë edhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe ta njohin Kosovën, dhe jo të presin që këtë ta bëjë së pari Serbia.

Spanja, Sllovakia, Rumania, Qiproja dhe Greqia janë pesë vende anëtare të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Të martën, në një bisedë përmes video-lidhjes me ambasadoren gjermane në Uashington, Emily Haber, Miroslav Lajçak ka thënë se pesë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën mund të ndryshojnë qëndrimin, nëse arrihet një marrëveshje midis Kosovës e Serbisë.

“Gjithçka që është e pranueshme për Serbinë do të jetë e pranueshme për vendet e tjera që nuk e kanë njohur Kosovën”, ka theksuar Lajçak, duke folur për kontaktet me këto vende, përfshirë vendin e tij, Sllovakinë, e cila gjithashtu nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Lajçak ka shërbyer si ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë.

“Si ish- ministër i Jashtëm i Sllovakisë, kur më pyesnin se kur do ta njohë vendi im Kosovën, unë u deklaroja: ‘Më jepni një lajm të mirë, në mënyrë që të shkojë në parlament t’ju them ka ardhur koha të konsiderojmë pozicionin tonë. Pra, qartazi lajmi i mirë është marrëveshja me Serbinë”, ka thënë Lajçak.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani ka përfunduar të mërkurën vizitën e saj në Bruksel, ku është takuar dhe zyrtarë të lartë të BE-së dhe me kryetarët e dy dhomave të Parlamentit të Belgjikës.

Mbrëmë Osmani ka pasur takim me të dërguarin e posaçëm të BE-së Mirosllav Lajçak, kurse më herët është takuar me kryetarin e Parlamentit Evropian David Sasolli, dhe me Komisionarin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Verhelyi.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, u.d presidentit, Vjosa Osmani ka thënë se në takim, Lajçaku ka insistuar që Kosova mund të vazhdojë dialogun vetëm pasi të ketë një qeveri legjitime, e cila do të dalë nga zgjedhjet që do të zhvillohen me 14 shkurt.

(r.m.)

Comment

*